Musa: BQK mund të licencojë një bankë të re që do të monitoronte transaksionet e parave nga Serbia
Banka Qendrore e Kosovës mund të licencojë një bankë të re që do të monitoronte transaksionet financiare nga Serbia dhe në këtë mënyrë do të parandalonte evazionin fiskal dhe transfertat e parave që janë në kundërshtim me ligjet aktuale, ka deklaruar për Kosovo online Lekë Musa, ekspert i ekonomisë dhe ish-kryetar i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë.
Musa beson se dekreti i Bankës Qendrore të Kosovës për përdorimin e euros si valutë e vetme në qarkullim, që nga 1 shkurti i këtij viti, në transaksionet e pagesave në Kosovë, është dashur të miratohet më herët.
“Vendimi është i mirëpritur, që një vend të tërheqë investitorë të huaj nuk duhet të ketë anomali si prania e dy monedhave. Nga aspekti ekonomik, ky vendim duhet parë si një proces që sjell stabilitet afatgjatë në ekonominë e vendit tonë, sepse po shkon drejt formimit të një sistemi normal ekonomik, siç funksionojnë ekonomitë perëndimore”, tha Musa.
Ish-kryetari i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë shtoi se Qeveria në Prishtinë në marrëveshjet e dakorduara me Serbinë, të cilat i referohen mbështetjes financiare për komunitetin serb, insiston që pagesat ekskluzivisht të jenë në euro.
“Qytetarët e kombësisë serbe duhet të mësohen me faktin se në Kosovë përdoret vetëm një monedhë dhe kjo është euro. Në të njëjtën kohë, është e nevojshme që me kujdes të monitorohet dhe parandalohet rritja e ekonomisë gri në veri të Kosovës apo në vendet tjera ku jeton komuniteti serb. Bashkimi Evropian duhet ta kuptojë dhe ta dijë se veriu i Kosovës ka qenë jashtë sistemit fiskal, sikurse nuk është paguar rryma, taksat dhe obligimet tjera fiskale që i kanë të gjithë qytetarët e këtij vendi. Ata tani duhet të jenë pjesë e sistemit juridik dhe fiskal të Kosovës. Përdorimi i euros si valutë e bën më të lehtë për zyrtarët të monitorojnë transaksionet dhe të përcaktojnë se kush nuk paguan taksat”, përfundoi Musa.
komentet