Pavlovic Today: Në Nju Jork u propozua që KFOR të merrte kontrollin në veri të Kosovës

Kfor Leposavić
Burim: Kosovo Online

Në një takim me dyer të mbyllura të zyrtarëve të administratës amerikane dhe liderëve të Ballkanit Perëndimor, të mbajtur javën e kaluar në Nju Jork, gjatë seancës së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, u propozua që KFOR-i të marrë kontrollin e veriut të Kosovës, shkruan portali “The Pavlovic Today”, duke iu referuar burimeve diplomatike të paidentifikuara.

Një burim i lartë diplomatik, i cili këmbënguli të mbetet anonim për shkak të natyrës së ndjeshme të bisedimeve, tha për “Pavlovic Today” se liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor u shprehën shqetësimin e tyre zyrtarëve amerikanë lidhur me veprimet destabilizuese të kryeministrit të Kosovës Albin Kurti në veri të Kosovës.

Apelin për ndërhyrje e kanë bërë “së paku dy liderë të Ballkanit Perëndimor, përveç Serbisë”, të cilët urgjentisht kërkuan nga SHBA që të ndalojë “aktivitetet destabilizuese” të kryeministrit Kurti në Kosovë.

Është propozuar që pushteti në veri të Kosovës, i cili aktualisht mbahet nga Forca Policore e Kosovës, t'i besohet KFOR-it.

Liderët e Ballkanit Perëndimor shprehën shqetësimin e tyre të thellë për situatën në veri të Kosovës të krijuar nga veprimet e njëanshme të kryeministrit Kurti, duke vënë në dukje pasojat e mundshme që mund të përhapen në rajon më të gjerë.

Ata thanë se jostabiliteti në këtë pjesë të Kosovës paraqet kërcënim të madh për paqen dhe sigurinë rajonale.

Liderët theksuan se zgjidhja më e mirë është t'i jepet KFOR-it kontroll të plotë mbi veriun e Kosovës dhe në këtë mënyrë të parandalohet që Kurti të destabilizojë rajonin.

U tregua se popullata serbe ka besim në KFOR-in dhe EULEX-in si aktorë të paanshëm të aftë për të ruajtur paqen.

Liderët e Ballkanit Perëndimor besojnë se dorëzimi i kontrollit të plotë të veriut të Kosovës te KFOR-i do të ndihmonte në kthimin e çështjes së Kosovës në kanalet diplomatike dhe vazhdimin e dialogut që është thelbësor për zgjidhjen e tensioneve të vazhdueshme në rajon.

Vetëm 24 orë para takimit ku bashkësia ndërkombëtare duhej të shqyrtonte këtë propozim, sipas “Pavlovic Today”, një incident shqetësues ka ndodhur në Banjskë.

Ky zhvillim shqetësues ngre një pyetje djegëse: nëse ky shpërthim i dhunës ishte thjesht një rastësi në dritën e propozimit të ardhshëm për zëvendësimin e Policisë së Kosovës me KFOR-in, tregon portali.

Nëse nuk do të kishin ndodhur ngjarjet e mëngjesit të së dielës, ka shumë të ngjarë që diskutimi i planifikuar për të hënën do të ishte rrotulluar rreth opsionit që KFOR të merrte kontrollin në veri - rreth një teme me rëndësi të madhe për Bashkimin Evropian, Shtetet e Bashkuara, Gjermaninë dhe Francën.

Një burim diplomatik për “Pavlovic Today” thotë se motivi i kryeministrit Kurti për dërgimin e forcave kosovare në Banjskë është që t'ia kalojë fajin palës serbe dhe të fitojë legjitimitet për praninë e vazhdueshme të Policisë së Kosovës në veri të Kosovës.

Ky veprim, ka sqaruar burimi diplomatik, është në kundërshtim të drejtpërdrejtë me nenin 9 të Marrëveshjes së Brukselit të vitit 2013, i cili përcakton se përbërja e Policisë së Kosovës në veri duhet të pasqyrojë përbërjen etnike të popullsisë në katër komunat, konkretisht të komunitetit serb në veri të Kosovës.

“The Pavlovic Today”, bazuar në burime diplomatike, beson se bisedimet për kalimin e kontrollit të KFOR-it mbi veriun e Kosovës do të zhvillohen në ditët në vijim.

“Dështim total i dialogut të BE-së. NATO duhej të merrte kontrollin”, tha ish-zyrtari i Shtëpisë së Bardhë për mendimet e tij për “Pavlovic Today”.