Nga çfarë varet nëse marrëveshja milionëshe mes Kosovës dhe MCC-së amerikane do të mbijetojë?

Potpisivanje sporazuma sa MCC
Burim: Facebook/Albin Kurti

Marrëveshja e nënshkruar para tre vjetësh në Kongresin Amerikan ndërmjet Kosovës dhe agjencisë Millennium Challenge Corporation (MCC), në vlerë prej 236.7 milionë dollarësh, të cilën autoritetet në Prishtinë e prezantuan si rrugë drejt një të ardhmeje të dekarbonizuar, tani ndodhet në pikëpyetje. Nëse realizohen njoftimet e mediave amerikane dhe administrata e Donald Trumpit vendos ta mbyllë MCC-në, kjo marrëveshje do të mbetet në fuqi vetëm nëse në Uashington vlerësohet se ajo është në interes të politikës së jashtme të Shteteve të Bashkuara në Ballkanin Perëndimor dhe në përputhje me objektivat e saj politikë të cilët nuk është e thënë të jenë publikë thonë bashkëbiseduesit e Kosovo online.

Shkruan: Dushica Radeka Gjorgjeviq

Departamenti për efikasitetin qeveritar i Elon Musk-ut, siç raportuan mediat, ka njoftuar agjencinë MCC se shumica dërrmuese e granteve të tyre do të pezullohet dhe se do të ketë një reduktim të ndjeshëm të stafit të agjencisë.

Programi Kompakt me Kosovën, i cili zyrtarisht nisi më 1 maj 2024, përfshin një grant prej 202 milionë dollarësh, ndërsa pjesa tjetër prej 34.7 milionë dollarësh është paraparë si kontribut i Qeverisë së Kosovës. Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani e ka promovuar këtë marrëveshje si investimin më të madh në sektorin energjetik të Kosovës në disa dekada. Programi synon tranzicionin drejt energjisë së gjelbër dhe rritjen e sigurisë energjetike, përmes vendosjes së baterive për ruajtjen e energjisë.

Qeveria e Kosovës, deri më tani, nuk është deklaruar në lidhje me mundësinë e dështimit të programit me MCC-në, por ish-kryeministri Avdullah Hoti ka thënë se, për shkak të mbylljes së MCC-së, Kosova do të humbasë 220 milionë dollarë, duke akuzuar qeverinë e Albin Kurtit se ka injoruar Marrëveshjen e Uashingtonit dhe ka refuzuar pezullimin e taksave doganore për produktet amerikane.

Edhe presidenti i Aleancës së Biznesit të Kosovës, Agim Shahini, beson se Kosova rrezikon ta humbasë këtë investim amerikan për shkak të marrëdhënieve të ftohta me autoritetet e reja amerikane.

“Kosova mund të kishte qenë kampione në aspektin e përdorimit të fondeve nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, megjithatë, marrëdhëniet midis Qeverisë së Kosovës dhe administratës Trump janë mjaft të ftohta, dhe për shkak të kësaj rrezikojmë të humbasim më shumë se 220 milionë dollarë. Kjo do të ndikojë shumë në ekonominë e Kosovës”, ka deklaruar Shahini për Kosova online.

Nëse agjencia MCC mbyllet, sipas vlerësimit të Damir Dizdareviqit, koordinator programor në Fondacionin BFPE për Shoqëri të Përgjegjshme, marrëveshja me Kosovën ose do të anulohet, ose do të rishikohet në mënyrë që administrata e re amerikane të vlerësojë nëse ajo është në interes jetik kombëtar të SHBA-së dhe në përputhje me politikën e saj të jashtme në Ballkanin Perëndimor.

Marrëveshja, e cila ka vlerën prej 236.7 milionë dollarësh, sipas tij është një investim jashtëzakonisht i rëndësishëm për një territor të vogël si Kosova.

“Investimet në sektorin e energjisë zakonisht fillojnë nga dhjetëra, kalojnë në qindra dhe arrijnë deri në miliarda dollarë. Raporti i Bankës Botërore, për shembull, thotë se për dekarbonizimin e Ballkanit Perëndimor janë të nevojshme rreth 37 miliardë dollarë deri në vitin 2050. Nëse e krahasojmë këtë me shumën e ndarë për Kosovën, ajo mund të mos duket shumë e madhe në nivel rajonal, por për vetë Kosovën është një shumë e jashtëzakonshme e parave”, deklaroi Dizdareviq për Kosovo online.

Ai shpjegon se për sistemin energjetik të Kosovës, projekti që duhej të financohej nga MCC është shumë i rëndësishëm sepse lidhet me ruajtjen e stabilitetit të rrjetit dhe sigurinë energjetike.

