Ballkani Perëndimor nën presion për sistemin EES-a mundet që transportuesit të çajnë barrierat e BE?

EES sistem
Burim: Ilustracija/Kosovo online

Trafiku rrugor është gjaku i ekonomisë së çdo shteti, theksojnë ekspertët dhe përfaqësuesit e transportuesve nga rajoni për Kosovo Onlajn dhe paralajmërojnë se zbatimi i sistemit europian të evidencave hyrje-dalje (EES) mund të kërcënojë seriozisht Ballkanin Perëndimor. Ndërsa në BE theksohet se rregullat janë të qarta dhe se nuk kanë ndryshuar, shoferët thonë se në praktikë dyert e Shengenit po u mbyllen dhe si përgjigje po njoftojnë bllokimin e kufijve nga 26 janari.

Shkruar nga: Petar Rosiq

Sistemi i ri për menaxhimin dixhital të kufijve (EES) për hyrje-dalje ka nisur të zbatohet në 29 vende europiane më 12 tetorin e vitit të kaluar dhe duhet të bëhet plotësisht operues më 10 prill.

U njoftua si sistem që do të përmirësojë sigurinë e zonës Shengen, do të kontribuojë në parandalimin e migrimit të paligjshëm dhe do të rrisë efikasitetin për udhëtarët. Megjithatë, për transportuesit e Ballkanit Prerëndimor solli probleme të shumta.

Përfaqësuesit e shoqatave transportuesve të Sërbisë, B&H dhe Malit të Zi njoftuan se prej 26 janarit do të bllokohen kalimet e mallrave me vendet e Shengenit dhe në këtë veprim morën mbështetjen edhe të kolegëve nga Maqedonia e Veriut.

Në konferencën për gazetarët në Beograd, theksuan se zbatimi i plotë i sistemit EES për shoferët nga Ballkani Perëndimor praktikisht do të kufizojë qëndrimin e tyre në vendet e Shengenit gjatë aktiviteteve të tyre të përditshme të punës, ndaj kërkuan status të barabartë me kompanitë dhe shoferët europianë.

Reagoi dhe kryeministri i Sërbisë Gjuro Macut i cili në bisedë me shefin e Delegacionit të BE në Sërbi, Andreas fon Bekerat, tha se ky problem kërcënon të paralizojë plotësisht punën e komunitetit të transportit të Sqrbisë, por dhe ekonomive të tjera të Ballkanit Perëndimor.

Kryeministri vuri në dukje se nga këto rregulla tashmë janë përjashtuar stafi i fluturimit dhe i hekurudhave dhe shtoi se Sqrbia ofron zgjidhje konkrete që nuk kërkojnë ndryshime në Kodin Kufitar të Shengenit, të cilat i’a dorëzoi bashkëbiseduesit.

Ndërkohë, mbërriti reagimi nga Komisioni Europian, por pa përgjigje konkrete. Zëdhënësi i Komisionit Europian, Markus Lammert tha se rregullat e shteteve të Shengen janë të qarta dhe nuk kanë ndryshuar.

Dëbimet e shoferëve po bëhen më të shpeshta

Javën e kaluar, shoqata e biznesit e Transportit Ndërkombëtar "Pumedtrans" njoftoi se tetë shtetas sërbë, shoferë profesionistë kamionësh, prej 15 janarit u arrestuan në portin e Rostokut në Gjermani për tejkalim të numrit të lejuar të ditëve të qëndrimit në zonën Shengen.

Po atë ditë, konsorciumi "Logjistika e BiH" njoftoi se në 365 ditët e fundit, vetëm në Gjermani, 100 shoferë profesionistë nga B&H u dëbuan "ekskluzivisht sepse punojnë".

Të premten, kryetari i Shoqatës së Transportuesve të Sqrbisë, Negjo Mandiq, u përcolli letër të hapur përfaqësuesve të vendeve të Zonës Shengen dhe Komisionit Europian në të cilën propozon dy zgjidhje.

Në letrën në të cilën nënshkruan si qytetar i Europës, Mandiq propozon që të pezullohet përkohësisht zbatimi i rregullit 90/180 për shoferët profesionistë apo të gjenden pika në marrëveshje që lejojnë përjashtim për grupin profesional të shoferëve në transportin ndërkombëtar "i cili përfaqëson gjakun jetësor të ekonomisë".

Ndërmarjet kërcënohen me mbyllje

Në bisedë për Kosovo Onlajn, Mandiq tha se zbatimi i sistemit EES në praktikë nuk e rëndon por pamundëson punën e shoferëve profesionistë të Ballkanit Perëndimor dhe se pasojat e tyre mund të jenë katastrofike si për ekonominë ashtu dhe për qytetarët.

