Petkoviq: Ndalimi i Trajkoviqit është përpjekje për frikësimin e serbëve para zgjedhjeve
Ndalimi i Aleksandar Trajkoviqit nga Uglara, në përfundim të fushatës parazgjedhore, është një presion i ri ndaj popullit serb, veçanërisht në pjesën qendrore të Kosovës, me qëllimin e vetëm që Albin Kurti ta ndihmojë të preferuarin e tij, Nenad Rashiqin, në garën zgjedhore, thuhet në një komunikatë të drejtorit të Zyrës për Kosovën dhe Metohinë, Petar Petkoviq.
Petkoviq më tej theksoi se është e qartë se Rashiqi dhe Kurti janë nervozë, sepse fushata e tyre parazgjedhore, frikësimet, shantazhet dhe kërcënimet ndaj votuesve serbë në Kosovë nuk janë të mjaftueshme për t’ia marrë sërish një mandat Listës Serbe.
“Ata tani po përpiqen fizikisht t’i pengojnë serbët të marrin pjesë në zgjedhje dhe të mbështesin Listën Serbe, e cila është e vetmja që punon në interes të popullit tonë. Trajkoviqit, të cilit i është caktuar ndalimi deri në 48 orë, i është siguruar ndihmë juridike nga avokati, ndërsa Zyra për Kosovën dhe Metohinë është në kontakt me përfaqësuesit tanë në terren lidhur me këtë goditje të paligjshme dhe të turpshme ndaj një aktivisti të Listës Serbe”, tha Petkoviq.
Drejtori i Zyrës për Kosovën dhe Metohinë theksoi se asnjë “narrativë e rreme me të cilën Prishtina përpiqet ta diskreditojë Trajkoviqin nuk do të kalojë, sepse serbët në Kosovë dhe Metohi e njohin dhe e vlerësojnë shumë mirë atë, dhe Kurti kurrë nuk do të mund t’i detyrojë serbët ta duan tradhtarin Rashiq dhe ata që e kanë shitur besën për përfitime personale”.
“Përderisa të ekzistojë edhe serbi i fundit i ndershëm në Kosovë dhe Metohi, ai do të votojë kundër Rashiqit, Kurtit dhe atyre që nuk i duan asgjë të mirë popullit serb, dhe do të jetë pranë shtetit të tij, Serbisë, dhe Listës Serbe”, përfundoi Petkoviq.
Policia e Kosovës mbrëmë ka kontrolluar lokalin dhe shtëpinë familjare të Aleksandar Trajkoviqit në Uglarë, pas së cilës ai është shoqëruar për një bisedë informative.
0 komentet