Vuçiq dhe Brnabiq me Piçin për situatën në Kosovë dhe përmirësimin e marrëdhënieve dypalëshe
Presidenti serb Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrja Ana Brnabiq kanë biseduar sot veçmas me të dërguarin special të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Stjuart Piç, për situatën në Kosovë dhe gjithë rajonin dhe për përmirësimin e marrëdhënieve dypalëshe.
Vuçiq ka shkruar në llogarinë në Instagram “buducnostsrbijeav” se ka pasur një bisedë serioze dhe përmbajtësore me Piçin.
“Një bisedë serioze dhe përmbajtësore me Lordin Stjuart Piç, biseduam për situatën në Kosovë dhe Metohi, si dhe në të gjithë rajonin. Ne gjithashtu ramë dakord se është e nevojshme që Serbia dhe Britania e Madhe të investojnë më shumë përpjekje në zhvillimin e marrëdhënieve tona ekonomike dhe të përgjithshme politike”, ka shkruar Vuçiq.
Siç njoftoi Qeveria e Serbisë, Bërnabiq, kur është fjala për marrëdhëniet ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, ka thënë se kusht për vazhdimin e procesit të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës është përmbushja e obligimeve të dakorduara më parë.
Ajo shpjegoi se kjo është mënyra e vetme për të kapërcyer çështjet e hapura dhe për të arritur një zgjidhje të pranueshme reciprokisht, duke theksuar se ruajtja e paqes dhe stabilitetit është prioriteti kryesor i Beogradit.
Kryeministri theksoi se bashkëpunimi rajonal është një nga prioritetet e politikës së jashtme të Serbisë, për të cilin Serbia po punon intensivisht.
“Brnabiq theksoi se Serbia është e vendosur të vazhdojë të forcojë bashkëpunimin me Mbretërinë e Bashkuar, ku në veçanti theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ekonomik. Ajo tregoi se tregtia e shërbimeve në vitin 2022 ka kaluar një miliard e 300 milionë euro në vlerë totale, duke theksuar veçanërisht rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit në fushën e arsimit, kulturës, shkencës, sektorit të IT dhe energjisë për marrëdhëniet dypalëshe”, thuhet në njoftimin.
Piç deklaroi vendosmërinë e Mbretërisë së Bashkuar për të ruajtur paqen dhe përparimin në rajon, si dhe se Londra mbështet Procesin e Berlinit dhe të gjitha iniciativat e tjera që kontribuojnë në përmirësimin e bashkëpunimit konkret në rajon.
0 komentet