Pavloviq: Statistikë e trishtuar – çdo vit raportohen më pak se 100 raste përdhunimi, ndërsa aktvendimet janë dyfish më pak

Sanja Pavlović AŽC
Burim: Kosovo Online

Në Serbi, çdo vit paraqiten vetëm rreth 100 kallëzime për veprën penale të përdhunimit, ndërsa ky numër më shumë se përgjysmohet kur bëhet fjalë për aktgjykime, paralajmëroi Sanja Pavloviq nga Qendra Autonome e Grave, duke theksuar se vërehet një “mosbesim i dyfishtë”, domethënë që viktimat nuk u besojnë institucioneve, ndërsa shpesh as institucionet grave.

Pavloviq thekson se në Serbi çdo vit raportohen rreth 100 raste përdhunimi, por sqaron se bëhet fjalë vetëm për rastet në të cilat është hapur hetim, ndërsa numri i përgjithshëm i kallëzimeve që janë hedhur poshtë menjëherë nuk dihet.

“Kur flasim për dhunën seksuale në Serbi, konkretisht për veprën penale të përdhunimit, ajo që mund të themi është se statistikat janë mjaft të trishtueshme, dëshpëruese, madje edhe të turpshme, sepse kemi më pak se 100 kallëzime në vit, dhe ky numër më shumë se përgjysmohet kur bëhet fjalë për aktgjykime. Shohim se ekziston, në njëfarë mënyre, një mosbesim i ndërsjellë. Nga njëra anë, gratë nuk u besojnë institucioneve. Nga ana tjetër, institucionet janë ato që nuk u besojnë grave. Prandaj, përgjegjësia është mbi to që të ndërmarrin hapa në mënyrë që gratë t’u drejtohen më shumë dhe të kenë më shumë besim tek ato”, tha Pavloviq për Kosovo online.

Burrat që i njohin viktimat janë më së shpeshti edhe kryerësit e dhunës, dhe Pavloviq thekson se kjo mund të jetë kushdo, përfshirë edhe partnerët bashkëshortorë, duke shtuar se për problemin e përdhunimit në martesë nuk flitet mjaftueshëm.

“Kur bëhet fjalë për kryerësit e dhunës seksuale, e dimë se ata janë kryesisht burra dhe zakonisht ata që e njohin viktimën, dikush që është i afërt me të nga rrethi i saj, qoftë anëtarë të familjes, persona nga sistemi arsimor apo shëndetësor, apo nga aktivitetet jashtëshkollore kur bëhet fjalë për gratë e reja. Kemi pasur raste të mësuesve të aktrimit dhe instruktorëve të kalërimit. Pra, burra të ndryshëm që kanë qasje te viktimat, sidomos kur bëhet fjalë për gratë e reja. Kur bëhet fjalë për gratë më të rritura, shpesh janë partnerët e tyre bashkëshortorë. Përdhunimi në martesë ende është një temë tabu për të cilën nuk flitet mjaftueshëm”, tha Pavloviq.

Prandaj, ajo thekson se është e nevojshme ndryshimi ligjor i përkufizimit të përdhunimit, pasi ai aktual është i vjetruar dhe përfshin ekskluzivisht përdorimin e forcës dhe kërcënimit.

“Ndryshimet janë të nevojshme në disa nivele. Nga njëra anë, janë të rëndësishme ndryshimet institucionale, veçanërisht sa i përket përkufizimit të përdhunimit në Kodin Penal, i cili ende është i vjetruar dhe nënkupton përdorimin e forcës dhe kërcënimit, ndonëse e dimë se viktimat në situata të dhunës seksuale më së shpeshti reagojnë me një lloj ‘ngrirjeje’ apo paralize. Ato nuk janë në gjendje të ofrojnë rezistencë, ndërsa pikërisht këto dëshmi të rezistencës janë ato që institucionet ua kërkojnë të dëshmojnë”, shpjegon Pavloviq për Kosovo online.

Veçanërisht e rëndësishme, thekson ajo, është besimi në institucione, sepse, sipas saj, viktimat shpesh përballen me mosbesim dhe dekurajim.

“Besimi në institucione është shumë i rëndësishëm. Është e rëndësishme që askush në institucione, qoftë në polici apo në prokurori, të mos i dekurajojë gratë që të raportojnë rastet. Kemi raste kur kjo ndodh, kur grave u thuhet: ‘Mos raportoni, nuk keni prova, në fund do t’ju padisim ne për kallëzim të rremë’. Gratë hasin njerëz të ndryshëm brenda sistemit, të cilët i dekurajojnë dhe nuk u besojnë”, tha Pavloviq.

Ajo shton se është e nevojshme edhe rritja e ndërgjegjësimit për atë se çfarë përfshihet në dhunën seksuale dhe se kush mban përgjegjësi për të. Mbështetja ndaj grave dhe besimi janë thelbësore, po ashtu edhe dënimi i qartë i përdhunuesve.

“Barrën e përgjegjësisë nuk duhet ta mbajë gruaja. Përgjegjësia, nga njëra anë, është e institucioneve që të ndërmarrin hapa të caktuar në mënyrë që gratë të kenë më shumë besim tek to. Nga ana tjetër, përgjegjësia është e secilit prej nesh, e qytetarëve dhe qytetareve të Serbisë, si dhe e çdo shoqërie tjetër. Është e rëndësishme të jemi pranë tyre, t’u besojmë kur flasin për përvojat e tyre, të qëndrojmë në krah të tyre dhe të kemi mjaft durim për t’i mbështetur gjatë këtyre proceseve. Po ashtu, është e rëndësishme të jemi shumë të qartë në dënimin e përdhunuesve, gjë që shpesh mungon këtu, duke çuar në relativizim, arsyetime dhe të ngjashme”, tha Pavloviq.