A po bëhet Kosova “qendër për kthimin” e migrantëve dhe të burgosurve nga BE-ja?

Migranti, zatvorenici, Kosovo
Burim: Kosovo Online

Kur nuk dinë ç’të bëjnë me ta, më e mençura është t’i dërgojnë në “vende të treta”. Shtetet e BE-së janë duke shqyrtuar mundësinë që të gjithë migrantët të cilëve u është refuzuar azili, ose për të cilët procesi nuk ka përfunduar ende, t’i zhvendosin nga territori i tyre në të ashtuquajturat “qendra për kthim”. Kosova, pasi është konfirmuar se do të “strehojë” të burgosur nga Danimarka, është gjithashtu një nga destinacionet për azilkërkues që po shqyrtohet nga Mbretëria e Bashkuar. Perëndimi dëshiron të zgjidhë një “problem të nxehtë”, ndërsa Prishtina e sheh këtë si një mundësi për t’u afruar më shumë me aleatët, vlerësojnë bashkëbiseduesit e Kosovo online.

Shkruan: Gjorgje Baroviq

Sipas njoftimit të shërbimit danez të burgjeve, të dënuarit e parë nga ky vend do të transferohen në Kosovë, në burgun e Gjilanit, në vitin 2027.

Kështu janë tejkaluar të gjitha dilemat e organizatave për të drejtat e njeriut dhe vëzhguesve të institucioneve korrektuese në lidhje me kushtet e qëndrimit të 300 të burgosurve nga Danimarka, por edhe të 200 të tjerëve që tashmë po vuajnë dënimin në burgun e paraparë për ta.

Ndërkohë, Mbretëria e Bashkuar po shqyrton që pikërisht Kosova të jetë një nga destinacionet për migrantët që ndodhen në këtë vend, por që u është refuzuar kërkesa për azil.

Dhe nuk është e vetmja që mendon ta zgjidhë “problemin në shtëpinë e vet” në këtë mënyrë.

Sipas Bloomberg, edhe qeveria amerikane do t’u kërkojë vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe Serbinë, të pranojnë migrantët e deportuar nga SHBA-ja.

Megjithatë, kjo ide ka “përvëluar” në BE prej muajsh.

Në fund të tetorit të vitit të kaluar, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Lajen, në një letër drejtuar liderëve të BE-së, bëri thirrje për shqyrtimin e mundësisë së formimit të “qendrave për kthim” jashtë Bashkimit.

Ballkani Perëndimor u “targetua” menjëherë, por një zyrtar i lartë i CDU-së deklaroi atëherë se ky rajon “nuk është i përshtatshëm” për një ide të tillë.

Me rikthimin e kësaj teme në diskutim, Ballkani u përfshi sërish si opsion, ndërsa zyrtarët e Prishtinës menjëherë deklaruan se janë “të hapur për bisedime”.

Zëdhënësi i qeverisë, Përparim Kryeziu, në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, tha se Kosova “dëshiron të ndihmojë Mbretërinë e Bashkuar, mikun, partnerin dhe aleatin tonë, si dhe qeverinë e saj laburiste”.

“Besojmë se është e drejtë të themi se mund të fillojmë diskutimet mbi këtë temë, por të gjitha institucionet tona shtetërore duhet të jenë të përfshira dhe atëherë vendimi do të varet nga rekomandimet e tyre. Në shumë pyetje do të duhet të përgjigjemi paraprakisht”, tha Kryeziu.

Kutia e Pandorës

Drejtori i Qendrës për Ndihmë për Azilkërkuesit, Radosh Gjuroviq, thotë në një intervistë për Kosovo online se pranimi i të burgosurve nga Danimarka ka hapur kutinë e Pandorës sepse shumë vende të BE-së tani po e konsiderojnë Kosovën si një nga qendrat për strehimin e të gjithë atyre migrantëve të cilëve u është refuzuar azili.

„Do të thosha se kjo marrëveshje me Danimarkën për dërgimin e personave të dënuar për të vuajtur dënimin në Kosovë, në fakt ka hapur mundësi që shumë vende të mendojnë se është e mundur që në vend të të dënuarve, të strehohen atje edhe migrantë, refugjatë. Kjo është ajo që ka hapur këtë kuti të Pandorës. Por, është e diskutueshme nëse autoritetet kosovare apo ndonjë tjetër në Ballkan do të hynin kaq lehtë në këto marrëveshje kur bëhet fjalë për migrantët“, beson Gjuroviq.


Ai shpjegon se hapja e kampeve të pranimit për migrantë jashtë territorit të vendeve të destinacionit, përfshirë edhe BE-në, ka për qëllim të dërgojë një “mesazh të qartë” për të gjithë ata që duan të vijnë në Evropë – se do të përballen me një sërë problemesh dhe se “nuk do të mund të qëndrojnë aq lehtë”.

