Gjuriq me Ferguson: Prania ndërkombëtare është domethënëse për paqen, stabilitetin dhe sigurinë në K&M
Ministri i punëve të jashtme të Sërbisë Marko Gjuriq gjatë bisedës me ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut në Sërbi Eduard Ferguson, theksoi domethënien e ruajtjes së prezencës ndërkombëtare për paqe, stabilitet dhe siguri në Kosovë.
Gjuriq me Fergusonin biseduan për përmirësimin e bashkëpunimit dypalësh, forcimin e marrëdhënieve politike e ekonomike, si dhe rreth çështjeve aktuale me interes të përbashkët.
Ai theksoi se vijimi i dialogut të rregullt politik në nivelin e lartë dhe më të lartë, është i rëndësisë së jashtëzakonshme për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve, deklaron Ministria e Punëve të Jashtme të Sërbisë.
U theksua veçanërisht rëndësia e vizitës së vitit të kaluar e ministrit të atëhershëm të punëve të jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, Dejvid Lami gjatë së cilës u nënshkruan memorandume që kontribuojnë në forcimin e bashkëpunimit në fusha të rëndësishme, sikurse ekonomia dhe tregtia, siguria kibernetike, lufta kundër krimit të organizuar dhe migrimi.
Shefi i diplomacisë sërbe shprehu mirënjohjen për Mbretërinë e Bashkuar për mbështetjen që i ofron Sërbisë në rrugën drejt anëtarësimit me të drejta të plota në Unionin Europian.
Duke folur rreth situatës në Kosovë, Gjuriq theksoi rëndësinë e ruajtjes së pranisë ndërkombëtare për paqen, stabilitetin dhe sigurinë, si dhe nevojën që seancat e Këshillit të Sigurimit të KB për UNMIK të vazhdojnë të mbahen rregullisht dhe në format të hapur.
Kur është fjala për marrëdhëniet ekonomike, Gjuriq vlerësoi se bashkëpunimi ekonomik mes Sërbisë dhe Mbretërisë së Bashkuar po zhvillohet dinamikisht, veçanërisht gjatë viteve të fundit, duke shtuar se vendi renditet ndër dhjetë investitorët më të mëdhenj të huaj në Sërbi.
0 komentet