Kurti: BKS që dëshiron Beogradi do të ishte mekanizëm për sfidimin e funksionimit të Kosovës nga brenda
Kryeministri i Kosovës në mandatin teknik Albin Kurti tha në podkastin “Shtabi qëndror-podkast i gjeneralit Trinkan” se Prishtina ngelet e përkushtuar për normalizimin e marrëdhënieve me Sërbinë, por vetëm nën njohje mes tyre, ndërsa hodhi poshtë formimin e Bashkësisë së Komunave Sërbe sipas modelit ku sikurse tha, kërkon Beogradi. Ai vlerësoi se ajo do të kishte kompetenca njësoj si në Republikën Sërbe të Bosnjës dhe paraqet mekanizëm për sfidim të funksionimit të Kosovës.
Duke folur për BKS në podkast që e drejton gjenerali francez në pension dhe analisti ushtarak Dominik Trinkan, Kurti tha se Gjykata Kushtetuse e Kosovës prej më shumë se dhjetë vitesh vlerësoi se “modeli i bashkësisë së komunave monoetnike nuk është në përputhje me frymën e Kushtetutës“.
"Në shkurt të vitit 2023, arritëm Marrëveshje Bazë me Sërbinë dhe një muaj më vonë dhe Aneksin për zbatimin e saj në Ohër. Kosova e respekton atë marrëveshje dhe kërkoi që ajo të nënshkruhej formalisht. Sërbia refuzoi t’a nënshkruante. Marrëveshja përfshin dhe marrëveshjet e arritura më parë nga qeveritë e dikurshme të Kosovës, përfshirë dhe çështjen e Bashkësisë së Komunave. Kosova tashmë ka Asociacion të 38 komunave të veta. Megjithatë, Gjykata Kushtetuese para më shumë se dhjetë vitesh, vlerësoi se modeli i bashkësisë së komunave monoetnike, nuk është në përputhje me frymën e Kushtetutës", tha Kurti.
Ky i fundit shtoi se mbështet bashkëpunimin mes komunave për ofrimin më të mirë të shërbimeve publike, por vetëm në kornizën e "rendit kushtetues të Republikës së Kosovës".
"Problemi lind sepse Beogradi dëshiron strukturë që do të kishte kompetenca politike të ngjashme me Republikën Sërbe në Bosnjë-Hercegovinë. Kjo do të përfaqësonte mekanizëm për të sfiduar funksionimin dhe shtetësinë e Kosovës nga brenda. Pikërisht këtu qëndron dallimi më i madh në qëndrimet tona", theksoi ai.
"Kushtetuta ofron nivel të lartë mbrojtjeje të të drejtave të pakicave"
Pyetjes së prezantuesit se si e shikon të ardhmen e pakicave, Kurti tha se bashkëpunon me të gjitha komunitetet pakicë dhe se dëshiron që "zëri i tyre të përfaqësohet".
"Kushtetuta jonë ofron nivel shumë të lartë mbrojtjeje të të drejtave të pakicave. U hartua nën ndikimin e fortë të Marti Ahtisarit, të dërguarit special të Kombeve të Bashkuara dhe parashikon 20 vende të garantuara parlamentare për komunitetet pakicë në parlament-dhjetë për komunitetin sërb dhe dhjetë për pakicat e tjera, përfshirë boshnjakët, turqit, romët, ashkalinjtë, egjiptianët dhe goranët. Bashkëpunoj me të gjitha komunitetet pakicë dhe dëshiroj që zëri i tyre të përfaqësohet, ndërsa të drejtat e tyre të mbrohen. Në qeveri, kemi ministra dhe ndihmësministra nga komunitete të ndryshme. Gjuha sërbe është gjuhë zyrtare në Kosovë në të gjitha nivelet e administratës", tha ai.
Kurti shtoi se beson se idetë për territore etnikisht të pastra i përkasin të kaluarës.
"Në shekullin XXI, nuk egzistojnë kufij etnik perfekt. Ajo çka na nevojitet janë shtete demokratike ku të gjithë qytetarët janë të barabartë para ligjit dhe kanë mundësi të barabarta. Qëllimi ynë është normalizimi i plotë i raporteve me Sërbinë bazuar në njohjen reciproke. Qytetarët e Kosovës në masën më të madhe mbështesin integrimin europian dhe nuk shikojnë alternativë ndaj anëtarësimit në Unionin Europian", tha kryeministri i Kosovës në mandatin teknik.
