Vuçiq pas samitit Bërdo-Brioni: Rruga evropiane është strategjike për të gjithë ne; pati mospajtime me Osmanin
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi sot pas samitit të Procesit Bërdo-Brioni në Durrës se pjesëmarrësit kanë konfirmuar rrugën evropiane të Ballkanit Perëndimor, e cila, sipas tij, është strategjike për të gjithë rajonin. Ai shtoi se gjatë sesionit plenar ka pasur mospajtime me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, së cilës, siç tha me ironi, i dëshiroi edhe shumë udhëtime turistike, si atë të fundit në Nju Jork gjatë Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
„Kemi pasur një seancë plenare ku konfirmuam rrugën evropiane të Ballkanit Perëndimor. Ka pasur mospajtime mes meje dhe Osmanit. Këtu nuk ka shtete, përdoren vetëm emra dhe kjo është trashëgimi e mirë e këtij procesi. Por unë fola për atë lloj hipokrizie dhe standardesh të dyfishta, ku secili nga ne përpiqet të përfitojë diçka në kurriz të tjetrit, ndërsa ka pak qasje të përbashkët për zgjidhjen e problemeve në Ballkanin Perëndimor“, tha Vuçiq.
Ai shtoi se pjesëmarrësit në samit ranë dakord se do të punojnë së bashku në rrugën evropiane, e cila është strategjike për të gjithë.
I pyetur nëse është folur për mundësinë e ndonjë konflikti global, për të cilin ai ka paralajmëruar më herët, Vuçiq u përgjigj se është folur kryesisht për integritetin territorial, të cilin, siç theksoi, „secili e interpreton si të dojë“.
„Imagjinoni Vjosa Osmanin duke folur për mbrojtjen e integritetit territorial… të kthehet stomaku përmbys, ndërsa të gjithë tundin kokën sikur tha diçka të mençur…“, tha Vuçiq.
Ai shtoi me ironi se u kujtuan ditët e saj turistike në Kombet e Bashkuara, duke iu referuar faktit se gjatë vizitës së fundit në Nju Jork, Osmani nuk pati asnjë takim zyrtar bilateral me përfaqësues të administratës amerikane.
„I urova edhe shumë udhëtime të tjera turistike në jetë. Do të vazhdojmë me këtë“, shtoi presidenti i Serbisë.
Ai u tha gazetarëve se në margjinat e samitit pati bisedën më të gjatë me Zhelka Cvijanoviq.
Dhe njoftoi se samiti i ardhshëm i Procesit Bërdo-Brioni do të mbahet në Kroaci.
I pyetur në lidhje me deklaratën e ish-kancelares gjermane Angela Merkel, e cila tha se Polonia dhe shtetet baltike mbajnë përgjegjësi për ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike midis Rusisë dhe BE-së si dhe për pushtimin rus, Vuçiq tha se kjo është çështje shumë e ndërlikuar dhe se është interesante pse Merkel e tha këtë pikërisht tani.
„Sikur ajo të kishte mbetur kancelare, besoj se nuk do të kishte pasur konflikt midis Rusisë dhe Ukrainës. Ajo gjithmonë e dinte se sa e lartë është kostoja e luftës dhe konflikteve dhe do të ishte përpjekur pa pushim, në çdo moment, për ta shmangur atë“, tha Vuçiq me bindje.
Sipas tij, deklarata e Merkelit tregon kompleksitetin e problemit, si dhe faktin se faji nuk është gjithmonë njëqind për qind në njërën anë, dhe se duhet të kuptohen dhe dëgjohen nevojat e të gjithëve, gjë që, siç tha, në botën e sotme nuk ndodh.
Kur është fjala për kritikat e opozitës dhe thirrjet për të sqaruar pse është ftuar në Nju Jork për bisedë nga sekretari amerikan i shtetit Mark Rubio, Vuçiq tha se kanë biseduar për tre tema – sanksionet ndaj kompanisë NIS, dialogun strategjik dhe marrëdhëniet rajonale, përkatësisht marrëdhëniet midis Serbisë dhe Prishtinës, si dhe për Bosnjën dhe Hercegovinën.
Ai shtoi se e ka përmendur shkurt vrasjen e Charlie Kirkut dhe Bashkimin Evropian, “në dy fjali”.
„E respektoj shumë Mark Rubion, dhe ai tregoi respekt të jashtëzakonshëm ndaj meje“, theksoi Vuçiq, duke shtuar se kushdo që përmend tema të tjera dhe thotë se ai ‘është ftuar për qortim’ – gënjen.
0 komentet