„Dua të kujtoj se Evropa ka një problem kronik me kthimin e personave që u është refuzuar azili në këto vende. Pra, ata persona që nuk kanë arsye të qëndrojnë në Evropë nuk mund të kthehen në vendin nga kanë ardhur për shkak të problemeve teknike dhe juridike, kështu që vetëm 20 për qind e atyre që janë refuzuar përfundimisht dhe që u është urdhëruar të largohen nga territori i BE-së, kanë arritur të kthehen në vendet e origjinës. Do të thosha se këto masa me kampet dhe zhvendosjen e njerëzve jashtë territorit ku mund të kërkojnë azil, në fqinjësi, në fakt janë një mesazh që njerëzit nuk mund të shpresojnë, nëse nuk janë me të vërtetë refugjatë, se do të qëndrojnë në Evropë“, thekson Gjuroviq.

Paralajmëron se një sërë specifikash në këtë formë të pranimit të migrantëve, dhe kryesorja është që migrantët e vendosur në këto qendra nuk mund të qëndrojnë aty përgjithmonë.

„Nevojitet një zgjidhje për këtë situatë. Njëra nga zgjidhjet do të ishte që njerëzit të kthehen në vendet e origjinës. Nuk besoj se Kosova ka kapacitete dhe marrëveshje të ripranimit për të zbatuar vendime të tilla“, beson Gjuroviq.

Pikërisht këtë aspekt ai e veçon si kyç për zbatimin e idesë së „qendrave për kthim“ jashtë zonës së BE-së.

„Në të ardhmen, kur flasim për këto qendra për kthim, jo vetëm në Kosovë, por edhe në rrethinën e BE-së, kjo do të nënkuptonte që të ekzistojnë kapacitetet për të kthyer ata njerëz nga ato qendra në vendet e tyre të origjinës, përkatësisht që shtetet që pranojnë të tilla qendra të kenë kapacitetin për të organizuar ripranimin“, precizon ai.

Arsyen e dytë e sheh në marrëveshjen për pranimin e migrantëve që Shqipëria ka nënshkruar me Italinë.

Megjithatë, ai nuk mendon se, edhe nëse Kosova do të arrinte një marrëveshje të ngjashme, kjo do të ishte shfrytëzim, por se gjithçka varet nga interesat, të cilat mund të jenë të ndryshme – nga ato ekonomike deri te ato gjeopolitike.

„Nuk do të flisja për shfrytëzim, sepse për marrëveshje të tilla lidhur me pranimin e migrantëve është e nevojshme pajtimi i të dyja palëve. Dhe, kjo është padyshim ashtu edhe në praktikë. Do të thotë, duhet të ekzistojë interes edhe nga ana që pranon dhe organizon këto qendra pritjeje. Ky interes mund të jetë financiar, ekonomik, politik, gjeopolitik apo ndonjë tjetër. Por, ato shtete që i pranojnë këto qendra duhet të jenë të motivuara që të përfshihen në marrëveshje të tilla. Nuk e shoh si një imponim“, vlerëson Gjuroviq.

Ai e sheh problemin kryesor të sigurisë në marrëveshje të tilla si fluksi i një numri të madh njerëzish që nuk mund të kthehen në vendet nga të cilat kanë ikur ose në ndonjë vend tjetër ku do të fillonin një jetë të re.

"Në situata të tilla, nuk ka kurrë kapacitet të mjaftueshëm për të pranuar të gjithë dhe për t'i mbajtur të mbyllur përgjithmonë. Kjo nuk është as ligjërisht e mundur. Kjo ndoshta do të përfshinte lirimin e atyre njerëzve, pastaj përpjekjen përsëri për të kaluar kufirin nëpërmjet rrugës ballkanike, duke përfshirë kontrabandën, dhe të gjitha në mënyrë që të njëjtët njerëz të arrijnë përsëri në vendet nga të cilat janë dëbuar dhe zhvendosur në Ballkan", thotë Gjuroviq.


Ai paralajmëron gjithashtu se në një situatë të tillë përfituesit e vetëm do të ishin kontrabandistët e njerëzve.

„Si pasojë e këtyre politikave të zhvendosjes së përgjegjësisë në vendet fqinje nga vendet e destinacionit është forcimi i kontrabandës. Padyshim, së bashku me 'push back-et' që ndodhin drejt vendeve të Ballkanit Perëndimor, ose me marrëveshje të tilla, në fakt vetëm kontrabanda po forcohet. Ajo po merr hov, sepse nevojat e kontrabandistëve po rriten. Këta njerëz nuk janë kthyer aty ku mund të fillojnë jetën nga e para. Ata thjesht janë ndalur në atë rrugë, e cila nuk është përfundimtare“, thekson Gjuroviq.

