Komuna e Mitrovicës së Veriut ndaloi rrënimin në Lagjen e Boshnjakëve, policia shoqëroi zyrtarët komunalë

Bošnjačka mahala
Burim: Kosovo Online

Komuna e Mitrovicës së Veriut njoftoi se inspektorati komunal ka ndërprerë punimet për rrënimin e disa objekteve në Lagjen e Boshnjakëve, duke bërë të ditur se kontraktori nuk kishte leje të vlefshme për rrënimin e tyre, ndërsa, siç theksojnë, Policia e Kosovës i ka penguar zyrtarët komunalë në kryerjen e detyrave të tyre dhe i ka shoqëruar në stacionin policor.

Siç bëjnë të ditur, me kërkesë të qytetarëve të shqetësuar për shkak të ndërtimit të planifikuar të objekteve të banimit në Lagjen e Boshnjakëve, Drejtoria e Inspekcionit ka reaguar dhe ka kërkuar qasje në dokumentacionin komunal.

Ata theksojnë se i gjithë procesi i trajtimit të lëndës, nga ndryshimi i destinimit të tokës e deri te dhënia e lejeve për rrënimin e objekteve ekzistuese dhe ndërtimin e objekteve të reja, është përgjegjësi e udhëheqjes së mëparshme të Komunës së Mitrovicës së Veriut.

„Nga shqyrtimi i dosjes së lëndës, e cila është trajtuar nga udhëheqja e mëparshme komunale, është konstatuar se leja e lëshuar për rrënim në fakt ka skaduar më 18.08.2025. Nga shqyrtimi i Geoportalit të Kosovës është konstatuar se aktualisht po rrënohen objekte të cilat në fakt ndodhen në parcelë komunale dhe se për rrënimin e tyre kontraktori në fakt nuk ka marrë asnjëherë leje nga Komuna. Lidhur me këtë, inspektorati komunal ka dalë në terren dhe i ka urdhëruar kontraktorit ndërprerjen e menjëhershme të çfarëdo aktiviteti deri në një njoftim të mëtejshëm“, shpjegohet në njoftim.

Ekipi ligjor i Komunës, siç shtojnë, pas shqyrtimit të hollësishëm të lëndës ka konstatuar dyshime për një sërë parregullsish procedurale, për shkak të të cilave Komuna e Mitrovicës së Veriut do të iniciojë procedurë penale ndaj personave që kanë marrë pjesë në, siç pretendojnë, veprimet e paligjshme gjatë këtij procesi.

„Absurdi i gjithë situatës është veprimi i policisë, e cila përsëri, në vend që t’u ofrojë asistencë zyrtarëve komunalë, i pengon ata në kryerjen e detyrave dhe obligimeve të tyre dhe i shoqëron në stacionin policor, ku në momentin e publikimit të këtij njoftimi vazhdojnë të ndodhen“, përfundohet në njoftim.