Macut me Feliksin: Sërbia çmon qëndrimin e Meksikës në mosnjohjen e Kosovës
Kryetari i Qeverisë së Sërbisë Gjuro Macut ka biseduar sot me ambasadorin meksikan Karlos Feliks, të cilin e ka falënderuar për qëndrimin parimor të Meskikës dhe mbështetjen e vazhdueshme në ruajtjen e integritetit territorial dhe sovranitetit të Sërbisë, si dhe për qëndrimin e pandryshuar në lidhje me mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës.
Sikurse bëhet e ditur në njoftimin e Qeverisë së Sërbisë, Macut dhe Feliks kanë biseduar për përmirësimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe dhe forcimin e bashkëpunimit në fushat me interes të përbashkët.
Në takim u vlerësua se të dy vendet ushqejnë marrëdhënie tradicionalisht miqësore, të bazuara në respektin dhe mirëkuptimin reciprok.
Bashkëbiseduesit gjithashtu biseduan dhe rreth mundësive për intensifikimin e bashkëpunimit ekonomik para së gjithash në fushën e ekonomisë dhe industrisë, si dhe për përmirësimin e bashkëpunimit në sektorë të tjerë me interes reciprok.
Macut theksoi se Sërbia i kushton rëndësi të madhe zhvillimit të mëtejshëm të marrëdhënieve me Meksikën dhe shprehu besimin se kontaktet e ardhshme të nivelit të lartë do t'i japin shtysë më tej bashkëpunimit të përgjithshëm dypalësh.
Ambasadori Feliks kujtoi se këtë vit shënohen 80 vite nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve dhe theksoi se Meksika është e përkushtuar për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit me Sërbinë.
0 komentet