Çmimet dhe fuqia blerëse në rajon: Çfarë masash po merren?
Çmimet e një numri të madh produktesh në dyqane janë jorealeisht të larta, bien dakord qytetarët në të gjithë rajonin, ndërsa mbrojtësit e konsumatorëve shpesh janë të prirur të thonë se nganjëherë rritja e çmimeve është edhe abuzive. Shtetet, secila në mënyrën e vet, po ndërmarrin masa për përmirësimin e standardit të qytetarëve – duke rritur pagën minimale, duke dhënë ndihma sociale ose duke kufizuar marzhet tregtare. A ka ndonjë formulë fituese për një periudhë afatgjatë?
Shkruan: Dushica Radeka Gjorgjeviq
Në luftën kundër rritjes së pajustifikuar të çmimeve, qeveria hungareze në maj ndërmori masa të drejtuara ndaj produkteve shtëpiake jotë ushqimore, duke detyruar shitësit me pakicë të kufizonin marzhet për 30 kategori produktesh në 15 për qind. Para kësaj, në mars ishte nisur programi për uljen e çmimeve për 30 kategori bazë ushqimore.
Një qasje të ngjashme ka zgjedhur edhe Qeveria e Serbisë duke kufizuar marzhet tregtare për 23 grupe produktesh në maksimum 20 për qind për gjashtë muajt e ardhshëm.
Autoritetet në Shkup po e mbështesin fuqinë blerëse të qytetarëve me transferta sociale, ndërsa Shqipëria, sipas Granit Sokolajt, drejtor ekzekutiv i qendrës „Alert“ për mbrojtjen e konsumatorit nga Tirana, nuk po ndërmerr asnjë iniciativë për të frenuar rritjen e çmimeve.
Në të njëjtën kohë, ekspertët në Kosovë paralajmërojnë se „cunamí“ i shtrenjtimit ende nuk ka ardhur, i nxitur nga vendimi i autoriteteve për të liberalizuar tregun e energjisë elektrike.
Profesori i ekonomisë Shkumbin Misini vlerëson se liberalizimi i tregut të energjisë elektrike është një gjë e mirë, por se institucionet kompetente të Kosovës është dashur ta shtyjnë vendimin për futjen e tregut të lirë të rrymës të paktën për një vit, sepse me të kanë ardhur edhe kosto shumë më të larta.
Ai thekson se për disa kompani çmimet e energjisë elektrike janë rritur deri në 300 për qind.
„Rasti më i fundit është një kompani, pronari i së cilës deklaroi se me rritjen e çmimit të energjisë elektrike rriten edhe kostot e biznesit, e me këtë edhe çmimet. Kur konsumatori sheh çmimet e produkteve të tjera që janë më të lira, kjo automatikisht i bën ndërmarrjet kosovare jokonkurruese. Kjo ndikon në largimin e fuqisë punëtore, sepse kur qarkullimi është më i vogël, ndërmarrjet e ulin numrin e punëtorëve, gjë që ndikon drejtpërdrejt në treguesit makroekonomikë. Kur qarkullimi është më i vogël, paguhen më pak taksa, e kjo ndikon drejtpërdrejt në uljen e buxhetit të Kosovës“, ka deklaruar Misini për Kosovo online.
Sipas vendimit të Qeverisë së Serbisë, nga 1 shtatori, në fuqi është një dekret qëllimi i të cilit është parandalimi i rritjes së tepërt të çmimeve të mallrave.
Ndihmësdrejtori i Sektorit për analiza strategjike, shërbime dhe internacionalizim të Odës Ekonomike të Serbisë, Bojan Staniq, thotë se masat që ka ndërmarrë Qeveria e Serbisë për kufizimin e marzhave tregtare duhet të japin rezultat në një afat të shkurtër dhe se do të realizohen kursime të caktuara, por që nuk mund të vijë deri te rënia e përgjithshme e çmimeve.
