Kosovar apo Shqiptar - A do të krijojë regjistrimi i ardhshëm i popullsisë një "komb kosovar"
Regjistrimi i ardhshëm i popullsisë në Kosovë nuk do të jetë vetëm çështje statistikore sepse do të nxjerrë në pah edhe çështjen e identitetit – nëse shqiptarët nga Kosova do të deklarohen si kosovarë apo si shqiptarë. Kjo dilemë, konfirmojnë bashkëbiseduesit e Kosovo online, shtron pyetjen se a është e mundur të krijohet një komb kosovar, a mund të shndërrohet në një komb multietnik dhe si ndikon kjo në pozitën e popullatës serbe.
Në vitin 2004, kur profesori universitar Nexhmedin Spahiu promovoi librin “Në rrugën drejt kombit kosovar”, iu morën me dhunë kopje dhe iu dogjën para kamerave dhe siç ka dëshmuar edhe vetë, prej vitesh është akuzuar për tradhti kombëtare dhe përçarje të kombit të bashkuar shqiptar. Situata ndryshoi vetëm kur, pas shpalljes së pavarësisë, Toni Bler dhe Hillari Klinton gjatë vizitës së tyre në Kosovë i uruan jetë të gjatë “kombit të ri kosovar”. Spahiu ka komentuar se vetëm pas kësaj ka filluar të rritet numri i mbështetësve të “Kombit kosovar”.
Mirëpo, faktin se për këtë çështje ka përçarje të thella politike, e ka konfirmuar edhe vetë Albin Kurti, i cili në vitin 2019 si kandidat për kryeministër ka deklaruar se në Kosovë jetojnë shqiptarët dhe se për kosovarët nuk ka identitet kombëtar.
Vitin e kaluar, ministri në qeverinë e tij, Liburn Aliu, shkaktoi reagime të shumta, duke thënë se Kosova është një “projekt i përkohshëm” dhe shprehu dyshimin se është e mundur të krijohet një komb kosovar.
Qëndrime të tilla nuk e befasojnë Marija Marseniqin, sociologe nga Instituti për Studime Evropiane. Ajo thotë për Kosovo online se shqiptarët kanë nevojë për një komb të pastër etnikisht dhe se vetë projekti i Kosovës së pavarur është i përkohshëm derisa të jepet drita jeshile për të hapur rrugën drejt një “Shqipërie të madhe”. Ajo e sheh regjistrimin e popullsisë të planifikuar për në prill si një tjetër lëvizje taktike të represionit ndaj popullatës serbe.
“Sa i përket çështjes së formimit të një kombi të ri kosovar në ato vise, më duket shembull interesant që në letërnjoftimet e të ashtuquajturës Kosovë, kombësia është e shënuar si “kosovare”. Para së gjithash, kjo është bërë për t'u paraqitur para bashkësisë ndërkombëtare dhe perëndimit kolektiv si një përfshirje në dukje e serbëve dhe shqiptarëve dhe popujve të tjerë që jetojnë në territorin e Kosovës dhe Metohisë dhe barazimi i tyre. Mirëpo, qëllimi është sigurisht krejtësisht tjetër”, beson Marseniq.
Ajo thekson se qeveria e Kosovës në fakt dëshiron të dëshmojë nga njëra anë se numri i shqiptarëve po zgjerohet, por se ekziston edhe çështja e serbëve të cilët në këtë mënyrë veçohen nga identiteti i tyre kombëtar.
“Sigurisht që qëllimi nuk është ndonjë histori për gjithëpërfshirje dhe barazi, por që synimi është i njëjtë për Tiranën dhe Prishtinën, edhe pse ka mosmarrëveshje të caktuara politike, dhe kjo është sigurisht formimi i një ‘Shqipërie të madhe’”, thotë bashkëbiseduesja jonë.
Marseniq beson se ata do të deklarohen si shqiptarë në regjistrim, sepse kanë nevojë për një komb të pastër etnikisht.
“Deklarimi i kombësisë si kosovar është i përkohshëm, sepse në mesin e tyre shtrohet edhe çështja se çfarë është kosovari. A është shqiptar nga Kosova e Metohia apo është diçka tjetër. Prandaj, ata kanë nevojë për një komb të pastër etnikisht dhe vetë projekti i të ashtuquajturës Kosovë e pavarur është gjithashtu i përkohshëm. Kështu thonë zyrtarë të të ashtuquajturës Qeveri e Kosovës. Projekti i të ashtuquajturës Kosovë e pavarur është i përkohshëm derisa të jepet drita jeshile për aneksimin dhe hapjen e rrugës drejt Shqipërisë së madhe”, përfundon ajo.
E pyetur se çfarë do të thotë regjistrimi për serbët në Kosovë, ajo thotë se në asnjë rast nuk do të tregojë gjendjen reale në terren.
“Përkundrazi, ata duan që regjistrimi të tregojë një numër më të vogël të serbëve se sa ka në Kosovë dhe Metohi dhe gjithashtu mund të presim që Prishtina të bllokojë ardhjen e njerëzve në adresat ku janë regjistruar dhe ku kanë jetuar deri në ardhjen e Albin Kurtit në pushtet. Natyrisht, për shkak të represioneve të regjimit të tij, një numër i madh i serbëve që jetonin në Kosovë e Metohi u detyruan të largohen nga vatrat e tyre shekullore, dhe nuk do të mund të kthehen në shtëpitë e tyre gjatë periudhës kur do të bëhet regjistrimi i popullsisë. Në përgjithësi, pozita e serbëve në Kosovë dhe Metohi është më e keqja deri më tani, dhe çdo ditë jemi dëshmitarë të vuajtjeve dhe keqtrajtimit të serbëve në veri dhe në jug të Ibrit, ku shqiptarët u kujtojnë serbëve se nuk kanë të drejta në ato zona”, thotë ajo.
