Kos: Për të gjithë nga Ballkani Perëndimor ka vend në BE, nuk ka vendim për ngrirjen e fondeve të dedikuara për Serbinë

Kos.jpg
Burim: Kosovo Online

Komisionerja evropiane për zgjerim, Marta Kos, deklaroi sot se për të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor ka vend në Bashkimin Evropian, por se vendet kandidate duhet të përmbushin obligimet e marra për të përparuar në rrugën evropiane. Njëkohësisht, ajo theksoi se nuk ka pasur asnjë vendim formal për ngrirjen e fondeve të dedikuara për Serbinë.

Kos porositi se si shtetet kandidate, ashtu edhe Bashkimi Evropian, duhet të përmbushin obligimet e tyre në procesin e integrimeve evropiane.

„Sot do të bisedojmë për tema kyçe gjeopolitike, duke filluar nga Ballkani Perëndimor. Kam një mesazh shumë të qartë: për të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor ka vend në Bashkimin Evropian. Zgjerimi është prioritet për Bashkimin Evropian. Nëse kandidatët tanë përmbushin atë që pritet prej tyre, atëherë edhe ne duhet të përmbushim obligimet tona. Dhe ne po e bëjmë këtë. Siç e dini, pas 17 vitesh për herë të parë kemi krijuar një grup pune për marrëveshjen e anëtarësimit për një vend të ri. Bëhet fjalë për Malin e Zi. Eurobarometri i fundit tregoi se qytetarët e Malit të Zi janë në masë të madhe pro anëtarësimit në BE“, tha Kos.


Ajo vlerësoi se zbatimi i Planit të Rritjes po ecën mirë dhe shtoi se BE-ja në ditët në vijim do të paguajë afër 200 milionë euro për Malin e Zi, Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

„Gjithashtu po sjellim rezultate konkrete sa i përket integrimit gradual. Siç e dini, javën e kaluar Serbia iu bashkua Shqipërisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut në sistemin SEPA. Tani po përgatisim samitin BE – Ballkani Perëndimor, i cili do të mbahet në Podgoricë më 5 qershor. Dhe pres një përkushtim vërtet të fortë nga të gjithë kandidatët nga Ballkani Perëndimor që të mbeten fuqishëm në rrugën evropiane“, theksoi ajo.

Kos deklaroi se ajo kurrë nuk ka dëgjuar se fondet e dedikuara për Serbinë janë ngrirë.

„Vërtet, kjo është shumë e rëndësishme për Serbinë. Serbia demokratike ka vend në BE dhe ajo që po bëjmë tani është të kontrollojmë vazhdimisht nëse të gjitha vendet përfituese të mjeteve nga Plani i Rritjes po i përmbushin kriteret. Është e vërtetë që, pas amendamenteve në drejtësi disa muaj më parë, nuk kemi bërë asnjë pagesë, por nuk është marrë asnjë vendim formal për pezullimin e pagesave. Pra, nëse Serbia i përmbush kriteret, dhe ne shpresojmë për këtë. Mendoj se është shumë e rëndësishme që, kur kemi vende kandidate, të jemi të vetëdijshëm – dhe këtë e kemi thënë shumë herë si unë ashtu edhe presidenti ynë – se statusi i kandidatit nënkupton obligime nga të dyja palët. Nga vendi kandidat presim përparim, e jo regres në fusha të caktuara“, përfundoi Kos.