Radikalizmi në Ballkanin Perëndimor-përse të rinjtë bien pre e ekstremistëve të dhunshëm?

demonstracije
Burim: Društvene mreže/printscreen

Pamjaftueshmëria e arsimimit dhe varfëria janë tokë pjellore për shfaqjen e radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, thonë për Kosovo onlajn ekspertët nga zona të ndryshme të rajonit. Ata paralajmërojnë se rreziku më i madh që të përfshihen tek të tilla grupe, është më shumë tek të rinjtë të cilët janë të pakënaqur me kushtet që u ofron shoqëria dhe të shtyrë nga dëshira për një jetë më të mirë, bien pre e lehtë për rekrutim.

Shkruar nga: Petar Rosiq

Sipas Raport Progresit për vitin 2024, numri i të rinjve nga Kosova të cilët nuk arsimohen dhe as që punojnë aktivisht, është rritur në 33.4% çka vazhdon të jetë më i larti në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Ish-drejtori i qendrës së punësimit social, Vehbi Mujku, paralajmëroi se shumë prej tyre kanë tendencë ndaj shfaqjeve negative. Ai theksoi se këta të rinj ndihen të diskriminuar sepse nuk mund të gjejnë punë në institucionet publike dhe as sektori privat nuk u ofron mundësi të përshtatshme.

“Si pasojë e kësaj mbeten pasivë dhe shpeshherë i drejtohen radikalizmit dhe shfaqjeve të tjera negative që shpesh raportohen”, ka thënë Mujku.

Analisti nga Prishtina Artan Muhaxhiri beson se të rinjtë që nuk investohen mjaftueshëm në arsimim, janë të prirur për të pranuar dogma përfshirë radikalizimin.

"Niveli i arsimimit dhe emancipimit gjithpërfshirës është i lidhur direkt me nivelin e mendimit kritik ndaj dhe të rinjtë të cilët nuk investojnë mjaftueshëm në arsimim, janë të prirur të pranojnë dogma, përfshirë radikalizmin. Megjithatë, mendoj se është e rrezikshme ajo çka pranohet populizmi pa mendim kritik pasi kjo ndikon në zgjedhje, në spektrin politik dhe për këtë arsye, politikanët e kalojnë lehtësisht me premtime të pathemelta, lajme të gënjeshtërta dhe premtime të cilat janë të pamundura të vihen në praktikë. Kjo ndikon në jetën e tyre por dhe në jetën e të tjerëve”, thotë Muhaxhiri për Kosovo Onlajn.

Muhaxhiri vlerëson se problem me radikalizimin ka egzistuar para disa vitesh kur ISIS forcohej dhe atëherë egzistonin lidhje mes grupeve radikale në Kosovë dhe Siri.

“Megjithatë, tashmë ky nuk është më rast, pasi madje dhe vetë shteti investon përpjekje për t’a ndrydhur. Ndiqnin dhe persekutonin njerëzit që kishin lidhje me ISIS të cilët rekrutonin të rinjtë që të shkonin tek ISIS. Tashmë ky nuk është më rast i këtij niveli, sigurisht”, thotë analisti nga Prishtina.

Këshilltari i lartë i Fondit ISAK Marko Savkoviq thotë se të rinjtë që nuk kanë punë dhe perspektivë janë të prirur me ideologji ekstremiste dhe që ky rregull vlen jo vetëm për Kosovën, por edhe për të gjithë shoqërinë në hapësirën e Ballkanit Perëndimor.

“Sikurse kemi patur rastin për të parë gjatë viteve të fundit, nuk është vetëm ideologjia e radikalizmit ekstremist, pasi egzistojnë dhe të tjera. Këto janë grupe tifozërie të dhunshme. Pra të rinjtë janë sigurisht në rrezik të madh nga të tilla mundësi, do të thoja meshkuj të rinj, por ka dhe gra që radikalizohen”, thotë Savkoviq për Kosovo Onlajn.

