Stano: Beogradi dhe Prishtina të ndërmarrin hapa konkretë për të de-përshkallëzuar situatën

Peter Stano
Burim: Kosovo Online

Duke komentuar situatën në Kosovë, Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka thënë se është më e rëndësishmja që Beogradi dhe Prishtina të ndërmarrin hapa konkretë për të de-përshkallëzuar situatën në terren, transmeton RTS.

Stano u bëri thirrje palëve që të punojnë për një zgjidhje të qëndrueshme dhe shtoi se platforma për këtë është dialogu me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

“Ne jemi gjithmonë të gatshëm të presim dhe ftojmë presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, në një takim, kur të plotësohen kushtet dhe kur të dy të bien dakord”, tha Stano në konferencën për media.

Ai tha se sot Prishtinën do ta vizitojnë përfaqësuesi special i BE-së Miroslav Lajçak dhe i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, ndërsa nesër do të jenë në Beograd.

Ai vuri në dukje se të dy do të përsërisin thirrjet evropiane dhe amerikane për të de-përshkallëzuar situatën dhe për të ndërmarrë hapa drejt arritjes së një zgjidhjeje të qëndrueshme.

Siç tha ai, Lajçak pas vizitës do ta informojë Përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Gjuzepe Borel për situatën në terren, i cili do t'ua raportojë shteteve anëtare, pas së cilës do të vendosin për hapat e ardhshëm.

Stano kujtoi se Borel, në emër të të 27 anëtarëve të BE-së, u bëri thirrje të dyja palëve të marrin masa për të de-përshkallëzuar situatën.