Vuçiq: Aktgjykimi ndaj Thaçit do të jetë në pjesën më të madhe lirues, duan të na thonë se gjaku serb nuk është i rëndësishëm
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi se Serbinë e presin „ditë të vështira politike“, duke thënë se pret që aktgjykimi ndaj ish-liderit të UÇK-së, Hashim Thaçi, shpallja e të cilit është caktuar për më 16 shtator, të jetë në pjesën më të madhe lirues për krimet e kryera kundër popullit serb.
„Na presin ditë të vështira politike. Të gjithë ata që kanë marrë pjesë në krimet kundër serbëve në territorin e ish-Jugosllavisë gjithmonë i lironin ose gjoja i dënonin, ndërsa më pas, me aktgjykime të shkallës së dytë, merrnin vendime të tjera dhe i lironin ata njerëz“, tha Vuçiq.
Si shembuj përmendi lirimin e gjeneralit kroat Ante Gotovina dhe të personave të tjerë të akuzuar për krime gjatë operacionit „Stuhia“, si dhe të Naser Oriqit.
„U liruan ata që morën pjesë në pogromin dhe dëbimin e 250.000 njerëzve gjatë operacionit ‘Stuhia’, nga Ante Gotovina e deri te të gjithë të tjerët. U lirua edhe Naser Oriqi dhe askujt nuk i bëri përshtypje që ekzistonte një dëshmi, një dëshmi e qartë se ai kishte marrë pjesë personalisht në vrasjen, në vrasjen gjakatare të Sllobodan Illiqit“, tha Vuçiq.
Duke folur për aktgjykimin ndaj Hashim Thaçit, Vuçiq tha se „kjo nuk përfundon këtu“, duke theksuar se ai do të shpallet më 16 shtator.
„Kjo nuk përfundon këtu, sepse, siç mësoj, për më 16 shtator kanë caktuar shpalljen e aktgjykimit edhe ndaj Hashim Thaçit. Dhe, siç mësoj, ai aktgjykim do të jetë i tillë që të mbulojë ditët e kaluara në paraburgim, ndërsa për thelbin e aktakuzës, për të gjitha krimet e kryera kundër popullit serb, aktgjykimi do të jetë në pjesën më të madhe lirues“, tha presidenti i Serbisë.
Sipas tij, një përfundim i tillë do të përbënte mesazhin se serbët janë fajtorët e vetëm për krimet e kryera në territorin e ish-Jugosllavisë.
„Përse? Perëndimorët duan të na thonë: ju serbët jeni të vetmit fajtorë, të tjerë nuk ka. Duan të na thonë: ju duhet ta pranoni këtë, sepse krime kundër jush në thelb as nuk ka pasur dhe nuk ka përgjegjës për krimet ndaj serbëve. Gjaku serb as që është i rëndësishëm“, tha Vuçiq.
Ai foli edhe për rastin e Alfeta Veselit, pjesëtare e Ushtrisë së Bosnjë-Hercegovinës, e cila mori pjesë në vrasjen e 12-vjeçarit Sllobodan Stojanoviq në rrethinat e Zvornikut, duke theksuar se ajo është liruar së fundmi në Bosnjë-Hercegovinë.
„Ajo personalisht ia preu fytin, sepse nuk mund ta duronte shikimin, nuk mund t’i duronte sytë e mëdhenj e të bukur të një djali 12-vjeçar. Në Bosnjë-Hercegovinë nuk shkruan se një xhelate, gjakatare dhe përbindësh doli nga burgu dhe tani lëviz e lirë. Këta emra dhe lloj-lloj mbiemrash përdoren vetëm për serbët“, tha Vuçiq.
Ai shtoi se, sipas tij, raste të tilla tregojnë se zbatohen standarde të ndryshme në qëndrimin ndaj viktimave.
„Dhe kjo do të vazhdojë. Ndërsa ne duhet të jemi mjaftueshëm të mençur, të fortë dhe të urtë. Ta ruajmë paqen në rajon dhe ta dimë mirë se çfarë mendojnë për ne, si ata që i kanë ndihmuar, ashtu edhe ata që vazhdojnë t’i ndihmojnë sot“, tha Vuçiq.
Ai porositi se Serbia duhet të vazhdojë të rritet ekonomikisht dhe ta mbrojë popullsinë e saj.
„Të vazhdojmë të rritemi ekonomikisht, t’i ruajmë fëmijët tanë, t’i edukojmë ashtu siç mundemi dhe duhet, në frymën serbe, në frymën e traditës sonë, në frymën e krenarisë dhe të kujdesemi për njerëzit tanë“, tha presidenti i Serbisë.
Vuçiq theksoi gjithashtu se Serbia duhet t’i respektojë viktimat, por edhe ta ruajë dinjitetin e saj.
„Të mos e fyejmë kurrë askënd, ta respektojmë viktimën e secilit dhe ta ulim kokën para saj, por të mos ua lejojmë në asnjë mënyrë të na pështyjnë dhe ta shkatërrojnë Serbinë“, tha Vuçiq.
Ai shtoi se do të vazhdojë të punojë për ruajtjen e Serbisë.
„Ju faleminderit, sepse do të na duhet të durojmë edhe shumë gjëra të tjera, por edhe do të përgjigjemi, do ta ruajmë kumbullën tonë dhe do ta ruajmë Serbinë tonë“, përfundoi presidenti Vuçiq.
0 komentet