Vuçiq me ambasadorin e Meksikës: E vlerësojmë qëndrimin parimor për mosnjohjen e Kosovës
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, zhvilloi sot një takim me ambasadorin e Meksikës në Beograd, Carlos Felix Corona, të cilin e falënderoi për qëndrimin parimor të Meksikës dhe mbështetjen e vazhdueshme për respektimin e së drejtës ndërkombëtare, si dhe për faktin që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.
“Ne e vlerësojmë jashtëzakonisht shumë një qasje të tillë dhe besoj se do të vazhdojmë të zhvillojmë bashkëpunimin politik, ekonomik, kulturor dhe çdo formë tjetër bashkëpunimi që është në interes të ndërsjellë”, theksoi Vuçiq.
Vuçiq dhe Corona biseduan për marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet dy vendeve, zhvillimet aktuale gjeopolitike dhe mundësitë për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit.
“Një kënaqësi e veçantë është fakti që këtë vit shënojmë 80-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Serbisë dhe Meksikës, një jubile i rëndësishëm që dëshmon për miqësinë e gjatë, respektin e ndërsjellë dhe partneritetin që dëshirojmë të vazhdojmë ta zhvillojmë”, tha Vuçiq.
Ai shtoi se shpreson që së shpejti të krijohet mundësia për shkëmbimin e vizitave në nivel të lartë, gjë që do të kontribuojë më tej në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.
0 komentet