Hill: Marrëveshjet mes Beogradit dhe Prishtinës nuk u arritën lehtë, pritet zbatim konkret
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd, Kristofer Hill tha sot se edhe marrëveshja e Ohrit, si dhe marrëveshjet e tjera ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës nuk u arritën lehtë, duke shtuar se ka ardhur momenti kur pritet zbatimi konkret.
Në deklaratën e tij për gazetarët në Valeva, Hill tha se është arritur deri një moment kyç - zbatimi, të cilin e vlerësoi si një moment të vështirë.
“Sa i përket marrëveshjes së Ohrit dhe marrëveshjeve të tjera, për asnjë moment nuk kam thënë se është diçka e lehtë dhe se do të jetë e lehtë, por mendoj se kemi arritur der një moment kyç, në kuptimin që duhet pritur që diçka të ndodhë në drejtim të zbatimit. Është një moment i vështirë, por mendoj se është një moment plot shpresë. Ne presim zbatimin në të ardhmen”, tha Hill.
Hill shtoi se çështja e Kosovës duhet parë si çështje rajonale në kontekstin e Ballkanit të Hapur.
Siç thotë ai, në këtë nismë bashkëpunojnë vendet e Ballkanit Perëndimor, punojnë së bashku.
"Mendoj se kjo është pjesë e procesit që do ta çojë Serbinë drejt një bashkëpunimi më të madh dhe përfundimisht drejt anëtarësimit të saj në BE. SHBA mbështet fuqishëm procesin e bashkëpunimit në kuadër të Ballkanit të Hapur dhe anëtarësimit në BE", tha Hill.
komentet