„Masat e Qeverisë së Serbisë janë të orientuara te 23 grupe produktesh që lidhen me konsumin e përditshëm – produkte ushqimore, higjiena personale, pastrimi... Tashmë është e dukshme se çmimet në këto grupe produktesh kanë rënë. Megjithatë, nëse e shohim normën e inflacionit, e cila aktualisht është jashtë kornizës së Bankës Kombëtare të Serbisë që është deri në 4,5 për qind, ndërsa inflacioni është aktualisht 4,9 për qind dhe nuk është ndjeshëm i rritur, është fakt se kjo nuk mund të shkaktojë deflacion, pra të vijë deri te një rënie e përgjithshme e çmimeve“, shpjegon Staniq për Kosovo online.
Falë këtyre masave, siç shton ai, do të arrihen kursime të caktuara, por nga ana tjetër, ato nuk do të kenë ndonjë ndikim të madh në BPV. Njerëzit që do të kursejnë, siç thotë ai, nuk do t’i investojnë paratë e kursyera në mallra luksoze ose „në shufra ari“, por paratë e kursyera do t’i përdorin përsëri për konsum, gjë që nuk do të reflektohet në BPV.
„Kur flasim për opsionet afatgjata se si të rritet standardi i jetesës, kjo nënkupton para së gjithash përshpejtimin e aktivitetit ekonomik në vend dhe rritjen reale të pagave në mënyrë që të ringjallet fuqia blerëse e popullsisë dhe kështu të ngrihet standardi i jetesës. Kjo në rrethanat aktuale nuk është e mundur, duke pasur parasysh ngadalësimin e ekonomisë evropiane, e cila është partneri ynë kryesor tregtar i jashtëm dhe faktin që ekziston pasiguri e lidhur me luftërat tregtare dhe me atë se çfarë do të ndodhë në tregun e energjisë, prandaj në këtë drejtim të gjithë i drejtohen vitit 2027 kur pritet rimëkëmbja evropiane“, thekson bashkëbiseduesi ynë.
Shtresëzimi i popullsisë
Staniq thekson se aktiviteti ekonomik në Serbi bazohet kryesisht në projektet infrastrukturore dhe se ekziston rritje reale e pagave, por edhe vëren se si pasojë e rritjes së përshpejtuar ekonomike dhjetëvjeçare ka ardhur deri te njëfarë shtresëzimi i popullsisë dhe se ekziston një grup më i vogël njerëzish që tërheq mesataren, ndërsa nga ana tjetër është shumica.
„Kjo nuk është vetëm rast në Serbi, por edhe në rajonin më të gjerë. Edhe këto masa që Qeveria ka zbatuar në Serbi janë bazuar edhe në praktikat që janë zbatuar në disa vende të Bashkimit Evropian si Hungaria dhe Rumania“, thotë Staniq.
Ai shpjegon se zinxhiri i formimit të çmimeve, nga prodhimi primar bujqësor deri te raftet në tregtinë me pakicë, është shumë kompleks dhe se fajësia për rritjen e çmimeve nuk mund të hidhet vetëm mbi një anë.
Ai thekson gjithashtu se nëse masat për kufizimin e marzhave tregtare do të zgjasnin më shumë se gjashtë muaj, kjo do të sillte pasoja më të mëdha për tregun e shitjes me pakicë.
„Këto masa gjashtëmujore do të kenë një efekt negativ në tregun me pakicë, duke pasur parasysh se marzha nga çmimi i blerjes deri te çmimi i shitjes nuk është vetëm fitim i dyqaneve, por nga ajo mbulohen edhe kostot në rritje të fuqisë punëtore, qirasë dhe energjisë elektrike. Nëse masat do të zgjasnin më shumë se gjashtë muaj, në një moment patjetër do të ndodhte efekt i derdhjes te hallkat e tjera të zinxhirit, pra te përpunimi dhe shpërndarja dhe në fund te prodhimi primar, i cili, sipas Odës Ekonomike, është nën presionin më të madh për shkak të një sistemi joefikas të prodhimit, nivelit të zhvillimit më të ulët krahasuar me mesataren evropiane, si dhe qasjes së kufizuar në subvencione dhe infrastrukturë që mbështet prodhimin bujqësor...“, thotë ai.
Ai thekson se masat e Qeverisë duhet të japin rezultat në një periudhë të shkurtër dhe se ato janë mbështetje për popullatën, por se tregu duhet të funksionojë mbi parimet e marrëdhënies së lirë të ofertës dhe kërkesës.