Dy aspekte

Nga ana tjetër, analisti politik nga Prishtina, Artan Muhaxhiri, beson se vendimi i Britanisë së Madhe për ta bërë Kosovën një nga "qendrat" e huaja të kthimit për migrantët do të tregonte partneritetin midis Londrës dhe Prishtinës, por se transparenca është e nevojshme në këtë proces dhe se shumë do të varet nga kapacitetet institucionale.

„Kjo çështje ka dy aspekte, politik dhe institucional. Sa i përket aspektit politik, ai është shumë i mirëseardhur sepse është mirë për Kosovën që Mbretëria e Bashkuar e sheh si partnere në punët e jashtme. Megjithatë, sa i përket kapaciteteve institucionale, ekziston një pikëpyetje e madhe“, thekson Muhaxhiri për Kosovo online.


Ai thekson se nuk dihet sa janë të përgatitura institucionet në Kosovë për një projekt të tillë, ndërsa problemi tjetër është transparenca e tij.

„Realiteti është që nuk e dimë sa janë të përgatitura institucionet tona, por shpresojmë që të ketë transparencë rreth kësaj çështjeje. Kjo mund të shfrytëzohet si një aspekt pozitiv, por gjithçka varet nga ajo se sa janë të përgatitura profesionalisht institucionet tona ose sa do të jenë, sepse kjo mund të jetë një mundësi shumë e mirë, por mund të shndërrohet edhe në një shans të humbur nëse nuk bëhet siç duhet“, beson kz analist.

Ai theksoi se Prishtina nuk duhet të përsërisë gabimet e bëra pas nënshkrimit të marrëveshjes për pranimin e të burgosurve nga Danimarka.

"Pati një mungesë të madhe transparence. Qeveria nuk i informoi qytetarët se si do të zgjidhej, cilat janë kapacitetet e kështu me radhë. Pra, krijoi një kontekst shumë negativ. Kjo është arsyeja pse mendoj se nuk duhet të ndodhë përsëri. Dhe qeveria, nëse dëshiron të marrë përfitimin maksimal nga kjo marrëveshje, atëherë duhet të jetë maksimalisht e përgatitur sepse është një çështje shumë delikate që nuk duhet të lihet jashtë vëmendjes", shpjegon Muhaxhiri.


Megjithatë, ai nuk mendon se ardhja e migrantëve do ta rrezikojë sigurinë e Kosovës, por as të Ballkanit Perëndimor.

„Ata do të jenë nën kontroll të rreptë“, thekson.

Ai shton se e njëjta vlen edhe për të burgosurit nga Danimarka, veçanërisht sa i përket sfidave financiare që sjell një marrëveshje e tillë.

„Qeveria e Kosovës do të duhet t’i sigurojë qytetarët se nuk do të ketë zhvendosje të burimeve financiare drejt këtij projekti, ndërsa të lihen, për shembull, burgjet e Kosovës në gjendje të keqe. Pra, duhet të dëshmojë se mund ta përballojë këtë punë shtesë“, saktëson Muhaxhiri.

Nga ana tjetër, ai është i bindur se edhe Mbretëria e Bashkuar do të bëjë gjithçka që, përpara zbatimit të marrëveshjes, të kontrollojë deri edhe detajet më të vogla.

„Nëse Kosova mund ta bëjë këtë, atëherë kjo do të jetë një njohje e madhe për qeverinë. Megjithatë, nëse nuk e bën apo nëse ka probleme, atëherë do të jetë një mundësi e humbur“, përfundon ky analist.

Aleatët dhe shërbimet

Këshilltari i Lartë i Fondit ISAK, Marko Savkoviq, thotë në një intervistë për Kosovo online se vendet e BE-së po përpiqen të zgjidhin një "problem të nxehtë" duke transferuar "qendrat e pritjes" në vende të treta dhe se Prishtina e ka njohur "shansin e saj" në këtë.

“Autoritetet në Prishtinë me siguri e shohin këtë si një mënyrë për t’u afruar më tej me vendet që i konsiderojnë si aleatë, për t’u ‘bërë një nder’. A kanë kapacitete? Supozoj se mund t’i ndërtojnë, edhe nëse nuk i kanë, dhe se qeveritë e vendeve perëndimore do të ishin të interesuara për këtë. Në këtë mënyrë po zgjidhin një problem të madh. Kushdo që e ndjek politikën e migracionit, por edhe politikën penale dhe problemin e mbipopullimit të burgjeve në vendet e Evropës Perëndimore, e di që kjo është një mënyrë për qeveritë që të dalin nga një situatë e pakëndshme”, thekson Savkoviq.


