Ukaj: Ardhja e KFOR-it në Kosovë vendosi paqen dhe sigurinë

Fidan Ukaj
Burim: Kosovo Online

Politologu nga Prishtina, Fidan Ukaj, vlerësoi se me nënshkrimin e Marrëveshjes Ushtarako-Teknike në Kumanovë, në Kosovës 25 vjet më parë, regjimi i Sllobodan Millosheviqit u hoq dhe u vendos paqja dhe siguria.

“Me Marrëveshjen e Kumanovës u hoq nga Kosova përgjithmonë regjimi i Millosheviqit dhe u krijua misioni i KFOR-it. Pothuajse 36 shtete kanë dërguar ushtarët e tyre në Kosovë si pjesë e KFOR-it dhe si rezultat është vendosur paqja dhe siguria. Me themelimin e misionit të KFOR-it, gjenocidi që ishte prezent në Kosovë që nga regjimi i Millosheviqit u eliminua njëherë e përgjithmonë”, tha Ukaj për Kosovo online.


Ai tha se që nga 11 qershori 1999 forcat e KFOR-it kanë luajtur një rol shumë të rëndësishëm në sigurimin e Kosovës dhe se zvogëlimi i numrit të tyre ndër vite është rezultat i krijimit të kushteve të qëndrueshme të sigurisë.

“Me formimin e institucioneve të Kosovës pas shpalljes së pavarësisë më 17 shkurt 2008, institucionet si policia, Forcat e Sigurisë së Kosovës u konsoliduan dhe fuqizuan dhe u rritën kapacitetet e tyre. U tregua se trupat e KFOR-it dhe NATO-s kontribuan në çlirimin e tij, duke krijuar paqe dhe siguri për të gjithë qytetarët”, ka përfunduar Ukaj.