Ky i fundit bën të ditur se në një moment Kosova e pati udhëhequr kur është çështja e radikalizmit islamik.

“Duke parë se sa të rinj për frymë, për t’a thënë lirshëm, përfunduan në hapësirën e Sirisë dhe vendeve të tjera që luftonin për llogari të shtetin Islamik, Kosova në një moment udhëhiqte. Ndërkohë, është ashpërsuar mjaft politika ndëshkuese dhe është investuar përpjekje e madhe që këta njerëz të sillen para drejtësisë. Një numër prej tyre sot ndodhen në burg duke vuajtur dënimin” sqaron bashkëbiseduesi ynë.

Thekson se radikalizmi është shtypur, por pasoja të caktuara mbeten.

“Do të thoja se tani ai lloj radikalizimi është në nivel tjetër. Këtë e dëshmon edhe fakti se ne në vitet e fundit, me përjashtim të sulmit në Sarajevë dhe atë situatën që patëm në Beograd, nuk kemi pasur incidente masive dhe kjo është një rrethanë fatlume. Por, radikalizimi që manifestohet përmes sulmeve ndaj njerëzve të kombësive të tjera, të besimeve të tjera, ai rrezik është përherë i pranishëm dhe fatkeqësisht minon shoqërinë tonë përbrenda”, vlerëson Savkoviq.

Profesoresha e Fakultetit të Shkencave Sociale në Universitetin e Tiranës Entela Binjaku, paralajmëron se një numër jashtëzakonisht i madh i të rinjve në Shqipëri, nuk ndjekin shkollën ose nuk janë aktivë në punë dhe vlerëson për Kosovo Onlajn se kjo i bën ata objektiva të lehta të grupeve kriminale dhe rrjeteve radikale fetare.

Binjaku bën të ditur se në rastin e arsimimit të duhur dhe punësimit normal, ata do të ishin fuqi punëtore aktive dhe shumë e dobishme për Shqipërinë. Fatkeqësisht, grupet kriminale sot i joshin lehtësisht duke shfrytëzuar varfërinë e tyre, nivelin e ulët arsimor dhe paaftësinë e tyre për punë.

“Statistikat tregojnë se në qelitë e burgjeve pjesa më e madhe e të dënuarve, janë të moshes së re. Këta të rinj merren me shpërndarje droge, posedojnë, tregtojnë dhe përdorin armë zjarri apo armë të ftohta. Mjaft nga ata u përfshinë në plaçkitje”, spegon bashkëbiseduesja jonë.

Ajo thekson se një numër i madh i të rinjve që kanë braktisur arsimin e detyrueshëm në shkollat ​​9-vjeçare, janë tërhequr edhe në rrjetet radikale fetare.

“Në këtë rast bëhet fjalë rreth tërheqjes shpirtërore që këto rrjete ushtrojnë tek ta. Ata gjenden në këto rrjete, pasi nuk mund të gjenden në shoqëri. Ata veten e shikojnë tek idetë ekstremiste të këtyre grupeve fetare. Të mos harrojmë se të rinjtë kanë ambicie dhe ëndrra për jetën. Dëshirojnë të marrin arsimin e duhur, të punësohen dhe kërkojnë shumë nga vetja, por nuk kanë rast të realizojnë dëshirat e tyre. Kjo i bën ata gjithnjë e më të prirur ndaj sjelljeve të dhunshme”, thotë sociologia nga Tirana.

Ajo bën të ditur se nivel kaq i ulët arsimor në vend, nuk i lejon të rinjtë të ndryshojnë jetën e tyre, për këtë arsye shumë lehtë orjentohen tek krimi, duke besuar se kështu do të kenë më shumë përfitime.

“Këtë problem e kemi në të gjitha zonat e Shqipërisë. Pamjaftueshmëria e arsimimit dhe punësimit, sjell në atë që të humbasin lidhjet e qëndrueshme që kishin më herët me familjen, të humbin vlerat me të cilat familja shqiptare edukoi anëtarët e saj dhe sa më shumë të orjentohen tek kriminaliteti. Kjo tregohet dhe tek numri i madh i të rinjve të dënuar nëpër burgje dhe të rinjve që janë protagonistë të ngjarjeve thuajse të përditshme kriminale, paralajmëron ajo.

