Dodik: Përse dikush mendon se është e mundshme që Kosova të jetë e pavarur dhe RS duhet të qëndrojë në B&H
Presidenti i Republikës Sërbe të Bosnjës Millorad Dodik ka pyetur sot se përse dikush mendon se është e mundshme që Kosova të jetë e pavarur dhe për RS duhet të qëndrojë në kuadër të Bosnjë-Hercegovinës. Këtë ai e ka komentuar për takimin e zhvilluar mes kryeministrit kosovar Albin Kurti dhe përfaqësuesit të lartë në B&H Kristian Shmid.
Kurti dhe Shmid janë takuar dje gjatë forumit të Prespës, ndërsa kryeministri kosovar pas këtij takimi ka shkruar se „i ka përcjellë Shmidit se Bosnjës i nevojitet Sarajevë e fortë dhe
fuqizimi i boshnjakëve si viktima të genocidit, ndërsa agresioni i Sërbisë ndaj Kosovës, duhet të dënohet nga të gjithë sepse ka implikime për mbarë rajonin".
Pyetjes së gazetarëve në Banja Lluka për të komentuar këtë takim dhe mesazhet e Kurtit, Dodik u përgjigj:
"Kurti dhe Shmid. Çfarë ple….sh? Po hajde aman. Nuk di se çfarë të komentoj...".
Siç tha, Shmid si qytetar i Gjermanisë, mund të “shëtisë sa të dojë dhe të presë kë të dojë" ndërsa këshillën e Kurtit që B&H duhet të forcojë Sarajevën, pyeti se përse nuk thotë në Sërbi që duhet forcuar Beogradi.
"E gjithë kjo është hipokrizia më e ulët. Ai donte të dëmtonte Sërbinë, të forconte Prishtinën dhe të vinte këtu dhe të na mbante leksion sesi të forconim Sarajevën dhe të zvogëlojmë autonominë e RS. E ne vazhdimisht pyesim veten se si është e mundur që faktori perëndimor po e shtyn Prishtinën, pra Kosovën në shtet të pavarur, dhe për RS thotë-hesht, mos fol për këtë. Si eshte e mundur kjo? Ja unë them-përse dikush mendon se është e mundur të ndërtohet Kosova si shtet i pavarur, dhe se RS duhet të mbetet brenda B&H? Dhe që disa të tjerë si ai të na mbajnë leksion se çfarë duhet bërë këtu” ka thënë Dodik.
Por, siç theksoi ai, edhe kjo është e mundur, nëse merret parasysh deklarata e Gabriel Eskobar.
“Thotë se në 90 ditët e fundit çdo gjë që bëjnë, e bëjnë në favor të Kosovës, duke përfshirë edhe pranimin në KE, mbajtjen e zgjedhjeve... Epo ti i dhe legjitimitet zgjedhjeve me vetëm 3% të pjesmarrjes... Atyre u dhe një dorë që po bëjnë këtë dhe ndaj jam i habitur...E pabesueshme” tha Dodik.
Ky i fundit shtoi se Shmid nuk meriton asnjë koment të tij, pasi bëhet fjalë për një njeri “që tërheq vëmendjen dhe asgjë tjetër”.
0 komentet