Von Beckerath: Presim që Serbia t’i përmbushë obligimet dhe kërkojmë që Prishtina të formojë AKS

Andreas fon Bekerat
Burim: Kosovo Online

Shefi i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Serbi, Andreas von Beckerath, deklaroi sot se përparimi në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, si dhe në fushën e sundimit të ligjit, konsiderohet si faktor kyç për përshpejtimin e negociatave të anëtarësimit të Serbisë në BE. Megjithatë, ai theksoi se Bashkimi Evropian pret që edhe Prishtina t’i përmbushë premtimet e veta dhe të përfundojë me formimin e Asociacionit të komunave serbe, transmeton RTV.

“Përparimi në dialog dhe zbatimi i marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës do të jenë faktorë kyç për përshpejtimin e të gjithë procesit të anëtarësimit,” tha Von Beckerath në një intervistë për agjencinë Tanjug.

Ai shtoi se Raporti i Komisionit Evropian për Kosovën qartë përmend ankesat e komunitetit serb ndaj autoriteteve lokale në Prishtinë dhe theksoi se veprimet e Prishtinës shpesh janë në kundërshtim me frymën e normalizimit të marrëdhënieve.

“Raporti i Komisionit për Kosovën në mënyrë të qartë përmend ankesat e serbëve të Kosovës ndaj veprimeve të autoriteteve të Prishtinës. Për shembull, përmenden aksionet policore të drejtuara kundër strukturave dhe shërbimeve të mbështetura nga Serbia, si dhe arrestimet dhe operacionet kundër qytetarëve që punojnë në institucionet e sigurisë serbe. Po ashtu, në të dy raportet përmendet edhe çështja e formimit të Asociacionit të komunave serbe, që Prishtina ende nuk e ka përmbushur,” theksoi ambasadori.

Von Beckerath theksoi gjithashtu se BE-ja pret që Prishtina të përmbushë premtimet e veta dhe të përfundojë me formimin e Asociacionit të komunave serbe.

“Ashtu siç presim nga Serbia të përmbushë obligimet e veta, po ashtu kërkojmë edhe nga Prishtina të përmbushë obligimet që dalin nga marrëveshja për normalizim,” theksoi shefi i delegacionit të BE-së në Serbi.

Ai shtoi se raporti i Komisionit Evropian për përparimin e Serbisë në rrugën drejt anëtarësimit nuk është kritikë, por një kornizë udhëzuese për përshpejtimin e reformave, duke vlerësuar se megjithëse ka pasur përparim, ritmi nuk është mjaftueshëm i shpejtë, por nëse ekziston vullnet politik, “qielli është kufiri për Serbinë”.

“Nëse ka vullnet politik dhe reforma të fuqishme, qielli është kufiri për Serbinë. Mund të përparoni shumë shpejt. Por duhen reforma konkrete dhe duhet të zgjidhni sfidat e përmendura në raport,” tha ambasadori, duke theksuar se Komisioni sërish ka theksuar se janë përmbushur kushtet teknike për hapjen e Klastrit 3, por vendimi varet nga 27 shtetet anëtare.

Ambasadori tha se qëllimi i raportit nuk është të jetë listë kritikash, por të paraqesë një plan, një udhërrëfyes që tregon se si Serbia mund të përshpejtojë reformat për të avancuar drejt anëtarësimit në BE.

“Sigurisht mendoj se raporti është objektiv. I gjithë procesi i zgjerimit bazohet në dëshmi dhe fakte objektive,” tha Von Beckerath, duke theksuar se në lidhje me ritmin e anëtarësimit dhe hapjen e klastrave nuk ka rrugë të shkurtëra, por as kufizime shpejtësie.

Ai përmendi gjithashtu zhvillimet pozitive dhe arsye për optimizëm, duke përfshirë përparimin në kriteret ekonomike, ndryshimet në Ligjin për regjistrin unik të zgjedhësve dhe përpjekjet në fushën e mediave, por theksoi se raporti po ashtu tregon stagnim në fushën e drejtësisë dhe të drejtave themelore.

Von Beckerath theksoi se raporti i Komisionit Evropian bën thirrje që Serbia të zbatojë reforma të besueshme në të gjitha fushat dhe të përmbysë urgjentisht trendin negativ sa i përket lirisë së shprehjes, si dhe të adresojë “erozionin e lirive akademike.”

Sipas tij, raporti tregon përkeqësim në fushën e lirisë së mediave për shkak të presioneve dhe të ashtuquajturave padive SLAPP, por njëkohësisht përshëndet përparimin në formimin e REM-it, duke theksuar se ekziston mundësia për përmirësim nëse zbatohen reforma konkrete në këtë fushë.

“Raporti gjithashtu thekson rëndësinë e një harmonizimi më të fortë me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë dhe të përparimit në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës,” theksoi shefi i delegacionit të BE-së.

I pyetur për zhvillimet aktuale gjeopolitike në Evropë, Von Beckerath konfirmoi se ekziston një “imperativ gjeopolitik” për zgjerimin e BE-së dhe i bëri thirrje Serbisë që ta shfrytëzojë këtë mundësi.

