Kosova mbetet në masë të madhe pa punëtorë, çfarë vjen pas liberalizimit të vizave?
Për shkak të standardit të ulët, situatës së paqëndrueshme politike dhe krizave të vazhdueshme të sigurisë, Kosova në masë të madhe mbetet pa popullsi në moshë pune, ndërsa eksod i vërtetë mund të ndodhë nga 1 janari, kur hyn në fuqi liberalizimi i vizave për udhëtimet në vendet e Bashkimit Europian. Siç paralajmërojnë bashkëbiseduesit Kosovo Onlajn, ekspertët e ekonomisë nga Prishtina, tregu i punës ka filluar të “importojë” fuqi punëtore kryesisht nga vendet aziatike, Bangladeshi, Pakistani dhe India, dhe vlerësohet se vitin e ardhshëm rrugës drejt vendeve perëndimore mund të lëvizin më shumë se 150 mijë punëtorë nga Kosova.
Këto numra alarmantë i ka vënë në dukje së fundi Aleanca e Bizneseve të Kosovës duke theksuar se gjatë viteve 2022 dhe 2021, gati 110.000 qytetarë të Kosovës me profesione të ndryshme, kanë braktisur Kosovën me viza pune, ndërsa deri në fund të këtij viti do të largohen rreth 50 mijë. Theksojnë se punëtorët po largohen për shkak të kushteve të këqija të punës dhe pagave të ulëta.
Presidenti i Aleancës së Bizneseve Agim Shahini ka thënë se sipas të dhënave në të cilat aleanca disponon, shkalla e papunësisë në Kosovë arriti në 35% por edhe përveç kësaj, Kosova "importon" fuqi punëtore pasi punëtorët vendas nuk duan të punojnë me paga të ulëta, veçse janë të vendosur të punojnë për jetë më të mirë jashtë shtetit.
Shahini për Kosovo onlajn ka thënë se punëtorët e huaj kryesisht vijnë nga Turqia, India, Bangladeshi ndërsa vendasit shkojnë drejt Gjermanisë.
"Shkalla e papunësisë në Kosovë sipas të dhënave zyrtare, është më shumë se 20%, ndërsa sipas të dhënave joqyrtare shkon mbi 35%. Ne 'importojmë' fuqi punëtore prej disa vendeve, zakonisht nga Turqia, India dhe Bangladeshi. Ata vijnë në Kosovë për punë, dhe arsyeja përse punëtorët tanë nuk punojnë edhe me këtë papunësi, është sepse ata kanë të tillë standart jetese, marrin ndihmë nga familjarët prej diasporës dhe nuk duan të punojnë me paga të ulëta" thotë Shahini.
Ky i fundit thekson se pas liberalizimit të vizave për vendet e BE e cila hyn në fuqi më 1 janar të vitit të ardhshëm, do të vijë vala e largimeve e punonjësve të gatshëm nga Kosova.
"Të rinjtë presin 1 janarin e vitit 2024 të largohen në vendet e Europës për të kërkuar jetë dhe standart më të mirë. Më shumë largohen apo planifikojnë të largohen drejt Gjermanisë, si pasojë e ligjit të liberalizimit të tregut të punës i cili ka hyrë në fuqi në dhjetor dhe ku çdo punëtor apo turist nga Ballkani ku në këtë vend gjen punë, me procedurë të përshpejtuar do të ketë leje të nevojshme për qëndrim dhe punë. Fillimisht shkon tek kompania ku ka gjetur punë, pastaj në komunë dhe ata i japin vizën e punës në afat brenda një muaji. Ne si Aleancë e Bizneseve të Kosovës, i kemi paralajmëruar biznesmenët se nëse duam t’a mbajmë fuqinë punëtore, duhet të rrisim pagat dhe se kjo është e vetmja mënyrë” thotë Shahini.
Ky i fundit shton se vlerësohet se pas hyrjes në fuqi të liberalizimit të vizave, prej Kosovës do të largohen 150.000 njerëz çka për Kosovën është numër shumë i madh.
"Nëse marrim një mesatare, në vitin 2021 u larguan më shumë se 55.000 punëtorë me leje pune për në Gjermani. Në vitin 2022 rreth 60.000 njerëz të profesioneve të ndryshme u larguan por më shumë ata që janë të trajnuar për punë. Jashtë shtetit marrin rrogë pesë herë më shumë sesa në Kosovë. Sipas hulumtimeve të cilat i kemi bërë, për vitin 2024 do të kemi një numër prej 150.000 njerëzish që do të largohen nga Kosova drejt vendeve të BE, çka për ne është numër mjaft i lartë pasi jemi të vegjël dhe kemi numër të vogël qytetarësh, prandaj do të kemi mungesë të konsumatorëve, votuesve dhe fuqisë punëtore”, tha Shahini.
Pyetjes nëse ka ndikuar politika e Qeverisë së Kosovës për largimin e të rinjve, duke pasur parasysh marrëdhëniet e pazgjidhura me Sërbinë dhe bllokimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, Shahini thotë se të dyja qeveritë si të Sërbisë si të Kosovës, duhet të gjejnë strategji për mbajtjen e të rinjve.
