Skadoi afati për formimin e Kuvendit: Në cilin oborr është topi?
Kosova me gjasa ndodhet pranë portave të zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare sepse për 103 ditë, deputetët e zgjedhur në zgjedhjet e 9 shkurtit nuk mundën të konstituojnë seancën e re të Kuvendit ndonëse u mblodhën 54 herë. Skenar të dytë bashkëbiseduesit e Kosovo Onlajn nuk shikojnë. Në lëvizje janë, sërish Gjykata Kushtetuese dhe presidentja kosovare e cila duhet të shënojë nisjen e një gare tjetër zgjedhore dhe dalja në qendrat e votimit mund të nënkuptojë që qeveria "Kurti 2" në mandatin e saj teknik do të zgjasë deri në fund të vitit.
Shkruar nga: Dushica Radeka Gjorgjeviq
Tentativa e fundit për të formuar Kuvendin, deri në skadimin e afatit 30 ditor që Gjykata Kushtetuese dha më 26 qershor, dështoi mbrëmë pak pas orës 22:00.
Nga sot deri më 8 gusht, është në fuqi masa e përkohshme që ka dhënë Gjykata Kushtetuese më 24 korrik, gjatë së cilës deputetëve u ndalohet të marrin vendime ose të ndërmarrin veprime që lidhen me konstituimin e Kuvendit që doli nga zgjedhjet e shkurtit.
Lëvizja Vetëvendosja, e cila udhëheq qeverinë në mandat teknik, për dështimin fajëson partitë opozitare në zgjedhjen e kandidatit të tyre për kryetar parlamenti, ndërsa opozita pretendon se ofroi kompromise në periudhën e mëparshme.
Prej shkurtit është spekuluar se qeveria e re do të formohet nga Vetëvendosja dhe Nisma Fatmir Limajt por as në takimin e mbrëmshëm mes Limajt dhe presidentes së Kosovës Vjosa Osmani mbajtur para nisjes së seancës parlamentare të planifikuar për në orën 22:00, nuk ndryshoi rrjedhën e ngjarjeve.
“I thashë presidentes se afati 30 ditor për formimin e Kuvendit nuk u shfrytëzua. Nuk ndodhi asgjë, vetëm bisedë”, njoftoi mbrëmë lideri i Nismës.
Tek kush është topi tani?
Ish gjykatësi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës Kadri Kryeziu thotë për Kosovo Onlajn se presidentja Vjosa Osmani së bashku me Gjykatën Kushtetuese dhe Komisionin Qëndror Zgjedhor ka detyrim që teknikisht të përgatisë zgjedhjet e parakohshme.
“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është ligj, çka do të thotë se deputetët kanë patur për detyrë që në harkun kohor prej 30 ditësh të konstituonin parlamentin. Ky vendim ka pasoja në vështrimin e humbjes së mandatit pasi nuk mundën që të konstituonin parlamentin çka është e domosdoshme sipas Kushtetutës”, ka thënë Kryeziu.
Ai mendon ngaqë skadoi afati që i dha Gjykata Kushtetuese, deputetët duhet të ngelen pa mandat dhe se do shkojnë në zgjedhje të parakohshme.
Zgjedhjet e parakohshme me gjasa i shikon dhe bashkëpunëtori i Qendrës për Politikë Europiane nga Beogradi Millosh Pavkoviq.
"Masa e përkohshme që përcaktohet nga Gjykata Kushtetuese dhe që hyri në fuqi në praktikë, do të thotë se nuk do të ketë seancë parlamentare deri më 8 gusht e për pasojë është e pasigurt se çfarë do të ndodhë pas kësaj date. Sipas të gjitha gjasave, gjërat po shkojnë drejt zgjedhjeve të reja parlamentare, sepse do të jetë fort e vështirë për Gjykatën Kushtetuese të përcaktojë diçka tjetër në opinionin e ardhshëm", tha Pavkoviq për Kosovo Onlajn.
Problemi, sikurse thotë, lindi pasi më herët ka egzistuar praktikë joformale por e institucionalizuar që përherë partia fituese cakton kryetarin e parlamentit dhe se në shpërndarjen egzistuese të forcave dhe duke marrë parasysh potencialin minimal ose inegzistent të koalicionit të Lëvizjes Vetëvendosja e cila mori më shumë vota në zgjedhje, kandidati i tyre nuk mundi të kalonte.
“Ata nuk dëshironin të bënin ndonjë kompromis, duke i’u referuar llojit të praktikës joformale që egzistonte më herët që gjithmonë artia fituese i jep kryetarin e parlamentit. Ndërsa nga ana tjetër, partitë opozitare ishin të vetëdijshme se Vetëvendosja nuk ka shumicën në Kuvend për të zgjedhur kryetarin e tyre. Ky ishte ngërç dhe nuk e di se çfarë mund të ndodhë që tani kjo të ndryshojë”, tha Pavkoviq.
Pa mbështetjen e Perëndimit
Rreth mundësive të presioneve të të huajve ndaj aktorëve politikë që situata të zgjidhet pa zgjedhje, thotë se nuk mendon se egziston ndonjë vullnet i veçantë mes ambasadorëve të huaj që t’i bëjnë ndonjë lloj shërbimi Albin Kurtit dhe Vetvendosjes pasi Kurti i çoi marrëdhëniet me të huajt në nivelin minimal.
