Ibrahimoviq: Mbështetja për Kosovën në Këshillin e Evropës është prioritet i Malit të Zi

Ervin Ibrahimović
Burim: X

Zëvendëskryeministri i Malit të Zi dhe ministër i punëve të jashtme, Ervin Ibrahimoviq, ka deklaruar se mbështetja e Podgoricës zyrtare për kërkesën e Prishtinës për anëtarësim në Këshillin e Evropës "nuk do ta rrezikojë koalicionin qeverisës", sepse, siç theksoi ai, qëllimet e politikës së jashtme janë të përcaktuara qartë, raporton RTV.

"Mali i Zi është i njohur nga partnerët ndërkombëtarë si një shtet që kultivon marrëdhënie të mira fqinjësore. Pra, ne do ta mbështesim shtetin tonë mik, Kosovën, sepse është prioritet i politikës sonë të jashtme të bëhemi anëtarja e radhës e Bashkimit Evropian dhe kjo nuk është në kundërshtim me këtë rrugë," tha Ibrahimoviq, i cili është edhe kryetar i Partisë Boshnjake.

Ai tha gjithashtu se Mali i Zi ka mbështetjen e Kroacisë në rrugën drejt BE-së.

"Ajo që është pozitive, pas pesë vitesh kemi filluar konsultimet politike bilaterale. Gjërat absolutisht janë lëvizur. Nuk dua të flas pa bazë, por mendoj se për 12 apo 13 ditë do të kemi përgjigje për disa çështje," tha Ibrahimoviq.

Si ministër i jashtëm, ai do të jetë pjesë e delegacionit malazez në samitin e NATO-s në Hagë, ku do të diskutohet për rritjen e shpenzimeve për mbrojtje.

"Ajo që ka rëndësi është se Mali i Zi është njohur si një partner i besueshëm dhe ne si një shtet i vogël do të japim kontributin tonë në sigurinë kolektive," theksoi Ibrahimoviq.

Ai shtoi se në fushën e integrimeve evropiane Mali i Zi po bën gjëra të mira dhe se konferenca ndërqeveritare e ardhshme do të jetë një konfirmim i mirë për këtë.

Ibrahimoviq konfirmoi se Mali i Zi është tërhequr nga gara për anëtar jo të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për periudhën 2026–2027, por shtoi se kanë paraqitur kandidaturën për periudhën 2040–2041, raportoi portali RTCG.