Me të pajtohet edhe historiani dhe politologu Stefan Radojkoviq, i cili thotë se kombi i Kosovës nuk ekziston dhe se krijimi i një kombi të tillë artificial me parim civil në këto zona është i pamundur të realizohet.
“Çështja e konceptit të kombit kosovar dhe çfarë do të thotë ai është një pyetje që në fakt lidhet me mimikëri e një shteti liberal-demokratik të modeluar sipas Evropës Perëndimore, në mënyrë që të ketë një të ashtuquajtur nacionalizëm civil dhe përkatësi civile ndaj të ashtuquajturit shtet civil. Kjo do të thotë se shqiptarët në regjistrim deklarohen si qytetarë të Kosovës ose kosovarë, por kjo do të përfshinte edhe disa komunitete të tjera etnike - ashkali, turq, boshnjakë, serb, rom, se edhe ata deklarohen si qytetarë të Kosovës dhe se ata ndjehuni si kosovarë”, thotë Radojkoviq për Kosovo online.
Më tej ai shpjegon se në Kosovë sundon parimi kombëtar etnik, ku Kosova identifikohet me shqiptarët, së paku nga perspektiva e administratës së Prishtinës.
“Ata përdorin termin “kosovarë” në ndërveprimin e tyre me komunitetin ndërkombëtar, ku duhet të bëjnë edhe një herë atë lloj mimikëri, ku thonë se ekziston një komb civil kosovar, ku janë të gjithë kosovarët, pa dallim gjuhe, prejardhje, feje... Është në fakt mimikëri dhe nuk është rastësi, të gjithë e dinë, që shpesh shfaqet flamuri i institucioneve të Prishtinës, dhe pranë tij flamuri etnik shqiptar, që është flamuri i Shqipërisë, një shteti sovran i njohur ndërkombëtarisht. Ata do të vazhdojnë me atë performance, por kjo nuk ka bindur askënd, sidomos goranët dhe serbët, se kombi i Kosovës i përfshin edhe ata”, thotë bashkëbiseduesi ynë.
Radojkoviq thotë se në Kosovë përcaktimi kombëtar më shumë kuptohet si etnik, sesa si civil.
“Kombi shqiptar, kombi serb, kombi kroat tashmë janë formuar. Kjo përpjekje aktuale për modelin civil liberal është realiteti historik i Evropës Perëndimore dhe është praktikisht e pamundur të zbatohet në vendet që ndodhen në lindje të Francës. Ai parim qytetar i kombit nuk është i natyrshëm dhe organik atje, nuk është autokton, por në ato zona është parim etnik ku mund të jemi qytetarë, të kemi letërnjoftim dhe pasaportë të një vendi të caktuar, por përcaktimi kombëtar më shumë kuptohet si etnik, sesa si civil. Dhe në këtë kuptim, është një detyrë e kotë, sepse nuk ka komb të Kosovës, nuk ka pasur as grup të veçantë etnik të Kosovës. Është një grup etnik shqiptar që ka shtetin e vet të pavarur, Shqipërinë, e cila është e njohur dhe anëtare e OKB-së dhe kjo është një përpjekje për të krijuar një komb artificial”, përfundon Radojkoviq.
Analisti nga Prishtina, Blerim Burjani, vlerëson se do të jetë shumë e vështirë që regjistrimi të realizohet dhe të jetë i vlfeshëm dhe se ai duhet të shtyhet.
“Qytetarët kanë të drejtë të vendosin se cilën fushë të plotësojnë formularin, do të vendosin vetë dhe do ta shprehin kombësinë e tyre në regjistrimin e popullsisë. Shtetësia është një element ligjor, dhe përkatësia kombëtare është ndjenjë e qytetarëve, kështu që do të jenë të dyja, siç ka qenë në vitet e kaluara”, thotë Burjani për Kosovo online.
Ai beson se do të jetë e vështirë të bëhet regjistrimi i popullsisë, për faktin se shumica e fshatarëve punojnë në një qytet më të madh, por edhe për shkak të emigrimit të popullsisë.
“Deri më tani nuk kemi shumë informacione se si do të duket formulari i regjistrimit apo si e kanë ndërtuar formularin me pyetjet. Mendoj se nuk ka baza të mira për të zbatuar rregulloren, do të jetë e vështirë sepse kemi shumë njerëz që vazhdimisht udhëtojnë brenda Kosovës gjatë ditës, që punojnë nëpër qytete dhe vendbanimin e kanë në fshat. Ka shumë prej tyre. Pastaj kemi edhe emigracionin”, shpjegon Burjani.
Ai është i mendimit se do të ishte mirë të shtyhej regjistrimi, që të mos ishte i pavlerë në fund.
“Mendoj se tani për tani është më mirë të shtyhet regjistrimi, në fund të fundit dihet sa qytetarë janë. Komunat kanë një regjistër dokumentesh ose një regjistër pronash. Sigurisht që duhet të kemi regjistrim të popullsisë dhe pronave, por nuk e dimë nëse përfundimisht do të vlejnë rezultatet”, thotë Burjani.
0 komentet