Vuçiq për deklaratën e Osmanit: Askush nuk e dëgjon më
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, sot, në lidhje me deklaratën e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila i bëri thirrje Evropës që të ndalojë taktikat destabilizuese të Serbisë, theksoi se këtë tashmë askush nuk e dëgjon, por paralajmëroi se Prishtina do të vazhdojë me ndjekjen e popullit serb dhe me provokime, për të shfrytëzuar situatën aktuale globale dhe për të bindur shumicën e vendeve të NATO-s dhe BE-së kundër Serbisë. Ai porositi se një mundësi të tillë nuk do t’ua japë.
„Askush nuk e dëgjon më. Ashtu siç gënjyen me ato dronët, njerëzit tani u qeshin. Mund të gënjesh një herë, dy herë, por herën e tretë më nuk mund të mashtrosh askënd. Askush nuk i dëgjon më. Nuk ka aty filozofi të madhe“, tha Vuçiq, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve gjatë hapjes së pjesës së hekurudhës së shpejtë nga Novi Sadi deri në Suboticë.
Presidenti i Serbisë vuri në dukje se Prishtina do të vazhdojë me përpjekje për ndjekje dhe me ndjekje reale të popullit serb, si dhe me provokime, sepse, siç tha, ata nuk mund të kenë politikë tjetër, duke pritur të shfrytëzojnë këtë kohë para-lufte.
„Unë flas hapur për këtë, sepse lufta vjen. Ata duan ta shfrytëzojnë mundësinë që të kenë shumicën e vendeve të NATO-s dhe evropianëve kundër Serbisë. Ne nuk do t’ua japim këtë mundësi“, porositi Vuçiq.
Ai vuri re gjithashtu se në të gjithë botën po mbretëron kolaps i plotë dhe kaos, dhe se do të jetë gjithnjë e më vështirë, edhe në Serbi për disa çështje.
„Njerëzit duhet ta dinë se të gjithë po përgatiten për luftë. Dhe nëse po përgatiten, atëherë do të ndodhë. Shoh sa shumë po përgatiten për luftë, për asgjë tjetër nuk po përgatiten. Askush nuk përgatitet për bisedime, të gjithë duan vetëm të shohin kush është në anën e kujt, ndërsa hapin llogoret e tyre dhe presin fillimin e luftës. E dinë që lufta vjen sido që të jetë, vetëm po e presin, dhe mos të gënjejnë se nuk po e presin. E presin dhe po përgatiten“, konstatoi Vuçiq, duke shtuar se mesazhet tani janë më të thjeshta se kurrë – „Ne jemi këtu, rusët janë pas perdeve. Kush është këtu, është me ne, kush nuk është, është kundër nesh“.
I pyetur nëse Serbia mund të mos marrë pjesë në këtë luftë, Vuçiq tha se do të bëjë gjithçka që të jetë ashtu.
„Do të jap gjithçka nga vetja, për sa kohë më zgjat mandati, që të jetë kështu“, tha presidenti Vuçiq.
Megjithatë, ai theksoi se Serbia do të duhet të bëjë diçka lidhur me përshkallëzimet e mundshme të konflikteve në botë.
„Do të duhet edhe ne të fillojmë të përgatisim disa gjëra. Ushtria jonë është gati“, vuri në dukje Vuçiq, duke shtuar se rezervat shtetërore janë tashmë rritur dhe se ai së shpejti do të kërkojë që ato të shtohen më shumë.
Sa i përket takimit të djeshëm me kancelarin gjerman Friedrich Merz në Kopenhagë, ai tha se biseda e tyre ishte frytdhënëse dhe e rëndësishme për Serbinë.
„Diskutuam për integrimin evropian të Serbisë, por edhe për investitorët në Serbi. Në përgjithësi, besoj se biseda ishte e mirë, frytdhënëse për Serbinë, e rëndësishme për Serbinë. Gjermania është partneri më i madh tregtar i Serbisë dhe punëdhënësi më i madh në Serbi. Kjo është shumë e rëndësishme për ne“, shtoi Vuçiq.
0 komentet