Vuçeviq: Arrestimi i serbëve është i fundit në një seri shkeljesh të normave civilizuese me firmën e Kurtit

Miloš Vučević
Burim: Instagram

Këshilltari i presidentit të Serbisë, Millosh Vuçeviq, deklaroi se arrestimi i shtatë drejtorëve të institucioneve shëndetësore dhe arsimore në Kosovë, siç tha ai – pa asnjë provë, vetëm sepse janë serbë, është i fundit në një seri shembujsh të shkeljes së të gjitha normave civilizuese dhe postulateve themelore të sundimit të ligjit me firmën e Albin Kurtit.

“Kryeministri i rremë i shtetit të rremë ka aleat në përfaqësuesin e rremë të serbëve, Nenad Rashiqin, i cili ‘e shiti fenë për darkë’. Pikërisht për shkak të të tillëve, në zgjedhjet e ardhshme Lista Serbe do të marrë mbështetje edhe më të fuqishme, sepse është pengesa më e fortë e serbizmit në krahinën tonë jugore. Ajo që po shohim sot në Kosovë dhe Metohi tregon qartë se Kurti me bashkëpunëtorët e tij synon të vazhdojë dhunën gjithëpërfshirëse politike, juridike, institucionale dhe fizike ndaj serbëve”, shkroi Vuçeviq në rrjetin social “X”.

Ai shtoi se, për Kurtin, nëse je serb mund të arrestohesh, të akuzohesh dhe të mbahesh në paraburgim aq sa ai dëshiron.

“Prandaj zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 7 qershorit janë të rëndësishme, sepse vota për Listën Serbe është njëkohësisht votë kundër regjimit të Kurtit, pjesë e të cilit është edhe Nenad Rashiqi, i cili feston UÇK-në. Populli e sheh kush është besnik e kush tradhtar. Ndryshe nga bllokuesit që haptazi pështyjnë mbi Listën Serbe dhe nuk janë në gjendje të flasin për Kosovën dhe Metohinë, por duan të udhëheqin shtetin, Serbia e udhëhequr nga Aleksandar Vuçiq do të angazhohet gjithmonë për parimet e sundimit ndërkombëtar të ligjit dhe Kartën e OKB-së, do të ndjekë politikën e paqes dhe stabilitetit dhe do të luftojë për interesat e popullit të saj në Kosovë dhe Metohi”, përfundoi Vuçeviq.

Gjykata Themelore në Prishtinë caktoi dje paraburgim deri në një muaj për shtatë serbë, drejtorë të institucioneve shëndetësore dhe arsimore në Graçanicë, të akuzuar për veprën penale “cenim i vullnetit të lirë të votuesve”.