Monopolet dhe rritja fiktive e çmimeve
Rritja e çmimeve në Shqipëri është „artificiale dhe abuzive“, është i bindur Granit Sokolaj, drejtor ekzekutiv i qendrës „Alert“.
Shqipëria, sipas tij, nuk po ndërmerr asnjë iniciativë për të ndaluar rritjen e çmimeve dhe është ndoshta një nga të paktat vende në Evropë që nuk ka asnjë kategori bazë ushqimore, çmimet e së cilës kontrollohen nga shteti.
Sokolaj thotë për Kosovo online se qytetarët në Shqipëri ankohen për rritjen e çmimeve, si dhe se të dhënat e Institutit të Statistikave për korrik 2025, pasi të dhënat për gusht ende nuk janë publikuar, tregojnë se ekziston një rritje shqetësuese e çmimeve krahasuar me korrikun e vitit të kaluar.
„Nëse i referohemi të dhënave zyrtare të Institutit të Statistikave për korrik 2025, krahasuar me korrikun e një viti më parë, vetëm sektori i argëtimit dhe kulturës ka një rritje prej 7,7 për qind. Dikush mund të thotë pse më shqetëson argëtimi dhe kultura? Më shqetëson sepse është pjesë e jetës së qytetarëve, dhe kjo shumë njerëzve që kanë probleme ekonomike ua heq kënaqësitë e jetës. Nëse flasim për produktet ushqimore të përditshme, ushqimet dhe pijet joalkoolike janë shtrenjtuar me 3,2 për qind. Shërbimet telefonike janë rritur me 7,5 për qind krahasuar me korrikun 2024 për shkak të monopolizimit të tregut, pasi kemi vetëm dy kompani telefonike që merren vesh për çmimet, paketat dhe të ngjashme. Kjo është një situatë e pakëndshme për shqiptarët“, thotë ai.
Sipas raportit të Organizatës Botërore të Ushqimit,siç thekson, shqiptarët janë populli me nivelin më të ulët të ushqyerjes në Evropë.
"Paqushqyerja do të thotë që ata nuk marrin ushqim të mjaftueshëm. Është një çështje tjetër nëse flasim për paqushqyerje dhe probleme me cilësinë e ushqimit. Ajo që po them është se njerëzit nuk po marrin ushqim të mjaftueshëm. Kjo është vërtet e trishtueshme. Kemi çmime në rritje dhe kjo do të thotë që shqiptarët nuk kanë qasje të mjaftueshme në ushqim. Nga ana tjetër, ne jemi ndoshta një nga vendet e pakta në Evropë që nuk kemi një kategori bazë ushqimore, çmimet e së cilës kontrollohen nga shteti. Shqiptarët as nuk e kanë idenë se çfarë supozohet të jenë ato mallra bazë. Ne themi 'bukë', por mallrat bazë përfshijnë edhe karburantin për ngrohje, produktet e higjienës...Është e paimagjinueshme që njerëzit të mos jenë në gjendje të blejnë detergjentë për higjienë në vitin 2025. Kjo nuk është aspak një situatë normale për qytetarët", thotë Sokolaj.
E vetmja gjë që nuk është shtrenjtuar, thotë ai, është rryma.
Duke theksuar se Shqipëria nuk po merr asnjë iniciativë për të parandaluar rritjen e çmimeve, ai kujton se gjatë pandemisë së koronavirusit, Maqedonia e Veriut urdhëroi dyqanet, tregjet dhe supermarketet të ngrinin çmimet për një periudhë tre-mujore, sepse gjatë pandemisë pati një rritje masive të çmimeve në të gjithë botën.
"Ndoshta iniciativa maqedonase ishte diçka e vogël, por ishte e dobishme për konsumatorët. Nuk ka iniciativa të tilla në Shqipëri. As për kontrollin e abuzimit me çmimet dhe hapjen e tregut. Për shembull, sot në Shqipëri tregu i frutave dhe perimeve është monopol. Produktet shkojnë në dy ose tre tregje, ku çmimi rritet në mënyrë fiktive dhe konsumatori i blen ato dhjetë herë më shtrenjtë sesa i shet fermeri që prodhon fruta dhe perime", thekson bashkëbiseduesi ynë.
