Vidakoviq: Të rinjtë ndjekin trendet në tregun e punës, i interesojnë IT, mjekësia, por jo zanatet

Vidaković
Burim: Kosovo Online

Gjeneratat e reja në Serbi ndjekin trendet në tregun e punës dhe atë që kërkojnë punëdhënësit, prandaj ka interes të madh për teknologjitë e informacionit dhe fakultetet teknike, ndërsa gjithnjë e më shumë po rriten edhe profesionet që lidhen me burimet njerëzore, krahas mjekësisë, farmacisë dhe arkitekturës që tradicionalisht janë të kërkuara, thotë Tatjana Vidakoviq nga Infostud.

Vidakoviq për Kosovo online tha se të rinjtë kanë sjellë shumë risi në tregun e punës dhe se para së gjithash duan të balancojnë punën me jetën private, por përveç një page të mirë, për ta është e rëndësishme edhe përgjegjësia shoqërore dhe imazhi i kompanisë.

“Është jashtëzakonisht i rëndësishëm balanci mes punës dhe jetës private. Prandaj shpesh zgjedhin kompani që ofrojnë mundësi pune nga shtëpia ose punë hibride, pra pjesërisht nga zyra, pjesërisht nga shtëpia. Gjithashtu është shumë e rëndësishme për ta mënyra se si do ta kalojnë dhe shfrytëzojnë kohën e lirë”, tha Vidakoviq.

Sipas saj, edhe pse në kushte krize ekonomike efekti financiar është dominues, gjeneratat e reja gjatë zgjedhjes së punës i kushtojnë rëndësi marrëdhënieve ndërnjerëzore, natyrës së kompanisë, kulturës së saj, projekteve në të cilat do të punojnë, fushës së angazhimit dhe mundësive për avancim.

“Shpesh na thonë se kjo nuk është vetëm deklarative, por duan që kompania realisht të ketë aktivitete që mbështesin këtë imazh ndaj publikut, që të mos jetë vetëm formë boshe”, tha Vidakoviq.

Ajo theksoi se në faqen më të vizituar për punësim në Serbi – Infostud – çdo vit evidentohet interes i madh i të rinjve për trendet në tregun e punës dhe kërkesat e punëdhënësve.

“Nga kjo shohim interesim për teknologjitë e informacionit, për regjistrim në fakultete teknike. Gjithnjë e më shumë po rriten profesionet që lidhen me burimet njerëzore, kështu që vitet e fundit kemi interes të madh edhe për studimet e psikologjisë. Mjekësia dhe stomatologjia janë gjithmonë në krye të interesimit, si dhe ekonomia dhe drejtësia. Po ashtu edhe Fakulteti i Arkitekturës. Këto janë disa nga fakultetet që shumë shpejt i plotësojnë kuotat që në afatet e para të regjistrimit”, tha Vidakoviq.

Ajo theksoi se edhe Fakulteti i Shkencave Organizative (FON) është ndër më të kërkuarit.

“Vitin e kaluar pati një rënie të lehtë të interesimit, por do të thosha se kërkesa për këtë fakultet prej vitesh mbetet e qëndrueshme”, shtoi Vidakoviq.

Ajo vuri në dukje se në tregun e punës ndihet një mungesë e madhe e zanatlinjve, pasi të rinjtë nuk janë aq të interesuar për zanatet, edhe pse pagat janë shumë më të larta se mesatarja.

“Vetëm në vitet e fundit, muratorët kanë pasur paga mesatare rreth 220.000 dinarë, që është shumë mbi mesataren. Pra, nga njëra anë të rinjtë ndjekin atë që ndodh në tregun e punës dhe janë të informuar, ndërsa nga ana tjetër ende nuk tregojnë interes të madh për disa fusha, edhe pse mendoj se ka përmirësime. Besoj se nuk kanë njohuri të mjaftueshme për këto profesione dhe ato nuk u duken mjaft tërheqëse për momentin, por kjo është një fushë e madhe ku mund të punohet në vitet që vijnë”, përfundoi Vidakoviq.