Pantoviq: Popoviq nuk shpërndau urrejtje, do apelojmë vendimin e gjykatës

Ljubomir Pantović
Burim: Kosovo Online

Avokati Ljubomir Pantoviq vlerësoi se fjalimi i Igor Popoviqit ndihmës drejtori i Zyrës për K&M, nuk pati asnjë fjalë urrejtjeje, as përmendi grupe të tjera etnike kështu që do të apelojmë vendimin e gjykatës e cila i caktoi masën e paraburgimit 30 ditor.

“Gjykatësi për procedurën paraprake të Gjykatës Themelore në Prishtinë, i caktoi paraburgim 30 ditor Igor Popoviqit. U pranua një kërkesë nga Zyra e Prokurorit Special për konfirmim paraburgimi në të cilën pretendohet se Igor Popoviq shkaktoi përçarje dhe intolerancë në fjalimin e tij që mbajti dy ditë më parë në Hoçën e Madhe. Dhe më besoni, kjo është e gjitha, por që nuk ishte gjuhë urrejtjeje, ky nuk ishte fjalim që shkaktoi përçarje dhe intolerancë”, tha ai.

Sikurse deklaroi avokati, Igor Popoviq foli për situatën e rëndë të popullsisë sërbe në atë zonë.

"Veçanërisht në atë pjesë të Rahovecit dhe Hoçës së Madhe, në Metohi. Në asnjë fjalë nuk përmendi asnjë grup tjetër etnik apo nacional, veçanërisht jo shqiptare. Ai nuk tha asgjë të keqe. Dhe është vërtet e paqartë përse gjykata pranoi kërkesë të tillë nga prokuroria", theksoi ai.

Sikurse deklaroi më tej, prokurori në fjalën e tij madje tha se ky fjalim dëmtoi ndjeshëm marrëdhëniet ndërnjerëzore mes sërbëve dhe shqiptarëve.

"Sigurisht që do të paraqesim apelim ndaj këtij vendimi. Do të ndërmarrim disa aktivitete të tjera në atë drejtim, në mënyrë që paraburgimi të zgjasë sa më shkurt".