“Ky është rrënim-as shoferi nuk do të marrë rrogën prej të cilës mund të jetojë me dinjitet, as punëdhënësi nuk do të jetë në gjendje të paguajë detyrimet e tij dhe në fund as të njëjtën rogë. Ne duhet ose të punojmë me kapacitet të plotë ose të ndalojmë. Egziston numër i madh kostosh të tjera që janë aq të mëdha sa pa punë serioze nuk ka biznes pozitiv dhe pa këtë të fundit kompania duhet të mbyllet” tha Mandiq.

Ky i fundit u shpreh dhe për vonesat afatgjata në kufij.

"Kur nisemi, presim në kolona-ndonjëherë 24 orë, diku 48, madje edhe 72 orë. Në kthim e njëjta dhe kjo na pamundëson të përshkojmë kilometra të mjaftueshëm dhe të arrijmë realizimin” tha ai. Shtoi se futja e sistemit elektronik do të kufizojë më tej punën.

"Më parë ne nuk na kontrollonin dhe ky është sistem ngarkese elektronike. Kur mbushni 90 ditë-nuk ka hyrje dhe kjo mbushet për tre deri në katër muaj çka do të thotë se dy muajt e ardhshëm nuk ka punë”, theksoi ai.

Mungojnë përgjigjet

Duke komentuar mesazhet nga Bashkimi Europian, Mandiq tha se mungon përgjigja.

"Kjo është e njëjta përgjigje që kemi marrë dy vite të shkuara. Kjo përgjigje është e pakuptimtë. Ata thonë se nuk ka ndryshim, ndërsa në Marrëveshjen e Shengenit thuhet se mund të ndryshohet dhe plotësohet” thotë bashkëbiseduesi ynë dhe shtoi se zgjidhjet egzistojnë.

"Ka njëqind zgjidhje, nga më e thjeshta: vendosni sërish vizën afatgjate për shoferët për ata profesionistë-me tre ose pesë vjet që do t’u mundësojë numër të pakufizuar hyrje-dalje dhe atëherë nuk do të ketë probleme. Ne kemi propozime, por më e mira është të bisedojmë dhe çdokush nga ana e vet të propozojë atë që i përshtatet më mirë, që në fund të gjejmë zgjidhje kompromisi, të zgjidhim problemin dhe të mos ketë më nevojë për protesta", tha ai.

Theksoi se bllokadat nuk janë qëllimi, por prej tyre nuk tërhiqen.

"Në takimin me Von Bekeret, thashë se nuk do të ketë bllokada, vetëm le të na përcjellin letër dhe të na ftojnë në takim, me angazhim të përbashkët që në harkun kohor të 60 ditëve të arrijmë kompromis dhe gjejmë zgjidhje” tha Mandiq.

Transportuesit maqedonas mbështesin protestat. Sekretarja e përgjithshme e Shoqatës së Punëdhënësve të Kompanive të Transportit të Maqedonisë “Makam-trans“ Biljana Muratovska tha për Kosovo Onlajn se numërimi I ditëve të qëndrimit është jopërmbajtësore ekonomike për shoferët profesionistë.

"Sepse në ato 180 ditë, ato 90 ditë që do të ndahen në të gjithë muajt, shoferët mund të ngasin për 10 deri në 15 ditë, varësisht nga ajo nëse kanë itinerare të shkurtra apo të gjata. Nëse e dimë se me të gjitha pushimet e detyrueshme që kanë, javore apo ditore, se orari i tyre i punës është 20 ditë, atëherë këto 10 apo 15 ditë janë ekonomikisht të pajustifikuara. Me një fjalë, na ndalojnë dhe nuk mund t'u shërbejmë klientëve normalisht, çka do të thotë se ngadalë do t’a humbasim të gjithë punën", theksoi ajo.

Duke folur për pasojat e mundshme për ekonominë, Muratovska tha se transporti rrugor është gjaku i jetës së çdo shteti.

"Ne lidhim importuesit, eksportuesit dhe shpërndarjen e produkteve. Kur e dimë që të gjithë në rajon, me përjashtim të Malit të Zi, jemi të lidhur vetëm nga transporti rrugor dhe se jemi të varur nga importet, kjo do të thotë që nëse nuk punon transporti rrugor, do të përballemi me problem të madh, sepse do të kemi mungesë të lëndëve të para, mallrave të konsumit të gjerë, si dhe barnave dhe gjërave të tjera që janë të nevojshme", tha Muratovska.

Sulm ndaj mbarë ekonomisë

Shtoi se kjo do të kishte pasoja për mbarë ekonominë e rajonit.

