Tramp uroi Vuçiqin Ditën e Shtetësisë së Serbisë: Mezi pres forcimin e mëtejshëm të partneritetit tone
Presidenti amerikan Donald Tramp i ka uruar presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe qytetarëve serbë Ditën e Shtetësisë, duke theksuar se SHBA mbështet plotësisht vazhdimin e integrimit të Serbisë në hapësirën euroatlantike, si dhe përpjekjet e saj për promovimin e marrëdhënieve paqësore dhe të begata me fqinjët dhe partnerët në rajon.
Tramp, në letrën e tij, e cila u bë publike nga Presidenca e Serbisë, theksoi se pret me padurim forcimin e mëtejshëm të partneritetit mes SHBA-së dhe Serbisë, duke shprehur kënaqësinë për bashkëpunimin gjithnjë e më intensiv mes dy vendeve dhe për mundësitë e reja për investime të ndërsjella në sektorë të rëndësishëm si teknologjia dhe energjia.
"Në emër të popullit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ju përcjell juve dhe qytetarëve të Serbisë urimet më të sinqerta me rastin e Ditës së Shtetësisë. Pres me padurim forcimin e mëtejshëm të partneritetit tonë, duke u mbështetur në lidhjet gjithnjë e më të forta mes vendeve tona, në mënyrë që së bashku të kontribuojmë për më shumë siguri dhe përparim për qytetarët e Serbisë dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Jam i kënaqur me bashkëpunimin tonë gjithnjë e më intensiv dhe me mundësitë e reja për investime të ndërsjella në sektorë të rëndësishëm si teknologjia dhe energjia", tha Tramp.
Sipas fjalëve të presidentit amerikan, SHBA vlerëson jashtëzakonisht shumë kontributin e rëndësishëm të Serbisë për sigurinë ndërkombëtare, qoftë përmes mbështetjes së popullit të Ukrainës në mbrojtjen nga agresioni rus, apo përmes angazhimit të Serbisë në misione të shumta paqeruajtëse në mbarë botën.
"Në vitin që kemi përpara, pres me padurim përpjekjet tona të përbashkëta për përmirësimin e stabilitetit dhe zhvillimit ekonomik në Ballkanin Perëndimor. Shtetet e Bashkuara mbështesin plotësisht vazhdimin e integrimit të Serbisë në hapësirën euroatlantike, si dhe përpjekjet e saj për të promovuar marrëdhënie paqësore dhe të begata me fqinjët dhe partnerët në rajon", thuhet në mesazhin e urimit.
0 komentet