Berbok: Ruajtja e sigurisë dhe respektimi i integritetit territorial janë çelësi në rrugën e rajonit drejt BE-së
Ministrja e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Analena Berbok, vuri në dukje sot në Tiranë se ruajtja e sigurisë është çelësi i përparimit të rajonit të Ballkanit Perëndimor në rrugën evropiane dhe nënvizoi se kushdo që dëshiron të anëtarësohet në BE duhet të respektojë integritetin territorial, dhe të kuptojë që siguria është një çështje e përbashkët.
Pas mbërritjes në takimin e ministrave të Punëve të Jashtme në kuadër të procesit të Berlinit, Berbok theksoi se është e rëndësishme që takimi të zhvillohet në Ballkanin Perëndimor, në Tiranë.
"Konferenca e Procesit të Berlinit ka një vend në Ballkanin Perëndimor. Ballkani Perëndimor është pjesë e Evropës. Ne e ndjejmë këtë veçanërisht tek të rinjtë, të cilët nëse Evropa nuk i arrin ata, do të gjejnë rrugën e tyre drejt Evropës me pasoja katastrofike për demografia e vendeve të tyre. Prandaj synimi i BE-së dhe qeverisë gjermane është të përshpejtojnë integrimin e Ballkanit Perëndimor”, nënvizoi ajo.
Ajo theksoi se në këtë drejtim janë zbatuar shumë reforma vitet e fundit dhe se Gjermania dëshiron ta mbështesë atë.
“Fatkeqësisht, së fundmi kemi parë që çështjet e sigurisë, tensionet, të cilat menduam se ishin kapërcyer, u rikthyen në agjendë. Sulmi i tmerrshëm ndaj policisë së Kosovës është një shembull i kësaj, siç është edhe përforcimi i trupave në kufirin serb. Prandaj ky proces i Berlinit është edhe një apel i drejtpërdrejtë se BE-ja mund të lëvizet vetëm së bashku, me respektimin e integritetit territorial dhe nëse kuptohet se siguria është një çështje e përbashkët. Kjo është arsyeja pse unë do të zhvilloj bisedime për sigurinë në rajon në margjinat e këtij takimi”, theksoi Berbok.
Ajo theksoi se i dërguari i Berlinit, Manuel Zaracin, së fundi e ka diskutuar këtë me Kosovën dhe Serbinë, sepse siguria dhe paqja janë baza e procesit evropian.
"Siguria është e rëndësishme për të ecur përpara në rrugën evropiane dhe ne kemi parë se sa shpejt tensionet, të cilat shpresonim se ishin kapërcyer, mund të ndizen përsëri. Kjo është arsyeja pse ne së bashku si vende të NATO-s vendosëm ta forcojmë edhe më tej praninë tonë në Kosovë”, shtoi ajo.
Berbok tha se ka udhëtuar drejt Tiranës për të diskutuar sigurinë në rajon dhe mbi të gjitha lëvizshmërinë me kolegë nga Ballkani Perëndimor.
“Në BE ne kemi vendosur të përshpejtojmë integrimin e Ballkanit Perëndimor. Me të drejtë, pati shumë zhgënjim tek të rinjtë, të cilëve u pengohej shpresa për një rrugë drejt BE-së. Një vit e gjysmë më parë, qeveria gjermane vendosi t'u japë përgjigje pyetjeve të përditshme përmes procesit të Berlinit. Kjo është arsyeja pse marrëveshjet për lëvizshmërinë e qytetarëve në rajon janë të rëndësishme. Kur njerëzit jetojnë në një rajon ku kualifikimet dhe diplomat nuk njihen reciprokisht, është e vështirë të punosh dhe të jetosh në një vend tjetër. Për disa, njohja e kualifikimeve dhe diplomave mund të jenë gjëra banale, por mundëson shkëmbim të lirë në rajon,” shpjegoi Berbok.
komentet