Ambasadori i Qipros: Qëndrimi për mosnjohjen e Kosovës është parimor dhe konsistent

Dimitrios Teofilaktu
Burim: Politika

Ambasadori i Qipros në Serbi, Dimitrios Teofilaktu, tha se ai shtet ka qëndrim konsistent për mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës dhe se Qiproja respekton integritetin territorial si të Serbisë ashtu edhe të të gjitha vendeve të tjera.

"Qëndrimi ynë për mosnjohjen e Kosovës është parimor dhe konsistent, dhe jo vetëm sepse kemi një problem të ngjashëm. Për të qenë të besueshëm, duhet të udhëhiqemi nga qëndrime konsistente dhe parimore, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare", tha Teofilaktu për “Politikën” e sotme.

I pyetur nëse Qiproja vuan ndonjë pasojë për shkak të një qëndrim të tillë, ambasadori tha se kur interesat jetike kombëtare të të ashtuquajturave shteteve të vogla nuk janë në përputhje me interesat e të tjerëve, kryesisht të "lojtarëve më të mëdhenj", duhet të parashikohen presione apo pasoja të caktuara.

"Pavarësisht nga pasojat ekonomike apo të tjera, shtetet nuk duhet të marrin vendime nën presion", tha Teofilaktu.

Ambasadori, i cili është në fund të mandatit të tij diplomatik, shtoi se Qiproja, në përputhje me politikën e BE-së, mbështet dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe së bashku me anëtarët e tjerë insiston në zbatimin e plotë të dispozitave që kanë të bëjnë me komunat serbe në Kosovë.

Qiproja është një nga pesë vendet anëtare të Bashkimit Evropian që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe së fundmi votoi kundër aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.