Politikanët “hapin thesin” gjatë fushatës – a janë të realizueshme premtimet?
Nëse do të realizoheshin të gjitha premtimet e partive në Kosovë të dhëna para fillimit zyrtar të fushatës zgjedhore, të punësuarit pas 7 qershorit jo vetëm që do të kishin paga më të larta, por do të merrnin edhe pagën e 14-të, pensionet do të rriteshin, taksat do të uleshin, ndërsa ajri në Kosovë do të ishte i pastër si në Alpet zvicerane. Sipas bashkëbiseduesve të Kosovo online, megjithëse për qytetarët e Kosovës premtimet ekonomike janë ndoshta më të rëndësishmet, shumë prej tyre nuk kanë bazë reale dhe votuesve nuk u shpjegohet se si do të realizohen. Ata vlerësojnë gjithashtu se para këtyre zgjedhjeve është më e dukshme se më parë se gara është e pabarabartë, pasi partia në pushtet përdor burimet publike për të fituar votues.
Shkruan: Dushica Radeka Gjorgjeviq
Fushata filloi zyrtarisht sot dhe do të zgjasë dhjetë ditë, por votuesit tashmë prej javësh janë të ekspozuar ndaj marketingut parazgjedhor.
Qeveria në detyrë teknike, e udhëhequr nga Vetëvendosja, premton se do të rregullojë me ligj çështjen e pagës së 13-të për sektorin publik dhe privat, si dhe planifikon futjen e pagës së 14-të. Pensionistëve, fëmijëve, studentëve dhe të punësuarve në sektorin privat u është premtuar ndihmë e njëhershme prej 100 eurosh, si dhe rritje e kompensimeve për lehonat.
Mërgimtarëve në Zvicër, kryeministri në detyrë teknike Albin Kurti u ka premtuar se ndotja e ajrit në Kosovë do të zvogëlohet në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian, pasi, siç tha ai, e di se kjo i shqetëson shumë kur vijnë në Kosovë.
Vendimi i kabinetit të tij, i marrë dy ditë më parë, për ndarjen e dy milionë eurove për mbështetjen e linjave ajrore drejt destinacioneve që i shërbejnë diasporës, ka shkaktuar reagimet më të mëdha në opinion. Ky veprim është vlerësuar si “qershia mbi tortë” e keqpërdorimit të burimeve publike për qëllime thjesht zgjedhore, por edhe si “shkelje e demokracisë me të dyja këmbët”.
As opozita nuk mbetet prapa në dhënien e premtimeve tërheqëse ekonomike. Kështu, lideri i PDK-së, Bedri Hamza, flet më së shumti për rritjen e pagave dhe pensioneve, uljen e taksave dhe investime të mëdha në ekonomi, shëndetësi dhe arsim.
Se si do të realizohen të gjitha ato që partitë u premtojnë votuesve, nuk është përmendur shumë. Ndoshta do të flitet për këtë gjatë dhjetë ditëve të ardhshme.
Studiuesi i çështjeve të sigurisë, Nikolla Vujinoviq, thotë se premtimet ekonomike janë në thelb më të rëndësishmet për votuesit në Kosovë, pasi situata ekonomike është e vështirë, por se shumë prej tyre nuk kanë bazë reale.
Sipas tij, për një pjesë të votuesve që e sigurojnë jetesën në Kosovë, ekonomia është dimensioni më i rëndësishëm, ndërsa për një numër të madh votuesish nga diaspora janë të rëndësishme tema të tjera, sepse ata jetojnë në një realitet tjetër ekonomik dhe nuk i intereson shumë gjendja ekonomike në Kosovë.
„Ekonomia është çështja më e rëndësishme për votuesit, por rritja e retorikës etnike dhe identitare, si dhe insistimi në veprime antiserbe, na tregojnë se votuesve në njëfarë mënyre duhet t’u ‘hedhësh hi syve’. Premtimet e ndryshme janë pa bazë reale dhe shërbejnë vetëm që njerëzit të ndihen mirë deri më 7 qershor. Pastaj votojnë dhe më 8 qershor nuk do të ndryshojë asgjë“, tha Vujinoviq për Kosovo online.
Si shembull ai përmendi ndihmën që qeveria në detyrë teknike ua ka premtuar studentëve.
