Gjokutaj: Nivel i ulët investimesh mes vendeve të rajonit, për Shqipërinë partneri kyç është Kosova
Eskperti ekonomik dhe analisti fiskal në kompaninë “Altaks“ Eduart Gjokutaj, tha për Kosovo onlajn se niveli i investimeve mes vendeve të Ballkanit Perëndimor është mjaft i ulët, duke bërë të ditur se për Shqipërinë partneri kyç është Kosova.
Duke komentuar shkallën e tërheqjes së investimeve të huaja në Ballkan, ai bën të ditur se Sërbia është në vend të parë si pasojë e madhësisë së ekonomisë, por dhe si pasojë e politikës agresive të tërheqjes së këtyre investimeve.
“Në Sërbi investimet e huaja kanë arritur në nivelin e 7, 8% të prodhimit të brendshëm bruto. Në vend të dytë është Shqipëria dhe kjo falë blerjes së pasurive të paluajtshme që vijnë prej burimeve formale apo dhe nga fusha e “of shor”. Në vend të tretë në rajon është Maqedonia e Veriut e cila gjithashtu ka politikë agresive në tërheqjen e investitorëve të huaj kryesisht në industrinë kimike, telekomunikacion dhe në sektorin e shërbimeve dhe tregtisë” bën të ditur Gjokutaj.
Ky i fundit shtoi se Mali i Zi dhe Kosova janë në nivele të njëjta kur bëhet fjalë për tërheqjen e investimeve të huaja.
“Mali i Zi ka investime në sektorin e shërbimeve, kryesisht të lidhura me turizmin dhe tregtisë. Kosova ka investime të huaja në telekomunikim, pjesërisht në energjitik dhe sektorin e tregtisë dhe trendi është në rritje por jo në nivele të cilat kërkon ekonomia dhe qytetarët. Investime të huaja gjithashtu konsiderohen dhe projektet speciale të Unionit Europian për investime në këto vende” sqaron bashkëbiseduesi ynë.
Duke vëzhguar raportet e ndërsjellta ekonomike të vendeve të Ballkanit Perëndimor, bëhet e ditur se për Shqipërinë partneri kryesor mbetet Kosova “pavarësisht faktit se Kosova dhe vendet e tjera kanë kufizime për të investuar në Shqipëri”.
Më pas është Maqedonia e Veriut si shtet fqinj që ka interesa në sektorin e telekomunikimit, energjitikë dhe shërbime e gjithashtu Mali i Zi që ka më shumë interes në sektorin e turizmit, kryesisht në fushën e pasurive të paluajtshme.
“Me Sërbinë dhe Bosnjë-Hercegovinën, nivelet e investimeve të huaja në Shqipëri, janë të pakta, si për arsye të caktuara historike e kulturore, ashtu dhe si pasojë e barrierave politike e administrative. Gjithsej këto investime të huaja në Shqipëri përbëjnë vetëm 5% të prodhimit të brendshëm bruto kështu që nuk janë në nivelin e pritshmërisë si pasojë e afërsisë së gjeografike të vendeve”, ka thënë Gjokutaj.
Ky i fundit sqaron se Shqipëria ka “qasje të njëjtë”.
“Më shumë investohet në Kosovë si pasojë e kulturës, gjuhës dhe lidhjeve të tjera që këtë bashkëpunim e shikojmë logjike. E njëjta dhe në Maqedoninë e Veriut si vend fqinj, ka investime të huaja nga Shqipëria e cila lidhet më tepër në telekomunikim, shërbime financiare dhe tregti” thotë analisti nga Tirana.
Ai beson se niveli i pakënaqshëm i investimeve të huaja mes vendeve të rajonit lidhet me problemet e ekonomive të këtyre vendeve dhe sepse investimet kryesisht bëhen në ato vende ku është e mundur të jemi konkurrues.
“Ne jemi vende të vogla dhe nuk egziston siguri dhe garanci që investimi do të jetë afatgjatë për shkak të problemeve të ndryshme politike, administrative apo tregtare. E njëjta vlen dhe tek raportet mes këtyre vendeve ku ndikojnë faktorët kulturorë. Kjo veçanërisht shikohet në Procesin e Berlinit që ishte i lidhur me iniciativën e Ballkanit të Hapur, i cili, megjithëse synonte krijimin e tregut të gjerë të përbashkët, nuk i’a arriti qëllimit sepse mbeti peng i së kaluarës dhe mënyrës së të menduarit që egzistonte rreth asaj sesi do të zhvillohet biznesi”, thotë bashkëbiseduesi ynë.
Shton se një nga pengesat për rritjen e investimeve të huaja në rajon, është sasia e vogël e kapitalit financiar tek vendet.
“Ata kaluan vështirësitë e viteve ‘90 dhe u detyruan të ristrukturonin ekonomitë e tyre për t'u përshtatur me tregun ndërkombëtar” konkludoi Gjokutaj.
0 komentet