Surliq: Ideja e Ramës për një strategji daljeje për Prishtinën, që përmbushja e detyrimeve të mos jetë një lëshim për Beogradin

Surlić
Burim: Kosovo Online

Docenti i Fakultetit të Shkencave Politike në Beograd, Stefan Surliq, vlerëson për Kosovo online se propozimi i kryeministrit shqiptar Edi Rama - që Kosova të ngrijë dialogun dypalësh me Serbinë dhe të përmbushë në mënyrë të njëanshme kushtet e procesit të normalizimit - është një lloj strategjie e daljes që Prishtina të fillojë përfundimisht t'i përmbushë obligimet e saja, pa u paraqitur si koncesione ndaj Beogradit, por për hir të ndonjë qëllimi më të lartë, siç është anëtarësimi në Bashkimin Evropian.

Sipas Surliqit, Rama duket se ka dashur të paraqesë një zgjidhje kreative që përfaqësuesit e Prishtinës të dalin nga rrethi vicioz i agjendës nacionaliste që nuk jep rezultate.

“Gjithçka që ka qenë në fushatën parazgjedhore të Vetëvendosjes deri më tani ka qenë në kontekstin: “Nuk do t'i lëmë asgjë Beogradit, nuk do të formojmë Asociacionin e Komunave Serbe”, kështu që leximi im është se Edi Rama donte që në mënyrë kreative të ofronte një rrugëdalje, duke i paraqitur negociatat si dialog me Brukselin, por ajo që ishte rënë dakord me Beogradin në fakt do të realizohej sepse nuk ka asgjë që është temë e dialogut dhe marrëveshjes pa pjesëmarrjen e Beogradit. Pra është një truk politik në të cilin Beogradi është lënë jashtë, ndërsa kushtet nga aneksi i Ohrit dhe propozimi evropian janë plotësuar, dhe kjo paraqitet si një lëshim ndaj Bashkimit Evropian dhe Brukselit, jo ndaj komunitetit serb dhe Beogradit”, thotë Surliq.


Sipas Surliqit, mund të jetë e pranueshme që Brukseli të paraqesë përmbushjen e obligimeve nga dialogu si koncesion për hir të së ardhmes evropiane të Kosovës, por ai nuk beson se Brukseli do të devijojë zyrtarisht nga korniza ekzistuese e negociatave, që nënkupton se atje duhet të jetë një minimum bashkëpunimi dhe takimesh ndërmjet përfaqësuesve të Beogradit dhe Prishtinës përkundër bllokimit të dukshëm dhe të kahershëm të dialogut.

I pyetur se çfarë do të ndodhte me temat që mbetën të hapura në dialog, nëse Prishtina fillon të zbatojë atë që është rënë dakord, por në të njëjtën kohë ngrin dialogun e mëtejshëm me Beogradin, Surliq thotë se një skenar i tillë do të ishte blerje e kohës.

“Prishtina para së gjithash duhet ta formojë Asociacionin e Komunave Serbe dhe ta paraqesë si koncesion në Bashkimin Evropian, por në procesin e zbatimit do të dalin edhe disa çështje të tjera ku Beogradi është i domosdoshëm, si dhe përfaqësuesit e komunitetit serb në Kosovë. Kështu që unë e lexova këtë më shumë si një lloj marketingu politik. Një situatë të ngjashme kemi pasur edhe në vitet e kaluara kur kanë zbatuar ndonjë ligj apo vendim që është dashur të jetë në interes të komunitetit serb dhe kur e kanë paraqitur si ligje të padrejta, por që zbatohen sepse ka një qëllim më të lartë, që është marrëdhënie të mira me SHBA dhe BE. Kjo nismë e fundit e Edi Ramës është në gjurmët e kësaj”, thotë Surliq.