Sipas tij, nuk ka politika shtetërore për subvencionimin e sektorëve të ndryshëm të ekonomisë që ndikojnë në çmimin në treg, ndërsa shumë vende të tjera në rajon kanë një politikë të tillë.
"Maqedonia e Veriut e ka, Kosova e ka, besoj se Serbia e ka sepse buxhetet e Serbisë për subvencione, të paktën në bujqësi, që nga dy ose tre vjet më parë, janë më shumë se 500 milionë euro. Sot ato duhet të jenë më të larta, dhe kjo lidhet drejtpërdrejt me prodhimin vendas dhe ushqimin. Ne nuk kemi një vendim qeveritar që përcakton se cilat produkte janë të nevojshme për qytetarët dhe më pas ul taksën e vlerës së shtuar për ato produkte. Të paktën vetëm për këto. Kosova e ka këtë taksë prej 6 përqind, Maqedonia 5 ose 6 përqind. Ne kemi 20 përqind", thekson Sokolaj.
Analisti ekonomik nga Shkupi, Abil Baush, thotë se në Maqedoninë e Veriut inflacioni muajin e kaluar ishte 4,8 për qind dhe se kishte paralajmërime se do të shkohej drejt uljes në dy për qind, sa ishte më herët, por, sipas vlerësimit të tij, nëse nuk merren masa serioze si reformat strukturore afatgjata dhe mbrojtja e kategorive më të cenueshme përmes transfereve sociale dhe uljes së taksave, efekti nuk do të jetë i shpejtë.
Efektet afatgjata me investimet
Ai thekson se ky vend ndërmerr masa të caktuara për përmirësimin e standardit të qytetarëve siç janë rritja e pagës minimale apo transferet sociale, por se ato ushtrojnë presion mbi inflacionin. Inflacioni, sipas tij, rrit çmimet dhe standardi i qytetarëve bie.
„Çmimet janë rritur për 38 për qind në krahasim me rritjen e pagave, e cila këtë vit ishte deri në 7,7 për qind. Pra, inflacioni e ha rritjen e pagave nëse nuk ka aktivitet ekonomik në vend dhe nëse nuk përballemi me sfidat që ekzistojnë. Do të mbetemi në këtë pozitë dhe natyrisht do ta ulim inflacionin, por kjo do të ndodhë mbi kurrizin e të gjithëve ne“, thotë Baush për Kosovo online.
Ai shton se në Maqedoninë e Veriut nuk ka likuiditet në ndërmarrje, ndërsa nga ana tjetër, në mënyrë paradoksale, bankat tregtare janë shumë likuide.
Nëse nuk merren masa për të rritur kapacitetin investues të ndërmarrjeve, atëherë, sipas tij, do të hyhet në një situatë ku nuk do të mund të arrihen kurrfarë arritjesh ekonomike.
„Pra, do të duhet të fillojmë të shohim gjërat në mënyrë më rrezikshme, të fillojmë të investojmë pak më shumë në disa ndërmarrje. Të shohim nëse mund të përfshijmë këtu organizatat startup, nëse mund të jemi inovativë në këtë sektor. A mund, për shembull, subvencionet në bujqësi të kenë efekt më të madh? Ato nuk janë më shumë se 300 milionë euro në vit në agroindustri, dhe kjo mund të përfshihet në modernizimin e prodhimit të ushqimit. Nëse ndërmarrim një set të integruar masash me digjitalizimin, me një strategji të mirë, me uljen e disa tatimeve për këto sektorë dhe me investime në këto sektorë, do të kishim efekte më të mira afatgjata“, beson ai.
Në prodhimin e ushqimit, siç pohon ai, ky vend varet nga importet.
"Ndoshta kjo tingëllon arkaike, por nëse fillojmë të prodhojmë ushqim vetë me trendet moderne, mund të jemi në gjendje të prodhojmë një teknologji dhe industri të re. Mund të jemi konkurrues në treg për produkte të caktuara, nëse e bëjmë këtë në planin afatgjatë, do të kemi vërtet rezultate të mira. Kjo është e vetmja gjë që mund të bëjmë, të investojmë në investime të zgjuara kapitale. Duhet të ndërtojmë korridore, por jo me çdo kusht, por korridore që do të japin rezultate, tregje të reja e të ngjashme," përfundon Baush.
0 komentet