Kryeziu: KQZ u bë i politizuar dhe jokompetent, vendimi për Listën Sërbe skandaloz dhe jo-justifikues
Drejtori i Institutit Demokratik Kosovar (KDI) Ismet Kryeziu vlerëson se vendimi i KQZ për të mos publikuar rezultatin final për Listën Sërbe është skandaloz dhe jo-justifikues dhe paraqet shkelje serioze të së drejtës në paraqitjen politike.
Kryeziu tha se ky vendim shkaktoi reagime të ashpra të bashkësisë ndërkombëtare.
“Ky veprim gjithashtu rrezikon të shkaktojë vonesa serioze në proçesin e konfirmimit të zgjedhjeve, vonesa të papranueshme që shtyjnë vendin drejt skadimit të afateve kushtetuese dhe kërcënojnë direkt konstituimin e institucioneve, duke e vendosur Kosovën në prag të krizës së re institucionale”, thekson.
Kryeziu theksoi se KQZ është bërë një institucion i politizuar dhe jokompetent i cili sikurse tha me veprime dhe mosveprime, dëmton direkt demokracinë zgjedhore dhe interesat kombëtare të Kosovës.
“Papërgjegjshmëria e anëtarëve të saj dhe mungesa e theksuar e profesionalizmit dëmtuan seriozisht integritetin e proçesit zgjedhor, duke shkatërruar reputacionin që Kosova ndërtoi si shembull pozitiv në zhvillimin e demokracisë zgjedhore, përfshirë vlerësimet e partnerëve ndërkombëtarë”, tha Kryeziu në Fejsbuk.
Ai bën të ditur se në çdo demokraci funksionale, personat përgjegjës për degradimin institucional do të largoheshin fill nga funksionet dhe do të mbanin përgjegjësi politike e morale.
"Vazhdimi i tyre në KQZ përfaqëson shkelje serioze të vlerave demokratike dhe shkelje flagrante të parimit të sundimit të ligjit. Për më tepër, anëtarët e KQZ që vijnë nga partitë opozitare, duhet të sqarojnë publikisht se çfarë përfaqësojnë aty, kur çdo votë e tyre rezulton në nënshtrim dhe diktim ndaj vullnetit të partisë në pushtet", theksoi Kryeziu.
Në këto rrethana, sikurse shton, partitë opozitare dhe përfaqësuesit e tyre duhet t'i bashkohen haptazi Lëvizjes Vetëvendosja dhe të formalizojnë realitetin e opozitës, e cila në fakt po shkatërrohet.
komentet