Përmbledhja e javës 50
Që numërimi i votave të zgjasë një muaj pas mbylljes së qendrave të votimit – nuk është reale, por ndodh. Që marrëveshjet e dakorduara të respektohen – do të ishte reale, por nuk ndodh. Që kalimtarët e rastësishëm të arrestohen gabimisht – as është reale, as duhet të ndodhë, por edhe kjo ndodh. Si në realitet ashtu edhe në Përmbledhjen javore.
Çfarë është reale dhe çfarë është e pamundur shpesh varet nga vëzhguesi. Megjithatë, edhe kur është aq haptazi joreale sa arrestimi i rastësishëm i kësaj jave në Mitrovicën e Veriut, nuk do të thotë se nuk do të ndodhë.
“Pra, fëmijët sapo po kalonin dhe ata i morën në rrugë. Pra kjo është... Nuk di si të shprehem”, përpiqet të përshkruajë babai i një prej djemve të arrestuar se çfarë po ndodhte.
Ndonjëherë insistohet për shprehje dhe përcaktime të qarta dhe ndonjëherë, si këtë javë në Paris, realiteti mjafton për vendime të rëndësishme.
Për avokatin Millan Antonijeviq, vendimi i Komitetit Politik të Këshillit të Evropës nuk është befasi:
“Ka vërtet një numër të madh incidentesh që po vihen në dukje dhe besoj se parlamentarët në Këshillin e Evropës e kanë vërejtur saktë këtë dhe kanë vepruar mirë”, thotë Antonijeviq.
Dikujt i duket e qartë, dikujt tjetër e parealizueshme. Mprehtësia e vështrimit dhe vendimmarrjes shpesh zbutet nga distanca prej së cilës vëzhgohet situata. Kështu po i interpretojnë këto ditë analistët votat e diasporës.
"Votuesit nga diaspora," thotë analisti Belgzim Kamberi, "e shohin z. Kurti si një njeri që do të sjellë një farë rendi në Kosovë."
Edhe këtë javë, propozimet vijnë nga larg. Nga afër, vështirë të realizueshme.
"Negociatat e drejtpërdrejta midis Beogradit dhe Prishtinës, në këtë moment, nuk janë të realizueshme," thotë Aleksandar Shluka nga "Nisma e Re Shoqërore." Po ashtu, analisti nga Prishtina, Rahman Paçarizi, beson se dy palët nuk mund të bëjnë përparim pa ndërmjetësim.
"Është e domosdoshme që Shtetet e Bashkuara të jenë të përfshira në dialog dhe të kenë një rol qendror," thotë Paçarizi.
Dhe disa ide të tjera, të dëshmuara në praktikë si të parealizueshme, po ringjallen përsëri. Si ndarja e territoreve.
"Ndarja e territoreve gjithmonë duket e realizueshme në teori, por kur vjen puna te praktika, gjithmonë është e vështirë të përcaktohet se ku do të vihet ajo vijë," thotë Helena Ivanov, bashkëpunëtore shkencore në Institutin Henry Jackson.
Përveç vendit, e rëndësishme është edhe koha kur duhet të vihet ajo vijë midis dëshirës dhe realitetit. Ose të presësh, që si në rastin e mbylljes së objekteve në veri, nga të cilat pritej shumë, realiteti vetë të tregojë se ideja nuk ishte as e mençur, as e leverdishme.
0 komentet