Basha “në riprovim”, kriza në parlament ende pa pikë përfundimtare
Konstituimi i legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës ende nuk është përmbyllur. Me vendimin që zgjedhja e nënkryetarit të Kuvendit nga komuniteti serb duhet të bëhet brenda 12 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, Gjykata Kushtetuese praktikisht e ka dërguar kryetarin e Kuvendit, Dimal Basha, “në riprovim”. Shumë analistë vlerësojnë se qëndrimi i gjykatës ishte i pritshëm, por njëkohësisht ekziston frika se ky vendim nuk e vë një pikë përfundimtare krizës politike.
Shkruan: Dushica Radeka Gjorgjeviq
“Seanca konstituive e Kuvendit, e filluar më 15 prill 2025, nuk është përfunduar si rezultat i moszgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e deputetëve të komunitetit serb. Kuvendi nuk është konstituar në përputhje me dispozitat e nenit 66 dhe nenit 67 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, thuhet në vendimin e djeshëm të Gjykatës Kushtetuese.
Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, deklaroi sot se ky vendim “po analizohet” dhe shprehu shpresën se Kuvendi do të konstituohet sa më shpejt që të jetë e mundur.
“Ju lutem, formoni Kuvendin dhe formoni Qeverinë”, porositi Orav.
Ende nuk ka asnjë reagim për vendimin e gjykatës nga Vetëvendosje, parti nga e cila Dimal Basha, dhe që mbylli seancën konstituive më 30 gusht dhe shpalli parlamentin të konstituuar.
Në anën tjetër, Lista Serbe ka përshëndetur qëndrimin e gjykatës. Siç u shprehën, është konfirmuar qëndrimi i tyre se kryesuesi i Kuvendit, Dimal Basha, ka vepruar në kundërshtim me Kushtetutën dhe ka tentuar që “edhe një herë t’ia marrë popullit serb atë që është përcaktuar si e drejtë kushtetuese brenda Kuvendit”.
“Kjo është një fitore e vogël, por jashtëzakonisht e rëndësishme e popullit serb përballë një morie vendimesh të regjimit nga Prishtina, i cili duke shkelur të gjitha rregullat, ka cenuar të drejtat kolektive dhe individuale të popullit tonë”, thuhet në njoftimin e Listës Serbe.
Duke pasur parasysh se për zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit nga komuniteti serb nevojiten së paku 61 vota, zhvillimi i situatës në periudhën e ardhshme është i vështirë të parashikohet. Kjo veçanërisht kur merren parasysh paralajmërimet nga Vetëvendosje në pushtet se nuk do ta mbështesë zgjedhjen e nënkryetarit nga radhët e Listës Serbe.
“Qëllime malicioze”
Menaxherja e programit të OJQ-së "Iniciativa Shoqërore", Milica Andriq Rakiq, thotë se edhe pa mbështetjen e deputetëve të Vetëvendosjes, zgjedhja e nënkryetarit serb mund të ndodhë, nëse ka vullnet në blloqet e tjera politike.
"Pavarësisht asaj nëse ata do të votojnë për përfaqësuesin sërb, në parim mund ta respektojnë vendimin dhe konstatojnë se pranojnë që Kuvendi nuk është konstituuar. Përsa i përket asaj pjese pragmatike madje dhe nëse Vetëvendosja nuk voton, sërish tek ky blloku tjetër ka mjaftueshëm deputetë që mund të zgjedhin përfaqësuesin sërb. Do të shikojmë se çfarë qëndrimi do kenë nga ajo pikëpamje parimore", ka thënë Andriq Rakiq për Kosovo online.
Për vlerësim përfundimtar të situatës, ajo shton, është e nevojshme të pritet publikimi i vendimit të plotë të Gjykatës Kushtetuese, i cili mund të ofrojë sqarime shtesë, përfshirë dhe mekanizma eventuale për tejkalimin e bllokimit politik.
"Do të duhej të shikohej i gjithë vendimi i Gjykatës Kushtetuese, nëse me të vërtetë janë të nevojshme 61 vota, apo ndoshta do të propozojnë ndonjë modalitet tjetër nëse shterohen të gjitha metodat e votimit. Në të kundërt, është e mundur që gjykata të thotë se, nëse nuk zgjidhet nënkryetari, Kuvendi shpërbëhet automatikisht. ", thekson Andriq Rakiq.
Ajo për këtë arsye vlerëson se edhe pse vendimi i gjykatës është përfundimtar dhe juridikisht i detyrueshëm, ai në vetvete nuk do të thotë se kriza politike do të zgjidhet.
“Kriza politike nuk ekziston sepse diçka në procedura nuk ka qenë e qartë, por sepse dikush i ka keqpërdorur procedurat, është shtirur sikur nuk janë të qarta, për të përdorur Gjykatën Kushtetuese si mënyrë për të zgjatur formimin e Kuvendit”, thekson bashkëbiseduesja jonë, e cila nuk përjashton mundësinë që të shfaqen “disa mënyra të reja, kreative për bllokimin e Kuvendit”.
Por, siç thotë ajo, nga ky moment është mëse e qartë se vetëm dikush me qëllime shumë malicioze mund të vazhdojë të bllokojë konstituimin e Kuvendit ose konstituimin e tij për të shpallur zgjedhje të reja.
Andriq Rakiq thekson se edhe pjesa e njoftimit të Gjykatës Kushtetuese që i referohet respektimit të rregullores së procedurës parlamentare, do të mund të ketë pasoja për legjitimitetin e zgjedhjes së Emilia Rexhepit e cila u zgjodh pa rregulla-individualisht dhe jo në paketë me kandidatin sërb.