“Qeveria e Sërbisë dhe Qeveria e Kosovës duhet të kenë parasysh se, sipas hulumtimit të bërë nga Eurostat, largimi i qytetarëve si nga Kosova ashtu edhe nga Sërbia është i madh. Deri në vitin 2030 Sërbia do të ketë rreth pesë milionë qytetarë, kurse Kosova më pak se një milion. Të dy qeveritë duhet të krijojnë strategji për të mbajtur të rinjtë. Nëse kjo vazhdon, do të kemi një numër edhe më të madh largimesh, si nga Sërbia ashtu edhe nga Kosova. Kështu që sa më shpejt të zgjidhen këto marrëdhënie, aq më mirë për ekonominë dhe qytetarët” përmbylli Shahini.
Që Kosova vitet e fundit është “e varurr nga importi" i punonjësve që vijnë nga Turqia, Bangladeshi, Pakistani, India dhe vende të tjera, pasi krahu vendas i punës shkon jashtë vendit, për Kosovo Onlajn shprehet eksperti ekonomik Safet Gërxhaliu dhe paralajmëron se ky problem mund të eskalojë pas 1 janarit me nisjen e zbatimit të liberalizimit të vizave me vendet e BE.
Siç shprehet Gërxhaliu, nga Kosova më shumë largohen të rinjtë dhe këtu njo vetëm ata që janë të papunë apo në situatë të rënduar sociale, por edhe të arsimuarit ndërsa sektori privat do të ngelet pa fuqi punëtore.
"Ajo çka është gjëja më e rëndë, është se përveç faktit që ishim vend importues i varur nga produkte dhe shërbime të ndryshme, tani jemi të varur nga importi i fuqisë punëtore. Kryesisht, sipas disa të dhënave jozyrtare, kemi punonjës nga Turqia, Bangladeshi, Pakistani dhe India. Nëse ky trend vazhdon, numri i tyre do të rritet çdo vit. Duke pasur parasysh që nga janari do të kemi liberalizimin e vizave, kam frikë se në një afat të shkurtër do të kemi eksod të madh, sepse një numër i madh i të rinjve do të përpiqen të shkojnë në perëndim dhe të gjejnë punë” thotë Gërxhaliu.
Problemi më i madh thekson ai, është se prej Kosovës largohen të rinj pas mbarimit të shkollës së mesme apo fakultetit, e mes tyre më shumë janë ata me profesion mjeku por edhe ekspertë të IT.
"Prej Kosovës largohen jo vetëm ata që janë të papunë dhe raste sociale, por largohen dhe njerëz të shkolluar, largohen madje dhe familje të cilat kanë paga të mira dhe jetë të mirë, pasi i tremben të ardhmes së tyre. Kur bie fjala për sigurinë, shëndetësinë, arsimin, gjithkush kërkon kushte të mira. Ky është ai problem i madh, çka do të ndodhë në të ardhmen me sektorin privat e sidomos, kur bëhet fjalë për planifikimin e zhvillimit ekonomik, si do të arrihet përmes importit të fuqisë punëtore. Apo si do të arrihet zhvillimi ekonomik kur eksportojmë fuqi punëtore cilësore dhe të arsimuar” pyet Gërxhaliu.
Ky i fundit pretendon se njerëzit nga Kosova kryesisht largohen në Gjermani, Austri, Zvicër, por edhe në Slloveni, Itali, Kroaci...
"Europa plakë ka nevojë për forcë të re punëtore, të rinjtë në këtë kontekst, fatkeqsisht, për shkak të paqëndrueshmërisë politike dhe gjithçkaje që po ndodh në këto zona, vendet e Ballkanit Perëndimor, janë bërë 'shtete të arratisura' dhe ky është shërbimi më i mirë që mund të bëjmë për zhvillimin e vendeve të BE dhe Evropën”, tha Gërxhaliu.
Pavarësisht paralajmërimeve të ekspertëve se do të ketë largim masiv të punëtorëve, Gërxhaliu pretendon se askush nuk e kuptoi seriozitetin e situatës.
“Në këtë kontekst duhet të mësojmë një gjë, se është shumë më mirë të parandalojmë disa gjëra sesa t'i kurojmë. Nëse do të kishim zhvillim ekonomik në nivel të dëshirueshëm, nëse do të kishim arsimim sipas nevojave të tregut të punës, investimeve të huaja, sigurisht që nuk do të ishim këtu ku jemi. Na pasojnë sfida të mëdha, por shpresoj që të rinjtë të kuptojnë se Europa nuk është më ajo që ishte dikur, se do të shijojnë 'frutin e ndaluar' dhe se do të kthehen këtu ndonjë ditë, pasi perspektiva duhet të ndërtohet aty ku je, jo atje ku dëshiron të jesh" thekson Gërxhaliu.
0 komentet