OTS: Transportuesit treguan përgjegjshmëri ndaj mbarë tregtisë

Merdare
Burim: Kosovo Online

Oda e Tregtisë së Sërbisë përshëndeti vendimin e transportuesve që ndalën bllokadën nën vlerësimin se u miratua zgjidhja që tregon përgjegjshmëri, pjekuri dhe vetdije për interesin e përgjithshëm të tregtisë dhe shoqërisë në tërësi.

"Komuniteti i biznesit dhe sektori i transportit bashkarisht inicuan zgjidhjen e çështjes që për vite me radhë nuk kishte marrë vëmendjen e duhur. Zbatimi i rregullit 90/180 për shoferët profesionistë sot pozicionohet qartë si problem serioz ekonomik e logjistik, që kërkon zgjidhje sistemike nga ana e institucioneve të Unionit Europian. Komisioni Europian paraqiti strategjinë e re për vizat që përfaqëson hap drejt zgjidhjes së problemit të kufizimeve të qëndrimit për shoferët profesionistë në zonën Shengen, çka është fillim i mirë për zgjidhje afatgjatë të këtij problemi", bëhet e ditur në njoftimin e OTS.

Oda e Tregtisë së Sërbisë thekson veçanërisht bashkëpunimin konstruktiv, mirëkuptimin dhe përkushtimin për zgjidhjen e këtij problemi, të cilat në këtë proçes, treguan kabineti i Kryeministrit të Sërbisë Gjuro Macut, ministritë përkatëse, si dhe shoqatat e biznesit të huaj në Sërbi.

Veprimi i përbashkët tregoi qartë pasojat që ky problem ka jo vetëm tek shoferët, por edhe në industri, eksporte, zinxhirë furnizimi dhe konkurrueshmëri të ekonomisë, thuhet prej Odës.

Shtohet se sot, me kërkesë të komunitetit të biznesit të Sërbisë, u mbajt urgjentisht takimi i Organit Kombëtar për Lehtësimin e Tregtisë, në të cilin u dakordësua që kapacitetet kufitare të Sërbisë të rriten në maksimum, si dhe që kolegëve nga Hungaria dhe Kroacia t'u kërkohet zyrtarisht koordinim të mëtejshëm me synim pakësimin e bllokimeve të trafikut dhe radhëve në pikat kufitare drejt BE.

"Ky është hap i rëndësishëm përpara dhe nisja e zgjidhjes së kësaj çështjeje komplekse. Oda e Tregtisë së Sërbisë mbetet fuqimisht e përkushtuar për aktivitete të mëtejshme, në partneritet me të gjithë pjesëmarrësit përkatës, për të siguruar zgjidhje të qëndrueshme dhe të drejtë në interes të shoferëve, ekonomisë dhe funksionimit të qëndrueshëm të tregjeve të Ballkanit Perëndimor dhe Unionit Europian", shtohet në deklaratën e Odës së Tregtisë së Sërbisë.

Transportuesit nga Sërbia sot vendosën që të ndërpresin bllokadën në të gjitha terminalet e ngarkesave, të cilën e nisën të hënën në shenjë proteste për shkak të zbatimit të rreptë të rregullave të qëndrimit të lejuar të shoferëve në vendet e Unionit Europian, çka e bën dukshëm më vështirë për të kryer punët e tyre.

Vendimi i shoferëve profesionistë për t'i dhënë fund bllokadës u përshëndet nga Kryeministri i Sërbisë Gjuro Macut, duke theksuar se kjo është fitore e arsyes, dialogut dhe punës së njerëzve që lidhin përditë Europën dhe se shoferët më në fund njihen si kategori e veçantë që kërkon qëndrim më të gjatë në territorin e BE nga 90 deri në 180 ditë.