Ai shton se fati i migrantëve ka qenë gjithmonë nën radarin e vëmendjes publike.

"Është një shans për Kosovën, i cili mund të mos jetë i shkëlqyer, mund të jetë më mirë nëse ata do të ishin në gjendje të ofronin diçka më të mirë ose më të sofistikuar, si një lloj avantazhi krahasues, por ky është realiteti. Të gjithë përdorin atë që kanë, përfshirë autoritetet në Prishtina", specifikon Savkoviq.


Ai shpjegon se çështja e migrantëve është aktualisht në qendër të vëmendjes së zyrtarëve të shumë vendeve evropiane dhe botërore, ndërsa për momentin përpjekja më aktuale është ajo e Mbretërisë së Bashkuar për të arritur një marrëveshje të ngjashme me Shqipërinë si ajo e arritur me Italinë dy vite më parë.

“Në këtë moment, ndoshta më aktualja është historia me Mbretërinë e Bashkuar dhe Shqipërinë, duke pasur parasysh që vetëm vitin e kaluar më shumë se 50.000 migrantë të parregullt janë refuzuar, pasi kanë kërkuar azil në Mbretërinë e Bashkuar. Tani këta persona duhet të kthehen në vendet e tyre të origjinës”, thekson ky analist.

Ai kujton se problemi thelbësor qëndron në faktin që shumica e migrantëve, sapo mbërrijnë në ndonjë vend të Perëndimit, i shkatërrojnë dokumentet e tyre, prandaj është shumë e vështirë të përcaktohet se nga cili vend vijnë, në mënyrë që të mund të kthehen atje.

“Megjithatë, në këtë rast, dhe kjo është shumë interesante, ideja është që personat të zhvendosen përkohësisht në vende që janë të gatshme t’i pranojnë derisa të vendoset për fatin e tyre – nëse do të pranohen apo jo. Pikërisht për këtë arsye, kryeministri britanik Keir Starmer, gjatë samitit të Komunitetit Politik Evropian, zhvilloi bisedime me kryeministrin Edi Rama për të parë nëse Shqipëria do të ishte e gatshme për një gjë të tillë. Kujtoj se Shqipëria, në vitin 2023, nënshkroi një marrëveshje me Italinë, në të cilën u dakordua të hapen dy qendra pranuese apo tranziti për personat që Italia dëshiron t’i zhvendosë në një vend tjetër”, thotë Savkoviq.

Në një situatë të tillë, çdo vend që do të pranonte të ndërtonte një “qendër pranuese” në territorin e vet, do të ishte në fakt një “instrument” i vendeve prej nga do të zhvendoseshin migrantët.

Kjo vlen edhe për Kosovën.

“Do të thosha që, në parim, është një instrument, por nëse ia del në këtë synim, atëherë mund të bëhet apo të konfirmojë një status partneriteti. Për shumë vende të Perëndimit, Kosova tashmë është një partnere”, thekson Savkoviq.

Hapja e qendrave të tilla pranuese njëkohësisht nuk do të paraqiste rrezik për sigurinë as për Kosovën, e as për Ballkanin Perëndimor, sepse gjithçka do të zhvillohej në “kushte të kontrolluara”.

“Le të kujtojmë që një numër personash janë kthyer nga Siria, të cilët kanë qenë luftëtarë ose anëtarë të familjeve të luftëtarëve të Shtetit Islamik. Po ashtu, Kosova në një moment ishte përmendur si vendi me numrin më të madh të luftëtarëve të ISIS-it për kokë banori, bashkë me Tunizinë dhe disa vende të tjera të Afrikës së Veriut. Ne nuk kemi parë që situata të jetë përkeqësuar pas kthimit të atyre personave. Pra, sido që të jetë, qofshin migrantë të paligjshëm apo të burgosur dhe këto dy gjëra duhet ndarë, gjithçka do të ndodhë në kushte të rrepta kontrolli”, thotë Savkoviq.


Ai shton se i gjithë procesi do të zhvillohet me garanci adekuate dhe me ngritjen e sistemit të kontrollit që do të përcaktohet me marrëveshje ndërshtetërore me vendet që vendosin të transferojnë të burgosur apo migrantë.

“Ideja italiane e para dy viteve u ndalua nga gjykata në Itali, prandaj nga ato dy qendra pranuese për momentin nuk ka asgjë. Kjo mundësi gjithmonë ekziston, si për shqetësimet për të drejtat e njeriut, ashtu edhe për rrezikun që i gjithë plani të dështojë. Por, nuk besoj që kjo do të çojë në përkeqësim të situatës së sigurisë”, përfundon Savkoviq.