Kaludra: Kërkesa më e madhe në tregun e punës në Kosovë vazhdon të jetë për personat me arsim të mesëm profesional
Në tregun e punës në Kosovë, kërkesa më e madhe vazhdon të jetë për personat me arsim të mesëm profesional, thotë Shpëtim Kaludra nga Agjencia e Punësimit të Kosovës.
“Numri i përgjithshëm i personave që kërkojnë punë, të regjistruar në shërbimet publike të punësimit deri në fund të vitit të kaluar, ishte 65.488. Nga ky numër, 33.954 janë gra, ndërsa 31.534 burra, çka reflekton pjesëmarrje më të madhe të grave në strukturën e të papunëve”, tha Kaludra për Kosovo online.
Sipas tij, të dhënat për vitin e kaluar tregojnë se kërkesa më e madhe në tregun e punës vazhdon të jetë për personat me arsim të mesëm profesional.
“Kjo kategori shënon rritje prej 6,8 për qind krahasuar me vitin 2024, gjë që reflekton orientimin e tregut drejt profileve teknike dhe profesionale. Sa i përket shkallës së punësimit, niveli më i lartë është shënuar te kategoritë me master (8,2 për qind) dhe diploma të studimeve bazë (7,7 për qind), si dhe te personat me arsim të mesëm (6,9 për qind), ndërsa shkalla më e ulët e punësimit është te të pakualifikuarit (2,2 për qind)”, tha Kaludra.
Ai shtoi se në kërkimin e punës vështirësi kanë kryesisht personat me kualifikime më të ulëta.
Sa më të larta të jenë aftësitë dhe shkathtësitë profesionale, aq më i lehtë është punësimi, dhe anasjelltas, thekson ai.
Kaludra gjithashtu theksoi se Agjencia e Punësimit bashkëpunon kryesisht me Ministrinë e Arsimit, ndërsa më pak me shkollat.
0 komentet