Kurti i është përgjigjur Borelit: Operacionet policore në Kosovë nuk janë punë e asnjë zyrtari evropian
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka reaguar sot ndaj sugjerimeve që i ka dërguar Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Gjuzepe Borel, ndër të cilat thuhet se Kurti duhet të koordinojë vendimet që merr me KFOR-in dhe EULEX-in. Me atë rast, Kurti tha se operacionet policore nuk janë punë e asnjë zyrtari evropian, transmeton Koha.
"Ne jemi një republikë demokratike. Unë nuk e di kur është arrestuar ndonjë kriminel, sepse kjo është çështje e policisë hetimore, njësive arrestuese dhe prokurorisë. Ka arrestime që unë i shoh saktësisht në të njëjtën kohë me ju. sepse ne jemi republikë demokratike. I këtillë ka qenë edhe arrestimi i Millun Millenkoviq- Llune, aksioni operativ, kur dikush duhet të arrestohet, nuk është punë ime, besoj, as e ndonjë zyrtari evropian. Sundimi i ligjit në Kosovë është çështje e Policisë së Kosovës që i ka kryer trajnime të panumërta në vendet perëndimore dhe atje kanë mësuar se si nuk duhet lejuar të politizohen operacionet policore. Prandaj nuk mund të bëj asnjë kompromis në kurriz të kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë”, tha Kurti.
Kurti e ka quajtur të pakuptueshme që mekanizmat ndërkombëtarë duhet të paralajmërohen për vendosjen e rendit dhe ligjit në Kosovë.
“Nuk ka kuptim që për zbatimin e sundimit të ligjit të ketë paralajmërim para zbatimit të ligjit”, tha Kurti.
Ai shprehu gatishmërinë për t'u takuar me palën serbe dhe me ndërmjetësuesit evropianë.
“E kam shprehur gatishmërinë për dialog. Kur të caktojnë takim, jam gati, por nuk mund t'i shkel ligjet në Kosovë”, tha Kurti.
Lidhur me deklaratën e Borelit se nuk mund të organizohet një takim i ri dialogu para se Kosova të ndërmarrë hapa për de-përshkallëzimin e situatës, Kurti ka përsëritur se prania e policisë së Kosovës në veri do të reduktohet vetëm kur “grupet kriminale largohen” nga ajo pjesë.
Dje, Borel i tha Kurtit se të gjitha masat e ardhshme në kuadër të sundimit të ligjit në veri të Kosovës duhet të shqyrtohen dhe vlerësohen individualisht me EULEX-in dhe KFOR-in.
komentet