„Ata aplikojnë për 100 euro deri më 5 qershor, ndërsa ndihma do të paguhet, për shembull, më 8 qershor. Kjo tregon se kemi të bëjmë me blerje të pastër votash dhe me diçka që zoti Kurti po e përdor. Kur nuk keni rezultate reale ekonomike, dhe ato nuk ekzistojnë, kur nuk keni bazë reale ekonomike, dhe ajo nuk ekziston, atëherë të gjitha premtimet tuaja janë fantazmagorike“, theksoi ai.
Ai rikujtoi se këto janë zgjedhjet e katërta në një vit e gjysmë në Kosovë dhe se që nga shkurti i vitit 2025 është parë se temat e ekonomisë dhe cilësisë së jetës janë shumë të rëndësishme në fillim të fushatës, por me kalimin e kohës kalojnë në plan të dytë.
„Në fund rezulton sikur ato as nuk kanë qenë premtime, sepse nuk ka asnjë rezultat“, vlerëson ai.
"Abuzim me financat publike"
Bashkëpunëtori i OJQ Iniciativa e Re Shoqërore Aleksandar Shluka thotë për Kosovo online se shpenzimet për bërjen e zgjedhjeve të reja dhe fondet e dhëna në formën e ndihmës financiare për grupe të ndryshme qytetarësh në kontekstin e fushatës elektorale, sigurisht që paraqesin goditje të madhe për ekonominë e Kosovës, sepse fjala është për shpenzime që nuk kanë qenë parashikuar.
"Kemi ndarje fondesh prej 100 eurosh për pensionistët, personat e punësuar në bizneset private, ndihmë të caktuar për grupe njerëzish në sektorin publik, ndihmë për studentët... Tani dhe kjo ndarje e paralajmëruar fondesh prej dy milionë eurosh për të ashtuquajturat lehtësime për të inkurajuar diasporën të vijë në Kosovë, sërish është në kontekstin e zgjedhjeve. Kur e gjithë kjo numërohet së bashku me ciklet e mëparshme, me vetë mbajtjen e zgjedhjeve, ky padyshim që është shpenzim i madh për buxhetin e Kosovës, duke pasur parasysh se dy nga katër ciklet zgjedhore, ishin të paplanifikuara", thotë Shluka.
Sikurse shton, dhe në ciklet e mëparshme egzistonin lloje të ngjashme ndihmash, por beson se nuk ishin në këtë nivel si tani, çka flet se në cilën pozitë ndodhet Vetëvendosja dhe që u nevojiten votat.
"Ata hodhën bast me këto zgjedhje dhe tani po tentojnë disi të marrin rezultatin më të mirë të mundshëm. Sigurisht që kjo do të tërheqë një pjesë të mirë të votave sepse këto përfitime afatshkurtra sigurisht që janë domethënëse për grupe të caktuara të popullatës, veçanërisht grupet e cënueshme shoqërore. Nuk do të thoja se kjo do të jetë e mjaftueshme për të bërë atë kthesë thelbësore dhe për të bërë hap para për Vetëvendosjen, por ata shfrytëzojnë çdo burim të mundshëm për të rritur mbështetjen e tyre", vlerëson bashkëbiseduesi ynë.
Lëvizje të tilla të Qeverisë në mandatin teknik, sikurse beson Shluka, përfaqësojnë keqpërdorim të fondeve publike.
"Për të patur strategji të vazhdueshme ndihme për ato grupe, diçka që do të miratohej si program qeveritar e madje pavarësisht që qeveria tani është në mandat teknik, mund të thoshim: 'ok, ky është ndonjë program afatgjatë, nuk është diçka ad hoc dhe këtë mund t’a vëzhgojmë jashtë fushatës zgjedhore'. Por, duke pasur parasysh se, si në ciklet e mëparshme zgjedhore, shumica e këtyre
vendimeve erdhën në kontekstin parazgjedhor, mendoj se është shumë e qartë se çfarë po tentohet dhe ky është abuzim me financat publike", qartëson ai.
Kur është fjala për premtimet e opozitës për rritjen e pagave dhe pensioneve, por dhe uljen e taksave, Shluka thotë se opozita ndërton fushatën e vet me premtime dhe se në kuadër të premtimeve zgjedhore, gjithçka mund të dëgjosh.
