Hulumtim: Se SHBA do të mbështetë interesat serbe rreth Kosovës, besojnë 29 për qind e qytetarëve serbë

Srbija i SAD
Burim: Kosovo Online

SHBA do të mbështetë interesat serbe në dialogun me Prishtinën, sipas 29 për qind të qytetarëve, ndërsa më shumë se gjysma besojnë se në pesë deri në 10 vitet e ardhshme, marrëdhëniet ndërmjet Beogradit dhe Uashingtonit do të vazhdojnë të përmirësohen, pra të jenë në nivelin më të lartë të mundshëm, tregoi hulumtimi i fundit i bërë nga Kongresi i Miqësisë Serbo-Amerikane në bashkëpunim me agjencinë Faktor plus.

Në pyetjen “çfarë pritshmërish keni nga SHBA duke marrë parasysh interesat serbe”, 17,9 për qind e qytetarëve janë përgjigjur se presin që SHBA të mbështesë një zgjidhje kompromisi në dialogun Beograd-Prishtinë, 29 për qind besojnë se Uashingtoni do të mbështesë interesat serbe, ndërsa vetëm 3.2 për qind presin që Uashingtoni të mbështesë interesat e shqiptarëve në dialog.

Vlladimir Marinkoviq, themeluesi i Kongresit të Miqësisë Serbo-Amerikane, theksoi se marrëdhëniet e mira ndërmjet Beogradit dhe Uashingtonit janë shumë të rëndësishme, si dhe se tradita e gjatë e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Serbisë dhe SHBA-së është pa konkurrencë në rajon.

“Ne kemi nevojë për një aleancë me SHBA”, tha Marinkoviq.


Dhe ndërsa 29.8 për qind e qytetarëve presin që marrëdhëniet ndërmjet Beogradit dhe Uashingtonit do të vazhdojnë të përmirësohen në të ardhmen, dhe 25 për qind që marrëdhëniet do të jenë siç ishin gjatë aleancës gjatë Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore, 21 për qind besojnë se marrëdhëniet do të përkeqësohen.

Drejtori i agjencisë “Factor plus”, Vlladimir Pejiq, thotë se anketa ka treguar se një numër i madh i qytetarëve besojnë se nuk mund të ketë dialog të suksesshëm me Prishtinën pa ndikimin e SHBA-së.


“E pamë se 29 për qind e qytetarëve shpresojnë që Amerika mund ta përdorë autoritetin e saj që Serbia të arrijë një marrëveshje aq të mirë sa është dhe të mbajë jo vetëm dinjitetin por edhe pozitat që u përshtaten qytetarëve kur është fjala për Kosovën dhe Metohinë. Sigurisht që jo të gjithë mendojnë kështu, por duket se disa gjëra po ndryshojnë dhe SHBA-të në disa raste kanë bërë presion mbi qeverinë e Prishtinës dhe kanë mbështetur Serbinë në situata të caktuara”, tha Pejiq.

Të pyetur se çfarë qëndrimi kanë ndaj SHBA-së, 12.4 për qind e të anketuarve janë përgjigjur se kanë qëndrim pozitiv (në anketën e mëparshme 9.5 për qind kanë pasur opinion pozitiv), disi pozitiv 15.3, as pozitiv e as negativ 27.5 qytetarë, dhe disi negative 23 dhe negative 9.7 për qind.

Në pyetjen nëse i konsiderojnë SHBA-të përgjegjëse për bombardimin e Serbisë në vitin 1999, 60,9 për qind e të anketuarve janë përgjigjur me “po”, 22,3 për qind me “jo”, ndërsa 16,9 për qind e qytetarëve nuk kanë dashur të thonë asgjë.

Rreth 43 për qind e qytetarëve, të pyetur se në cilin drejtim duhet të zhvillohen marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe SHBA-së, janë përgjigjur “rritja e volumit të shkëmbimit ekonomik”, 16,5 deklarojnë “partneritet strategjik mes dy vendeve, duke marrë parasysh interesat gjeopolitike të të dyja palët”, për 12.1 për qind të të anketuarve është bashkëpunimi ushtarak, dhe 30 për qind të të anketuarve, një rritje në fushën e shkëmbimit dhe bashkëpunimit shkencor dhe teknologjik.