Daçiç: Në Interpol e kuptojnë çështjen e integritetit territorial, Kosova as që po përpiqet më të aplikojë
Zëvendëskryeministri i Serbisë dhe ministri i Punëve të Brendshme, Ivica Daçiq, duke përmbledhur pjesëmarrjen e tij në Sesionin e 93-të të Asamblesë së Përgjithshme të Interpolit në Marakesh, njoftoi se MPB e Serbisë do të aplikojë për hapjen e Zyrës Rajonale të Interpolit për Evropën Juglindore me seli në Beograd, dhe përsëriti se Kosova nuk ka paraqitur fare kërkesë për anëtarësim.
Daçiç theksoi se Kosova gjatë pesë–gjashtë viteve të fundit as nuk ka tentuar seriozisht të aplikojë për anëtarësim në Interpol, sepse, siç thotë ai, e kuptojnë se nuk kanë asnjë shans të kenë sukses.
“Edhe këtë vit nuk ka pasur kërkesë të ‘Kosovës’ për anëtarësim. Dikush mund të thotë se ndoshta ne po merremi tepër me këtë çështje, por duke pasur parasysh se një herë tashmë jemi djegur, pra se ‘Kosova’ një herë ka aplikuar në Asamblenë e Interpolit në Dubai dhe atëherë kemi pasur nevojë të bëjmë përpjekje të mëdha për të fituar në atë votim, nuk është keq të jemi gjithmonë të kujdesshëm. Duhet të falënderoj edhe udhëheqjen më të lartë të Interpolit për mirëkuptimin ndaj kësaj çështjeje të integritetit territorial, si edhe vendet tona mike që gjithmonë reagojnë kur dikush përmend çështjen e ‘Kosovës’, ashtu si reagojmë ne kur përmendet çështja e integritetit dhe sovranitetit të tyre. Në këtë kuptim, ‘Kosova’ pesë–gjashtë vitet e fundit as që ka tentuar seriozisht të aplikojë, sepse e kupton që nuk ka asnjë shans të ketë sukses,” theksoi Daçiq.
Sipas ministrit, Interpoli nën drejtimin e presidentit në largim, Ahmed Al-Raisi, ka arritur të rikthejë parimet e tij themelore dhe të jetë organizatë e të gjitha vendeve anëtare.
“Ai i kushtoi shumë më tepër vëmendje vendeve që ndoshta kishin qenë në pozitë të pabarabartë sepse nuk i përkasin hemisferës perëndimore. Ai ka mbështetur idenë që të krijohen më shumë zyra rajonale dhe ne jemi të interesuar që Zyra Rajonale për Evropën Juglindore të jetë në Beograd dhe do të aplikojmë zyrtarisht,” tha Daçiç, duke shtuar se për aplikimin e Serbisë ka biseduar me Al-Raisin dhe sekretarin e përgjithshëm të Interpolit, Valdesi Urkiza, në margjinat e Sesionit të 93-të të Asamblesë së Përgjithshme të Interpolit, si dhe se Serbia gëzon mbështetjen e shumicës së vendeve të rajonit.
Daçiq tha gjithashtu se pret vizitën e Urkizës në Beograd gjatë muajve të ardhshëm, gjë që do të jetë rast për bisedime të mëtejshme për formimin e Zyrës Rajonale në Beograd.
"Çështja e tretë janë kontaktet bilaterale. Unë kam zhvilluar bisedime me shumë kolegë të mi ose drejtorë policie, së pari me ministrin e Punëve të Brendshme të vendit mikpritës, një person me besim të madh të mbretit të Marokut, i cili është ministër i brendshëm tashmë tetë vite, dhe me drejtorin e policisë. Gjithashtu pritet vizita e tij në Beograd dhe nënshkrimi i memorandumit të bashkëpunimit midis dy ministrive tona të Punëve të Brendshme," tha Daçiq, duke kujtuar se ka biseduar edhe me përfaqësues nga Kina, Rusia, Bosnja dhe Hercegovina, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Namibia dhe Somalia.
Ministri tha se i ka dhënë Al-Raisit mirënjohjen më të lartë që MPB mund t’i jape, yllin "Jakov Nenadoviq", ministri i parë i Punëve të Brendshme nga viti 1811, dhe kujtoi se edhe ai vetë mori medalje të posaçme nga Interpoli.
"Sot Al-Raisi më dorëzoi medaljen speciale të Interpolit, medaljen më të lartë që i jepet ministrave të punëve të brendshme, të cilën unë e konsideroj një vlerësim të madh për Ministrinë tonë, për Qeverinë e Serbisë, për Republikën e Serbisë, një njohje e madhe për gjithçka që kemi bërë, jo vetëm në planin e sigurisë së brendshme, por edhe në bashkëpunimin ndërkombëtar dhe mbështetjen e kësaj politike të udhëhequr nga presidenti i Interpolit vitet e fundit. Jam shumë mirënjohës për këtë vlerësim dhe kjo është mirënjohje për të gjithë pjesëtarët e MPB-së," përfundoi ministri.
Daçiq ka marrë dekoratën më të lartë të Interpolit të dedikuar për ministrat e punëve të brendshme, medaljen e rangut të veçantë, si shenjë vlerësimi për kontributin e tij në forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar të sigurisë dhe në luftën kundër krimit të organizuar.
Në arsyetim thuhet se medalja paraqet mirënjohje për “rezultate të jashtëzakonshme në ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit në nivel rajonal dhe global”, si dhe për forcimin e partneritetit dhe solidaritetit mes Serbisë dhe Interpolit.
“Interpol ka nderin t’ju dorëzojë këtë medalje prestigjioze të rangut të veçantë, si shprehje e mirënjohjes së lartë për rolin tuaj të dalluar në mbështetjen e punës në fushën e bashkëpunimit të sigurisë, si në Serbi ashtu edhe në nivel ndërkombëtar”, thuhet në mesazhin e Interpolit.
Organizata thekson në veçanti kontributin e Daçiqit në përmirësimin e mekanizmave të veprimit të përbashkët të shteteve anëtare kundër krimit të organizuar dhe transnacional.
Presidenti i Interpolit, Ahmed Naser Al-Raisi, ia dorëzoi dekoratën ministrit Daçiq, duke vlerësuar se ajo paraqet shprehje të “mirënjohjes së sinqertë” për përkushtimin e tij në forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën e zbatimit të ligjit dhe kontributin në ndërtimin e “një bote më të sigurt dhe më të drejtë për të gjithë”.
komentet