Prenkaj: Në Konferencën e Mynihut, aktorët kryesorë do të paraqesin konturat e rendit të ri botëror
Diplomati Albert Prenkaj deklaroi për Kosovo online se bota ndodhet në trajektoren e një rendi të ri botëror dhe se beson që në Konferencën e Sigurisë në Mynih, e cila fillon sot, aktorët kryesorë do të paraqesin konturat e këtij rendi të ri, duke dhënë një pamje të ndarë në: Veriun Global, Jugun Global dhe Hemisferën Perëndimore.
“Në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, zyrtarë shtetërorë theksuan se tashmë ka ndodhur ajo që e quajnë ‘rupturë’ e rendit të vjetër botëror dhe fillimi i një të riu, me të cilin duhet ‘të mësojmë të jetojmë’. Në Konferencën e Mynihut vitin e kaluar, zëvendëspresidenti i SHBA-së, J.D. Vance, si dhe sekretari i shtetit Marco Rubio, folën hapur për doktrinën e re dhe paralajmëruan strategjinë kombëtare të SHBA-së. Me Strategjinë e re Kombëtare dhe Ligjin për Autorizimet e Mbrojtjes Kombëtare për vitin fiskal 2026, SHBA-ja po përcakton drejtimin e rendit të ri botëror”, theksoi Prenkaj.
Pavarësisht deklaratës së ministrit të Federatës Ruse, Sergey Lavrov, i cili sipas Prenkajt ka theksuar se me SHBA-në mund të diskutohet për Ballkanin, përkatësisht për Bosnje e Hercegovinën dhe vendet e tjera të rajonit, Prenkaj mendon se në rajonin tonë do të ruhet paqja dhe siguria për shkak të pranisë së forcave të NATO-s.
Ai rikujtoi deklaratën e ambasadorit të Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë, Jonathan Hargreaves, të dhënë në selinë e NATO-s në Bruksel, e cila sipas tij tregon një zhvillim pozitiv të ngjarjeve, pasi Hargreaves foli për “të ardhmen e Kosovës me NATO-n dhe të ardhmen e NATO-s me Kosovën”, si dhe për faktin që Kosova kontribuon në sigurinë evropiane, potencialisht në Ukrainë dhe në vende të tjera evropiane.
“Ky kontekst, natyrisht, nënkupton një zhvillim pozitiv jo vetëm për Kosovën, por edhe për rajonin”, përfundoi Albert Prenkaj.
0 komentet