Vuçiq: Po luftojmë me të gjitha mjetet diplomatike për t’i ruajtur serbët në KeM
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi sot se shteti po lufton me të gjitha mjetet diplomatike dhe paqësore për ta ruajtur popullsinë serbe në Kosovë, por se nuk do të lejojë pogromin dhe dëbimin e serbëve.
I pyetur se si do t’i dalë shteti përpara „tërbimit të Albin Kurtit“, pasi është e qartë se nuk mund të mbështetet te misionet ndërkombëtare në atë territor, Vuçiq u përgjigj se e kupton gjithë zemërimin, hidhërimin dhe mllefin e njerëzve, sepse zemërimi i tij është edhe më i madh, por se përpiqet të mos rrezikojë edhe më shumë atë që tashmë është e rrezikuar.
„Dhe të luftojmë me të gjitha mjetet diplomatike dhe paqësore për ta ruajtur popullsinë tonë. Problemet me të cilat përballemi janë komplekse, vështirësitë janë të mëdha. Ne nuk kemi nevojë për një konflikt me NATO-n në këtë moment, por e bëjmë të qartë se nuk do të lejojmë pogromin dhe dëbimin e popullit tonë. Në atë vijë të hollë askush nuk është kurrë i kënaqur, sepse po të them vetëm një fjalë, do të më akuzojnë se dua të bëj luftë, ndërsa unë nuk dua. Përkundrazi. Por, nëse nuk shkoni deri në atë kufi, atëherë nuk keni asnjë shans në përpjekjen për të ruajtur dhe siguruar mbijetesën e popullit tonë“, u tha Vuçiq gazetarëve në Aleksandrovac.
Prandaj, thotë ai, ajo vijë është e vështirë, ashtu siç janë të vështira edhe vendimet, përkatësisht procesi i vendimmarrjes për këtë çështje.
„Gjithmonë duhet të peshoni gjithçka. Madje edhe nëse mund ta ndihmojmë kantinën e verës këtu në Stanjevë apo jo, sepse nga kjo varet nëse do të kemi të ardhura nga taksat për ushtrinë, sa kopshte dhe shkolla do të kemi. Dhe nëse hyjmë në këtë, sa më shumë do të varfërohemi, sa probleme shtesë do të kemi... Kush do t’ua kthejë nënave fëmijët në arkivole? Unë nuk do ta dëshiroja këtë. Askush nuk do ta dëshironte. Duhet që çdo ditë të merrni vendime që do të nënkuptojnë mbështetje për popullin tonë, ruajtjen dhe mbijetesën e tyre në vatrat e veta, ndërsa, nga ana tjetër, të vazhdojmë zhvillimin ekonomik. Sepse gjithçka që kemi sot, e kemi falë njerëzve tanë punëtorë, taksave dhe, falë këtij përparimi, mund të blejmë armët më të mira. Nëse Serbia rritet me katër për qind, ndërsa të tjerët me një ose 0,8 për qind... Kjo do të thotë se ne vetëm mund të presim“, tha Vuçiq.
0 komentet