Profesori universitar nga Shkupi Cane Mojanoski gjithashtu beson se sistemi arsimor në Maqedoninë e Veriut por dhe në vende të tjera të rajonit, është goditur prej erozionit të vlerave dhe për Kosovo onlajn vlerëson se sëbashku me varfërinë kjo kontribuon në pranim lehtë të ideologjive ekstremiste tek të rinjtë.

“Ne Maqedoni rreth 42% e banorëve i përkasin grupit të rrezikut social të varfërisë, 22% siguron bazat elementare për mbijetesë dhe po aq popullsi nuk ka burime të mjaftueshme as për ngrohje... Nëse shikoni që sistemi arsimor e veçanërisht sistemi i arsimit të lartë, i nënshtrohet formës së veçantë pjesëmarrjeje dhe se të tillë popullsi kaq e varfër, zorr se mund t'u mundësojë fëmijëve të tyre të studiojnë në Shkup apo në disa qendra të tjera universitare, mund të konkludojmë se varfëria është një nga faktorët që nxisin të rinjtë drejt sjelljes ekstremiste, ideologji apo praktikë”, bën të ditur Mojanoski për Kosovo Onlajn.

Ky i fundit spegon se të rinjtë manipulohen lehtësisht sepse mes tyre egziston ndjenjë e lartë e pakënaqësisë dhe e padrejtësisë, e cila shtohet nga shumë faktorë të tjerë.

Ky i fundit thekson se analizat e disponueshme për publikun, tregojnë se në dekadën e fundit, pothuajse 900 njerëz nga rajoni janë identifikuar si mbështetës ose i përkasin grupeve ekstremistësh radikalë. Prej tyre rreth 200 ishin më pak se 18 vjeç.

“Ky është një nga treguesit se konceptet dhe qasjet radikale në interpretimin e botës, janë të pranueshme për të rinjtë, sepse shpesh lihen veçmas për shkak të situatës së keqe ekonomike, familje të shkatërruara që nuk mund t'i kushtojë kohë të mjaftueshme procesit arsimor, ndërsa shkolla pak a shumë është e orientuar drejt plotësimit të nevojave të arsimit të detyruar, pa u shqetësuar shumë për kualitetin e dijes. Mbarë sistemi arsimor, përfshirë edhe sistemi i arsimit të lartë, është goditur fuqishëm nga erozioni i vlerave për shkak të korrupsionit dhe sjelljeve korruptive”, vlerëson Mojanoski.

Ky i fundit shton se ky fenomen nuk është ekskluziv vetëm për Maqedoninë, por dhe në hapësirën e Ballkanit Perëndimor, egzistojnë vende që në thelb nuk arritën të luftojnë korrupsionin dhe varfërinë dhe nuk i kushtojnë vëmendje të mjaftueshme sistemit arsimor dhe vlerave që ai duhet të gjenerojë.

Zgjidhjen profesori e shikon në vendosjen e shtetit ligjor dhe egzistencën e shtetit të së drejtës. Nëse nuk e ke atë parim, shton ai, atëherë ndjesia e të qenit të privuar nga e drejta dhe mospasja e mundësive të barabarta në shoqëri, rrit pakënaqësinë.

“Një nga problemet themelore të shoqërisë maqedonase, nëse doni dhe në mbarë Ballkanin, është se qytetarët nuk u besojnë institucioneve, nuk i besojnë sistemit. Dhe pa individ të lumtur, asnjë shoqëri nuk mund të shpresojë tek e ardhmja e saj dhe nuk mund të presë se ka qytetarë që do të jenë të gatshëm të sakrifikojnë dhe kontribuojnë në ndërtimin e një komuniteti në të cilin të ndihen të lirë dhe të përmbushur” konkludoi Mojanoski.