BE: Vendimi për dorrëheqjet e gjykatësve sërbë i papajtueshëm me ligjin dhe sundimin e tij
Sipas Kushtetutës së vet, Kosova është shoqëri multietnike e cila udhëhiqet në bazë të sundimit të ligjit, ndërsa sistemi i saj gjyqësor duhet që të pasqyrojë përbërjen etnike të Kosovës, tha zëdhënësi i BE pas vendimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës pas refuzimit të kërkesës së gjykatësve sërbë dhe stafit për tërheqjen nga dorëheqjet dhe kthimin e tyre në sistemin gjyqësor.
Zëdhënësi i BE më tej bën të ditur se Brukseli vazhdimisht i ka bërë thirrje Kosovës që të mundësojë ri-integrimin e stafit gjyqësor nga radhët e sërbëve të Kosovës, në përputhje me ligjet kosovare dhe marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut.
"BE përshëndeti tërheqjen e dorëheqjeve që u dorrëzuan nga gjyqtarët, prokurorët dhe stafi mbështetës sërb kosovarë më 15 korrik të këtij viti. BE shpreh keqardhje të thellë për vendimin e djeshëm të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) për të pranuar dorëheqjet e gjyqtarëve sërb kosovarë që ishin tërhequr tashmë. Kjo vjen pas vendimeve të ngjashme të marra nga Këshilli i Prokurorisë së Kosovës (KPK) dhe ushtruesja e detyrës së Presidentit në korrik në lidhje me dorëheqjet e prokurorëve sërbë kosovarë", bëhet e ditur nga BE.
Më tej theksohet se këto vendime duket se janë të papajtueshme me ligjet kosovare, procesin ligjor dhe kërkesat e përgjithshme të sundimit të ligjit në Kosovë.
"Ato janë gjithashtu në kundërshtim me parimet e drejtësisë shumëetnike, duke shembur besimin e komunitetit sërb të Kosovës dhe duke minuar përpjekjet drejt kthimit të qëndrueshëm të sërbëve kosovarë tek institucionet kosovare. BE fton të gjithë aktorët përkatës të krijojnë kushte për gjyqësor shumëetnik në përputhje me ligjet kosovare, procesin e rregullt ligjor dhe detyrimet e marra në kuadër të dialogut që ndërmjetëson BE", bën të ditur në fund zëdhënësi i BE.
0 komentet