"Atyre këto sigurisht asgjë nuk do t’u kushtojë nëse nuk vijnë në pushtet. Dhe nëse vijnë në pushtet, me gjasa do të shikojmë se nuk zbatohet aq lehtë, por që është shumë i mirë si premtim elektoral. Atje kemi dy gjëra që kanë efekt negativ sinergjik në buxhet. E para është ulja e taksave, çka do të thotë pak fitim për shtetin nga qytetarët sepse buxheti është më pak i mbushur dhe nga ana tjetër thuhet se do të rriten pagat dhe pensionet çka do të thotë më shumë fonde për shtetin çka më pak para për shtetin, që nuk diskutohet. Si do t'i marrë shteti paratë për të bërë ato lëshime? Ndaj këto janë disa masa populiste", shton ai.
Sikurse konkludon, opozita mund të bëjë veçse premtime dhe të shpresojë se qytetarët do t'i njohin ato premtime, ndërsa nga ana tjetër, qeveria ka të gjitha levat për të përdorur burimet publike në kontekstin e fushatës, të cilat aktorët e tjerë nuk i kanë.
Qeveria teknike si zgjidhje?
Ish-diplomati Sylë Ukshini thotë për Kosovo online se, nëse ekziston vullnet për zgjedhje të ndershme dhe demokratike, opozita duhet të kërkojë një qeveri teknike, si ajo që kishte Maqedonia e Veriut dhe shumë vende të tjera, e cila do t’i organizonte zgjedhjet në mënyrë që qeveria në dorëheqje të mos kishte mundësi të përdorte burimet publike, buxhetin dhe paratë publike, dhe që të gjithë të ishin të barabartë gjatë procesit zgjedhor.
„Nëse institucionet nuk formohen pas zgjedhjeve, atëherë për zgjedhjet e ardhshme duhet të zgjidhet një qeveri teknike me njerëz që nuk marrin pjesë në politikë, që janë neutralë dhe të propozuar nga të gjitha partitë politike. Kjo do të ishte një qeveri që do të shërbente vetëm për zhvillimin e procesit zgjedhor dhe do të kishim një garë të barabartë. Qeveria aktuale ka përparësi, sepse nëse është në gjendje të shpërndajë 200 milionë euro, kjo i dëmton partitë opozitare dhe i jep avantazh qeverisë“, thekson Ukshini.
Duke komentuar premtimet e liderit të PDK-së opozitare, Bedri Hamza, për rritjen e pagave dhe pensioneve, si dhe uljen e taksave, pa shpjeguar se si do të realizohen këto masa, Ukshini thotë se Hamza ka qenë ministër i Financave dhe ka përvojë e ide, por se këto ide duhet t’u shpjegohen më konkretisht qytetarëve.
„Në vend të ndihmave të rastësishme, do të ishte më mirë që me ligj të rregullohej dhe të rritej niveli i pagave, si dhe të ndalohej shpërndarja e parave shtesë gjatë fushatës. Kjo ka ndodhur edhe më parë. Kjo do të thotë se nuk do të ketë konkurse dhe asgjë që do të çonte në favorizim“, thotë diplomati.
Ai sugjeron që gjatë fushatës parazgjedhore të shmangen parullat nacionaliste.
„Të rinjtë duan punë dhe jetë më cilësore, arsim dhe shëndetësi më të mirë; këto janë çështjet me të cilat duhet të merremi. Kroacia, Mali i Zi, Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia – të gjitha përballen me problemin e migrimit. Duhet të diskutojmë se si ta ndalim këtë trend dhe ta bëjmë jetën më tërheqëse“, thekson Ukshini.
Sipas tij, gjeneratat e reja kanë interesa dhe pritshmëri të ndryshme.
„Kosova evropiane është e bukur kur ndihet mirë shqiptari, por edhe kur ndihen mirë serbi, turku dhe romi. Duhet të shmangen parullat nacionaliste. Parullat nacionaliste në Ballkan janë si ëmbëlsirat – duken të ëmbla, por nëse konsumohen në sasi të mëdha, sjellin diabet“, thotë ai.
0 komentet