"Marrëdhëniet me Beogradin janë të ngarkuara dhe me dallime gjeopolitike"
Duke komentuar marrëdhëniet me Beogradin, tha se ato nuk janë të ngarkuara vetëm me çështjen e pavarësisë, por dhe nga angazhimet e ndryshme gjeopolitike.
"Kosova është qartësisht e orientuar drejt Bashkimit Europian dhe NATO, ndërsa Sërbia formalisht flet për rrugën europiane, por në shumë çështje mban lidhje të ngushta me Moskën. Besoj se Sërbia ende nuk e ka pranuar sinqerisht përgjegjësinë për krimet e kryera gjatë luftërave të viteve ‘90. Kjo e rëndon edhe më procesin e normalizimit të raporteve", tha Kurti.
"Problemi nuk janë qytetarët, por elitat politike individuale"
Kurti theksoi se nuk mendon se sot mes popujve të Ballkanit Perëndimor, egziston nacionalizëm masiv, çka mund të çojë në luftëra të reja.
"Problemi nuk janë qytetarët, por elitat e caktuara politike që ende jetojnë në të kaluarën dhe përdorin nacionalizmin për të ruajtur pushtetin. Para 30 vitesh armët pranoheshin lehtësisht. Sot, qytetarët do të raportonin përpjekje të tilla në polici. Shoqëria ka ndryshuar. Rreziku nuk vjen nga njerëzit e zakonshëm, as nga kombësi apo fe të ndryshme, por nga politikat që ende tentojnë të arrijnë qëllime hegjemonike", tha ai.
Shtoi se pas luftës në Ukrainë, situata gjeopolitike u komplikua edhe më ndaj Bashkimi Europian duhet të njohë dhe shpërblejë ata që zbatojnë vazhdimisht reformat, forcojnë sundimin e ligjit dhe respektojnë vlerat europiane.
"Kosova sipas indekseve të shumta ndërkombëtare, është ndër shtetet më të suksesshme në Ballkanin Perëndimor në fushat e luftës kundër korrupsionit, sigurisë, sundimit të ligjit dhe mbrojtjes së lirive qytetare. Nuk shqetësohem kur partnerët europianë na kritikojnë, por besoj se progresi që po arrijmë, duhet të njihet më objektivisht", theksoi ai.
"Do të doja që zgjedhjet të mbaheshin më rrallë"
Kurti foli dhe për situatën politike në Kosovë dhe theksoi se "do të donte që zgjedhjet të mbaheshin më rrallë".
"Në zgjedhjet e fundit, morëm rreth 47% të votave, ndërsa më herët kishim më shumë se 50%. Qeverinë e formojmë bashkë me partnerë nga komunitetet pakicë. Megjithatë, zgjedhja e presidentit kërkon shumicë prej 2/3 në dy raundet e para të votimit. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese i vitit 2011, mundëson zgjedhjen e presidentit me shumicë të thjeshtë vetëm në raundin e tretë, por me kusht që të ketë kuorum prej të paktën 80 deputetësh. Opozita e përdor atë procedurë për të bllokuar zgjedhjen e presidentit. Megjithatë, do të vazhdoj të bisedoj me ta dhe të kërkoj zgjidhje të përbashkët. Deri më tani, kryesisht kemi ofruar propozime, ndërsa opozita i ka refuzuar. Formimi i institucioneve nuk është vetëm përgjegjësi e qeverisë; për të, nevojitet dhe bashkëpunimi i opozitës”, tha Kurti.
Domethënia politike dhe ekonomike e diasporës
Kurti komentoi domethënien politike e ekonomike të diasporës dhe tha se remitancat nga jashtë përbëjnë rreth 20% të produktit të brendshëm bruto.
“Sipas regjistrimit të popullsisë së vitit 2024, Kosova ka rreth 1.6 milion banorë, por më shumë se një milion qytetarë tanë jetojnë jashtë vendit. Shumica e njerëzve nuk u larguan nga Kosova sepse dëshironin jetë më të mirë, por sepse në vitet ’90 gjatë regjimit të Sllobodan Millosheviqit, jeta këtu u bë pothuajse e pamundur. Sot, lidhja e diasporës me atdheun është jashtëzakonisht e fortë. Shumë blejnë apartamente në Kosovë, shpesh vijnë, investojnë në biznes, i dërgojnë fëmijët për të studiuar këtu dhe planifikojnë që të kthehen për t’u pensionuar. Gjithnjë e më shumë qytetarë tanë nga diaspora asistojnë dhe në zgjedhje. Pjesëmarrja e tyre politike, mund të ndikojë në shpërndarjen e disa mandateve parlamentare”, tha Kurti.
0 komentet