“Nuk shikoj hapësirë që Kurti të marrë mbështetjen e Perëndimit dhe që kandidati i tij të zgjidhet. Nga ana tjetër, mund të egzistonte mundësia që opozita të bëjë një lloj platforme anti-Kurti mbi të cilën do të zgjidhej kryetari i parlamentit çka teknikisht do të njoftonte ndryshimin e pushtetit. Por, duke marrë parasysh raportin e forcave në opozitë dhe dëshirën që secili prej tyre të jetë lider dhe asnjëri prej tyre nuk e ka këtë mundësi, kjo do të jetë fort e vështirë. Pra më parë besoj se do të shkojmë në zgjedhje të reja parlamentare, të cilat do të kombinoheshin me ato vendore në tetor”, mendon ai.
Opsionin e kombinimit të zgjedhjeve si më realet e shikon dhe Aleksandar Rapajiq drejtori programues i OJQ Qendra për Përfaqësim dhe Kulturë Demokratike nga Mitrovica e Veriut.
Ai beson se hapi i parë që mund të pritet është presidentja e Kosovës t’a përcjellë çështjen tek Gjykata Kushtetuese se çfarë duhet të bëjë më tej dhe kjo çështje beson se do të jetë në funksion të zgjatjes së shpalljes së zgjedhjeve që ato të mund të mbahen së bashku me ato vendore më 12 tetor.
"Nëse do të respektohen afatet që egzistojnë tani, pas dështimit për të formuar Kuvendin, presidenti ka 30 ditë kohë për të shpallur zgjedhjet dhe ato të jashtëzakonshme mbahen 45 pas shpalljes. Me këto afate, është e pamundur të mbahen zgjedhjet më 12 tetor, por do të ishin disa javë më herët dhe nuk ka logjikë që të shkojmë në afat kaq të shkurtër dy herë në zgjedhje. Ndaj presidentja do t'ia referojë çështjen Gjykatës Kushtetuese se çfarë duhet të bëjë dhe kjo do ta zgjasë gjithçka për një ose dy javë, në mënyrë që të mund të ishte kombinuar për të mbajtur zgjedhjet më 12 tetor, kur mbahen edhe ato vendore", ka thënë Rapajiq për Kosovo Onlajn.
Kurti vazhdon të qeverisë
Situata egzistuese, vlerëson ai, më shumë i përshtatet Vetëvendosjes dhe qeverisë aktuale sepse sikurse thotë, "qeveria e Kurtit vazhdon të qeverisë".
“Shikojmë se përveç asaj se çka kanë rezultat më të keq në zgjedhje dhe nuk kanë mundësinë të formojnë shumicën në Kuvend, qeveria e Kurtit ende qeveris. Dhe kjo nuk funksionon si qeveri teknike, por ajo merr vendime si çdo qeveri e rregullt-shpenzon buxhetin, shpall tendera, merr disa vendime shumë të rëndësishme, çka në thelb qeveria teknike nuk duhet t’i bëjë. Kjo Vetvendosjes i përshtatet sepse pa fituar zgjedhjet vazhdojnë të qeverisin”, konstaton bashkëbiseduesi ynë.
Nëse zgjedhjet parlamentare do të jenë më 12 tetor, sikurse thotë, rezultatet finale mund të priten në fillim të nëntorit, çka do të thotë formimi i Kuvendit deri në Vitin e Ri "nëse formohet".
“Në thelb, qeveria e Kurtit po e zgjat sundimin e saj edhe për një vit” thekson Rapajiq.
Skenarë të tjerë përveç zgjedhjeve të reja, nuk ka sipas opinionit të tij.
"Është e pamundur që Kuvendi të vazhdojë punën dhe që këta deputetë sërish të tentojnë të formojnë Kuvendin” ka thënë ai.
Deputeti i Vetvendosjes Dimal Basha paralajmëroi mbrëmë opozitën në prag të vazhdimësisë së seancës konstituese të 54 se ky është shansi I fundit që Kuvendi të formohet në përputhje me Kushtetutën dhe nëse shkohet drejt zgjedhjeve të reja, Basha shprehu besim se “koalicioni LDK-PDK do të marrë ndëshkimin e merituar” pasi nuk votuan për konstituimin e parlamentit.
Që ndëshkimi duhet të mbërrijë tek përgjegjësit nëse mbahen zgjedhjet e reja, e beson dhe Agim Shahini, kryetari i Aleancës Kosovare të Bisneseve.
“Nëse do të ketë zgjedhje të reja, presidentja e Kosovës duhet të thotë se kush është fajtor për të, a është opozita apo Albin Kurti dhe populli pastaj duhet të mendojë se për cilin të votojë dhe cilin të ndëshkojë”, ka thënë Shahini për Kosovo Onlajn.
“Nuk kemi as kohë dhe as pasuri që edhe një herë të shpenzojmë 20 milionë euro për zgjedhje të reja dhe të ngecet ekonomia dhe të gjitha proçeset dhe sërish të shkojmë në fushatë elektorale. Kemi edhe zgjedhjet vendore që janë të rregullta, por kjo çka ngjet në Kuvendin e Kosovës, askush nuk e priste” konstatoi Shahini.
komentet