"Kjo do të thotë një sulm ndaj mbarë ekonomisë së të gjitha këtyre shteteve që janë nga Ballkani Perëndimor, pra, atyre që janë jashtë Unionit Europian", tha ajo.

Duke folur rreth kërkesave të transportuesve, Muratovska tha se prej dy vitesh po ndërmerren bisedime me institucionet europiane.

"Ne prej dy vitesh luftojmë bashkarisht me Sërbinë, B&H, Malin e Zi, Shqipërinë dhe Turqinë, por derimë tani nuk kemi asnjë përgjigje, veç premtimit se duhet të merret në konsideratë një lloj vize. Nëse bëhet fjalë për një lloj vize, ne u themi t’a vendosin, por nuk ka ndalim. Megjithatë, dhe në Zvicër thuhet 90 në 180 ditë. Çka do të thotë se as me vizë nuk e kemi zgjidhur problemin, veçse paguajmë tarifa shtesë për marrjen e saj", tha ajo.

Kryetari i Aleancës së Biznesit nga Prishtina Agim Shahini tha për Kosovo Onlajn se sistemi i kontrollit EES paraqet problem jo vetëm për shoferët e kamionëve, por dhe për të gjithë qytetarët e Ballkanit Perëndimor.

“Shoferët me të vërtetë kanë të drejtë që të ankohen, të bllokojnë rrugët për atë që ne në Ballkan vazhdojmë të trajtohemi si qytetarë jashtë Europës. Dhe kjo nuk është mirë sepse kjo kërcënon lëvizjen e lirë, të drejtën njerëzore, pasi pavarësisht nëse jetojmë në Kosovë apo Bruksel, ne jemi njerëz. Çdokush nëse është punëtor apo artist, nëse është biznesmen apo politikan, çdo njeri dëshiron të jetojë mirë, i qetë dhe të ketë qëndrimin e vet, ndërsa Unioni Europian ka standarte të tjera për ne” tha Shahini.

Duke folur për pasojat ekonomike, tha se bllokadat kanë ndikim direkt tek ekonomia dhe krijojnë humbje të mëdha në ekonomi. Nga ana tjetër, thotë, UE ka politikë shtrënguese ndaj Ballkanit Perëndimor.

“Megjithatë, Unioni Europian kur bëhet fjalë për Ballkanin Perëndimor, ka politika shtrënguese dhe unë mendoj se kjo është kundërproduktive me standartet europiane dhe të drejtat e njeriut, pavarësisht se nga cilat shtete vijnë”, tha Shahini.

Me të pajtohet dhe Granit Sokolaj nga Qendra e konsumatorëve “Alert“ nga Tirana. Ai ka thënë për Kosovo Onlajn se sistemi EES nuk duhet të vlejë për transportuesit e udhëtarëve apo dhe të mallrave.

“Përsa i përket sigurisë kufitare dhe parandalimin e emigrimit ilegal, mendoj se ky sistem nuk do të mund të zbatohej për shoferët e transportit të udhëtareve apo atyre të mallrave pasi ata nuk janë pjesë e kontingjentit e atyre njerëzve që emigrojnë. Këta janë kryesisht njerëz që shkojnë në punë dhe qëndrojnë tre, pesë, 10 ditë në vende ku dërgohen për të marrë mallra apo të transportojnë njerëz nëse janë shoferë autobuzash” ka thënë Sokolaj.

Duke folur për reaksionet e mundshme në Shqipëri, bën të ditur se nuk pret protesta.

“Për dallim nga Sërbia apo Maqedonia e Veriut, fatkeqësisht ne në Shqipëri nuk dimë të protestojmë. Shoqatat e bizneseve janë shoqata që kohë pas kohe mbrojnë interesat e qeverisë para interesave vetjake dhe protestë e tillë me gjasa do të konsiderohej si akt antiqeveritar, ndaj dhe heshtin”, ka thënë ai.

Ky i fundit beson se Komisioni Europian nuk do të marrë vendim të veçantë për shoferët e transportit të mallrave, por thekson se vendim i tillë do të ishte justifikues.

“Mendoj se do të ishte e drejtë të merrej vendim i tillë. Do të ishte e drejtë të egzistonte udhëzim shtesë, vendim shtesë të Komisionit Europian që kjo kategori të përjashtohej. Theksoj se shoferi që punon në Tiranë, Beograd, Shkup, Prishtinë, Podgoricë apo kudo që ndodhet, ai është i punësuar që nuk shkon në emigracion, nuk shkon në BE me qëllim që të shkelë 90 ditët ligjore të qëndrimit në BE. Udhëtimet e tyre janë tre ditë, një javë, 10 ditë, dy javë, maksimumi një muaj në raste të veçanta, por jo më shumë” konkludoi Sokolaj.