Recaj: Vërejtje konfuze të Kosovës dhe Serbisë për ligjshmërinë e marrëveshjes nga dialogu, nënshkrimi pa vullnet nuk ndihmon

Besfort Recaj
Burim: Kosovo Online

Besfort Recaj nga Universiteti i Prishtinës thotë se situata me marrëveshjet e arritura vitin e kaluar në kuadër të dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës është komplikuar shumë, sepse në njërën anë, Bashkimi Evropian e ka shumë të qartë se këto janë marrëveshje në kuptimin formal dhe në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, ndërsa në anën tjetër Kosova dhe Serbia paraqesin vërejtje konfuze sa i përket ligjshmërisë së tyre.

Kjo, thotë ai, ka komplikuar kriteret për përcaktimin e përmbushjes së marrëveshjes.

“Kryeministri ynë Albin Kurti beson se marrëveshja duhet të nënshkruhet që të jetë efektive, ndërsa Vuçiq nga ana tjetër nuk dëshiron t'i nënshkruajë marrëveshjet dhe pretendon se ato janë gojore. Ai dërgon sinjale konfuze në Bruksel kur ndonjëherë deklaron se këto marrëveshje nuk janë ligjërisht të detyrueshme. E gjithë kjo situatë e ndërlikon procesin e raportimit të përputhshmërisë sepse duhet të ketë një lloj kuptimi të përbashkët nëse njëra apo tjetra palë ka përmbushur një kusht të caktuar. Sigurisht që fjalën përfundimtare do ta ketë Bashkimi Evropian, sepse ai u zgjodh si arbitri në këtë process, dhe që do të kushtëzojë ndihmën e mëtutjeshme dhe proceset e mëtutjeshme të integrimit evropian të të dyja palëve në përputhje me përmbushjen e obligimeve të marra me marrëveshje”, thekson Recaj.

Ai tregon se nga pikëpamja juridike marrëveshjet e vitit të kaluar janë në fuqi dhe janë në përputhje me Konventën e Vjenës për të drejtën e kontratave.

“Nënshkrimi fizik i këtyre marrëveshjeve nuk do të ndihmonte shumë nëse palët nuk janë të gatshme t'i përmbushin sepse ne kemi probleme me marrëveshjet e tjera që janë nënshkruar por nuk zbatohen siç duhet, kështu që nënshkrimi nuk garanton që palët t'i përmbushin. Përmbushja e marrëveshjeve sipas ligjit ndërkombëtar duhet të jetë në mirëbesim nga palët, dhe nëse nuk ka vullnet ndërmjet palëve ose nëse ekziston vullneti për t'i anashkaluar ose disi evituar marrëveshjet dhe për t'i interpretuar ato në një mënyrë që nuk është në përputhje me qëllimet e palëve, atëherë problemet lindin edhe në rastet kur marrëveshjet janë nënshkruar”, thekson Recaj.