A ndodhen në duart e Vjosa Osmanit çelësat për zgjidhjen e kolapsit politik?

osmani izbori
Burim: Kosovo Online

Përsëritja e kandidaturës së Albulena Haxhiut çdo herë, për të cilën Vetëvendosja nuk mundi as herën e pestë të siguronte 61 vota për t’u zgjedhur kryetare e kuvendit kosovar, ngriti pyetjen nëse zgjidhja e kësaj nyje gordiane është në duart e presidentes Vjosa Osmani? Ajo, sipas analistëve, mund të kërkojë rekomandimin e Gjykatës Kushtetuese për situatën në të cilën Kosova gjendet pas zgjedhjeve të mbajtura më 9 shkurt ku më pas do të ishte i vlefshëm për të njëjtat raste që eventualisht do të ndodhin në të ardhmen.

Shkruar nga: Dushica Radeka Gjorgjeviq

Ajo çka do të kishte rëndësi vendimtare është-se si do të formulohej pyetja në të cilën Osmani do t’i dërgonte gjykatës. Do të duhej të formulohej kështu që përgjigjja e gjykatës të përmbante udhëzime të qarta që do të sqaronin afatin për zgjedhjen e kryetarit të Parlamentit dhe të nënkryetarëve dhe në cilin rast pasojnë zgjedhjet e reja dhe që janë pikat rreth të cilave po thyhen shtizat këto ditë në Prishtinë.

Të tillë veprim mund të paraprihet nga konsultimet me partitë politike.

Instituti Demokratik i Kosovës, konkretisht, i ka bërë thirrje presidentes që të marrë iniciativën dhe të thërrasë takim urgjent me liderët e partive parlamentare, sesi të bisedohet rreth zgjidhjeve të mundshme të krizës, duke vlerësuar se Kuvendi ka hyrë në cikël absurd seancash të përsëritura çdo 48 orë pa asnjë rezultat.

Më pas, nga zyra e saj u njoftua se ajo është e gatshme për një takim të tillë.

“Presidentja Osmani ka shprehur gatishmërinë e saj të plotë për konsultime me liderët e partive sa herë që ata e konsiderojnë të nevojshme”, u njoftua nga Presidenca të premten.

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Daut Haradinaj ka thënë se pas votimit të sotshëm të dështuar, beson se do të ishte "shumë e përshtatshme" që presidentja të ftonte partitë parlamentare në takim, ndërsa partneri i tyre i koalicionit, kreu i Iniciativës Socialdemokrate (Nisma), Fatmir Limaj, tha se nëse ftohej, do të merrte pjesë në takim me presidenten, por sipas tij, ajo nuk ka asnjë rol në rrethanat aktuale politike.

Analisti politik Artan Muhaxhiri thotë për Kosovo onlajn se në situatën kur është i bllokuar konstituimi i parlamentit, presidentja Vjosa Osmani nuk ka fuqi politike që të imponojë ndonjë zgjidhje, por do të mund të ketë rol shumë të rëndësishëm nëse do t’a referonte çështjen tek Gjykata Kushtetuese dhe të kërkonte opinionin e saj.

“Kjo është mënyra më e mirë që ky bllokim të zgjidhet dhe nëse përsëritet e njëjta situatë në të ardhmen, do të kishim zgjidhje. Situatë të ngjashme me bllokim kemi patur në vitin 2014 dhe atëherë këtë e zgjidhi Gjykata Kushtetuese” ka thënë Muhaxhiri. 

Ky i fundit shtoi se nuk mendon se partitë politike do t’a dëgjonin nëse Osmani do të kishte disa propozime, por që do të ishte ndryshe nëse ajo do të kërkonte opinionin e Gjykatës Kushtetuese.

“Kjo nga ana e saj, do të ishte veprimi më i mirë jo vetëm për këtë situatë, por edhe për të ardhmen” thotë Muhaxhiri.

Nëse nuk do të zgjidhet kjo situatë në Kuvend atëherë presidentja Vjosa Osmani duhet të nisë rastin drejt Gjykatës Kushtetuese thotë dhe profesori universitar Mazllëm Baraliu.

Sipas fjalëve të tij, qorrsokaku kuvendor nuk mund të vazhdohet më të zgjatet.

“Detyra e kësaj klase politike e veçanërisht partitë fituese që fituan mandatet në Kuvend, është gjetja e zgjidhjes për të mos vazhduar pambarimisht. Zgjidhjet përherë egzistojnë kur egziston vullneti, mirëkuptimi dhe vetdija e përgjegjësisë së lartë politike e shtetërore e subjekteve politike. Nëse nuk ndodh kjo, atëherë presidentja ka të drejtën kushtetuese që t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese dhe këtë duhet t’a bëjë nëse kjo odise vijon pafund” ka thënë Baraliu.

Drejtori programues i organizatës “Rruga e tretë e re” Dimitrije Miliq thotë se presidentja e Kosovës Vjosa Osmani mund të ndihmojë në zgjidhjen e krizës politike në Prishtinë por bën të ditur se çështja është nëse për këtë do të ketë forcën politike.

Miliq thekson se sipas anketimeve të opinionit publik, Osmani është një nga figurat më popullore në Kosovë dhe se definitivisht ka mbështetje solide perëndimore  si amerikane dhe europiane në veprimtarinë e saj çka mund të shikohet dhe tek vizitat jashtë shtetit.

“Supozoj se aktorët perëndimorë kanë lloj të caktuar besimi se Osmani mund të ndihmojë në zgjidhjen e këtyre krizave politike, por problemi është më i gjerë se kaq, kështu që mundësitë e saja do të jenë të kufizuara në raport me gatishmëritë personale dhe perceptimin e aktorëve politikë në Kosovë, a është ajo tërësisht objektive dhe nëse mund të jetë një lloj ndërmjetësuese mes fraksioneve politike që janë të përfshira. Do të thoja se ajo më shumë mund të jetë më e dobishme sesa e dëmshme, por çështja është që në cilin nivel shkojnë kapacitetet e saja” tha Miliq.  ka theksuar Miliq për Kosovo Onlajn.