“Kjo potencialisht do të thotë se mund të jetë kontestuese zgjedhja e Emilia Rexhepit e cila, në kundërshtim me Rregulloren e Punës, u zgjodh individualisht. Por nuk mund të pretendojmë ende derisa të shikojmë të gjithë zbardhjen e vendimit të gjykatës”, ka thënë Andriq Rakiq.
Edhe hulumtuesi i lartë në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI) Vulnet Bugaçki thotë se mbetet të pritet publikimi i vendimit dhe shpjegimi i plotë i tij, për të ditur procedurën e mëtutjeshme dhe për të kuptuar rrugën që duhet ndjekur në lidhje me zgjedhjen e nënkryetarit nga radhët e komunitetit serb.
Sigurisht, siç ka theksuar Bugaçku për Kosova online, vendimi i Gjykatës Kushtetuese legjitimoi faktin që Kuvendi nuk mund të konsiderohet i konstituuar pa zgjedhjen e presidentit dhe të gjithë nënkryetarëve.
Tre rezultate të mundshme
Drejtori i strategjisë në Qendrën për Politika Evropiane, Millosh Pavkoviq, thekson se gjatë votimit për nënkryetarin e parlamentit nga radhët e komunitetit serb do të jenë të mundshme tre rezultate, duke pasur parasysh se Lista Serbe ka nëntë nga 10 vendet e garantuara për komunitetin serb, ndërsa Nenad Rashiq, lider i partisë “Për liri, drejtësi dhe mbijetesë”, është në fakt kandidati i Vetëvendosjes për këtë pozitë.
“Një opsion është që të zgjidhet Rašić, opsioni i dytë që të jetë dikush nga Lista Serbe dhe opsioni i tretë që të mos zgjidhet askush, gjë që më pas hap një çështje të re dhe një krizë të re kushtetuese, duke pasur parasysh se Gjykata Kushtetuese ka mbetur e papërcaktuar në vendimin e korrikut se çfarë ndodh nëse nuk arrihet konstituimi i parlamentit”, tha Pavkoviq për Kosovo online.
Nëse nuk arrihet konstituimi i parlamentit pas këtyre 12 ditëve, siç thotë ai, do të duhet të pritet një vendim i ri i Gjykatës Kushtetuese, e cila do të përcaktonte përfundimisht nëse parlamenti shpërndahet dhe kush e shpërndan atë, meqë teknikisht nuk është konstituar, ose nëse shpallen zgjedhje të parakohshme.
Tani, siç pret ai, po afron një periudhë negociatash politike dhe ai e sheh mbajtjen e zgjedhjeve lokale më 12 tetor si një moment kyç.
“Rezultatet e zgjedhjeve lokale do të ndikojnë në masë të madhe edhe në rrjedhën e mëtejshme të konstituimit të Kuvendit. Nëse, për shembull, Vetëvendosje arrin një rezultat të mirë ose ndonjë befasi të madhe dhe fiton shumicën e komunave, kjo do t’ua rrisë atyre shanset për të përfunduar procesin e konstituimit të Kuvendit dhe formimit të qeverisë. Nëse, përkundrazi, ndodh skenari i kundërt që opozita të jetë më e suksesshme dhe të fitojë më shumë qytete dhe komuna, kjo padyshim do t’i japë opozitës shtysë që të marrë gjërat në duart e veta dhe potencialisht të zgjedhë ndonjë kandidat të saj ose të arrijë marrëveshje për zgjedhjen e kandidatit, ose të këmbëngulë në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare ku do të kishte më shumë gjasa të arrijë rezultat më të mirë sesa në shkurt. Por është shumë e vështirë të bëhet një parashikim se cila nga opsionet është më reale”, përfundon ai.
Vendimin e Gjykatës Kushtetuese e pret analisti politik Shkëlzen Maliqi nga Prishtina, i cili thotë se Rregullorja e Punës së Kuvendit ishte argumenti kryesor që gjykata e thirri.
"Obstruksion i planit të Ahtisaarit"
“Rregullorja e punës së Kuvendit të Kosovës është e qartë, partia në pushtet, Vetëvendosja, miratoi atë rregullore dy ose tre vjet më parë në të cilën thuhet qartë se shumica e deputetëve nga radhët e pakicës serbe nominojnë një kandidat për nënkryetar dhe ai zgjidhet me shumicë votash. Nuk kishte asgjë të diskutueshme, ata vetë e miratuan atë rregullore të re dhe Gjykata Kushtetuese iu referua vetëm si argumenti kryesor”, tha Maliqi për Kosovo online.
Ai thotë se ka pasur “mjaft lojëra” nga partia në pushtet për të shtyrë procesin e konstituimit të Kuvendit të Kosovës, por edhe të kthimit të serbëve në veri në institucionet e Kosovës.
Siç theksoi ai, kryeministri i Kosovës në mandat teknik, Albin Kurti, ka plan të pengojë Planin e Ahtisaarit dhe të gjitha obligimet që rrjedhin prej tij, por se kjo nuk do t’i shkojë në favor.
“Tani duhet të rivendoset rendi kushtetues. Mendoj se edhe vetë Kurti po i pengon të gjitha këto, sepse ndoshta ka plane të tjera, për të vënë në pikëpyetje rendin kushtetues dhe Planin e Ahtisaarit dhe gjithçka që rrjedh prej tij. Mendoj se kjo nuk do të kalojë, dhe as që duhet”, përfundoi Maliqi.
komentet