Njëkohësisht ambasadori vuri në dukje se nuk ka privilegje gjeopolitike në procesin e zgjerimit, por se kriteret janë të njëjta për të gjitha vendet candidate, dhe se çdo vend ka përgjegjësi të vetën për të përparuar.

Ai shtoi se zgjerimi i BE-së, duke përfshirë vendet e Ballkanit Perëndimor, do të jetë i dobishëm si për vetë Bashkimin Evropian, ashtu edhe për përmirësimin e jetës së qytetarëve të atyre vendeve.

“Dua të theksoj se reformat që përmenden në raport nuk duhet të zbatohen sepse i kërkon Brukseli, por sepse janë në interes të qytetarëve të Serbisë. Ato do ta përmirësonin jetën e përditshme të qytetarëve, do të forconin sundimin e ligjit, do të siguronin barazinë para ligjit, do të përmirësonin institucionet demokratike dhe do të ruanin pavarësinë e gjyqësorit. Kjo do të rriste edhe besimin në sistemin zgjedhor,” theksoi ambasadori.

Kur iu kërkua të komentonte mbi pjesën e raportit që i referohet "retorikës anti-evropiane" dhe Komisionerja Evropiane për Zgjerimin Marta Kos thotë se mund të ketë pasoja për shkak të kësaj, ambasadori shprehu shqetësimin e tij për praninë e një narrative të tillë, duke theksuar se Unioni pret që autoritetet serbe të "komunikojnë me zë të lartë dhe qartë se anëtarësimi në Union është qëllimi strategjik i vendit".

“Mendoj se është e rëndësishme të kujtojmë se dezinformatat dhe të pavërtetat për BE-në jo vetëm që dëmtojnë imazhin e Unionit këtu në Serbi, por edhe më shumë dëmtojnë imazhin e vetë Serbisë në vendet anëtare të BE-së. Shtetet anëtare do të fillojnë të pyesin nëse Serbia është me të vërtetë serioze për anëtarësimin në Bashkimin Evropian nëse BE kritikohet vazhdimisht në shumicën e mediave,” tha Von Beckerath.

Ambasadori tha gjithashtu se e kupton pjesën e qytetarëve të Serbisë që nuk kanë një nivel të lartë euroentuziazmi, për shkak të procesit të gjatë të anëtarësimit.

“E kuptoj që ekziston një lloj zhgënjimi pse përparimi nuk është më i shpejtë, por përparimi varet nga vetë Serbia, nga mënyra se si ajo i përmbush detyrimet e saj dhe zbaton reformat,” theksoi ai.

Megjithatë, ai theksoi se ekziston një sërë mundësish konkrete për qytetarët e Serbisë përmes pjesëmarrjes në programet evropiane si Erasmus+ dhe Horizon, si dhe fondeve të parashikuara për Serbinë në kuadër të kornizës së ardhshme të ndihmës financiare të BE-së.

“Nëse shikoni investimet që ka bërë BE-ja, mbështetjen që ka dhënë, nga viti 2014 deri në 2027 flasim për 7 miliardë euro, prej të cilave 6 miliardë janë grante që Serbia nuk ka nevojë t’i kthejë. Nuk do të thoja që BE-ja nuk e mbështet Serbinë,” deklaroi Von Beckerath.

Ai kujtoi gjithashtu se Serbia ka në dispozicion edhe 1.6 miliardë euro shtesë, si dhe mundësinë e integrimit në tregun unik evropian, gjë që mund të sjellë përfitime konkrete si ulja e kostove për transfertat ndërkombëtare dhe reduktimi i tarifave të roaming-ut.

Në lidhje me sanksionet e fundit të BE-së dhe ndalimin e importit të energjisë ruse, ambasadori sqaroi se këto masa nuk do të prekin drejtpërdrejt infrastrukturën e gazit në Serbi, por se harmonizimi me legjislacionin evropian do të bëhet gradualisht, duke theksuar se transporti i gazit përmes Serbisë nuk do të ndërpritet.

“Këshilli i Energjisë i BE-së mori vendim dy javë më parë për të ndërprerë gradualisht importin e gazit rus. Në shumicën e mediave serbe u raportua se BE-ja ‘po i pret Serbisë’ furnizimin me gaz. Kjo është plotësisht e pasaktë. Tranziti i gazit përmes vendeve anëtare drejt vendeve të treta nuk është objekt i këtij vendimi,” sqaroi ambasadori.

Në fund, Von Beckearth theksoi se gjatë tre muajve të qëndrimit të tij në Serbi, ka pasur shumë përvoja të bukura dhe është mahnitur nga mikpritja dhe ngrohtësia e njerëzve.

“Para se të largohem, dua të më thuhet se nuk jam më i mirëpritur në Serbi, sepse Serbia i është bashkuar Bashkimit Evropian, dhe për këtë arsye nuk ka më nevojë për ambasadorin e BE-së në Beograd,” përfundoi shefi i Delegacionit të BE-së në Serbi.