"Bëhet fjalë për bateri që duhet të balancojnë pikun e konsumit. Bateria është jashtëzakonisht e rëndësishme për integrimin e burimeve të energjisë së rinovueshme në sistem. Kur nuk ka erë dhe diell, thjesht lironi energjinë nga bateritë për ta kompensuar atë, sepse në rrjetin elektrik duhet të ketë gjithmonë prodhim dhe konsum të barabartë të energjisë elektrike, dhe në këtë mënyrë ajo është e balancuar. Bateritë karikohen kur ka tepricë, kur ka shumë diell dhe kur ka shumë erë", thekson Dizdareviq.

Kosova, shton ai, planifikon të rrisë pjesën e saj të burimeve të energjisë së rinovueshme në 35 përqind të konsumit të përgjithshëm deri në vitin 2030, ndërsa aktualisht është rreth 6 përqind. Ai projekt u njoh si strategjik nga administrata e mëparshme amerikane e Joseph Bidenit, por pyetja është se çfarë do të thotë administrata e Donald Trumpit.

Ai shton se siguria energjetike dhe siguria e furnizimit, por edhe vetë sektori i energjisë, janë shumë lart në agjendën e administratës së re të Donald Trumpit, mirëpo ai nuk i jep shumë rëndësi çështjes së ndryshimeve klimatike, por ka plan që të rrisë prodhimin e lëndëve djegëse fosile.

„Nga ky këndvështrim, ky projekt me MCC-në ndoshta nuk do të jetë lartë në listën e prioriteteve, por nëse e shohim nga aspekti i sigurisë energjetike – dhe e dimë që në Kosovë sistemi është mjaft i vjetruar, se termocentralet janë më të vjetra se 50 vjet, se ndodhin defekte dhe do të ndodhin gjithnjë e më shpesh në të ardhmen – atëherë ekziston një mundësi reale, dhe madje e madhe, që ky projekt të mbetet i realizueshëm. Gjithçka do të varet nga mënyra se si administrata amerikane e percepton projektin: si një projekt klimatik apo si një projekt që përmirëson sigurinë energjetike të Kosovës dhe të gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor. Ndoshta do të vija bast më shumë për këtë të dytën, megjithëse ka edhe mënyra të tjera për të siguruar siguri energjetike pa bateri, nëse energjia prodhohet nga lëndët fosile“, vlerëson Dizdareviq.

Ai thekson se Amerika dikur ishte e njohur për respektimin e marrëveshjeve të saj, gjë që është themel i rendit ndërkombëtar që funksionon sot, por se në dritën e konstelacioneve gjeopolitike kjo po ndryshon ngadalë por me siguri.

Bashkëpunëtor i Rrugës së Tretë të Re, Petar Doniq i thotë për Kosovo online se mbijetesa e marrëveshjes midis Kosovës dhe MCC-së ka shumë të ngjarë të varet nga vlerësimi të cilit do t'i nënshtrohen të gjitha programet e kësaj korporate, i cili do të varet nga qëllime të caktuara politike.

Kështu ndodhi në rastin e USAID-it, ku 82 përqind e programeve të agjencisë u eliminuan përfundimisht dhe 18 përqind u mbajtën.

„Gjatë shkurtimeve të buxhetit të USAID-it, palët në kuadër të programeve të ndryshme patën mundësinë të kërkojnë përjashtim dhe ta arsyetojnë atë. Më pas të gjitha këto raste u shqyrtuan individualisht, në bazë të rëndësisë globale të programit dhe nëse ai mbështet interesin amerikan në aspektin e politikës së jashtme. Me shumë gjasë, ky parim do të zbatohet edhe në këtë rast, ndërsa kriteri për vendimmarrje mbetet i fshehtë dhe bazohet në qëllime politike që nuk janë publike“, thotë Doniq.

Sipas vlerësimit të tij, një investim me vlerë 236.7 milionë dollarë për një rajon të vogël si Kosova është shumë i madh.

"Të gjithë do të kenë interes të luftojnë për veten e tyre, por do të jetë shumë e vështirë për këdo të gjejë kompensim, veçanërisht në kushtet aktuale të tregut. Në Nepal, një program i MCC është gjithashtu nën pikëpyetje dhe qeveria e tyre po shkruan një peticion për të devijuar fondet nga burime të tjera, pasi kjo është axhenda, për të centralizuar të gjitha agjencitë e pavarura brenda Departamentit të Shtetit, kështu që disa programe do të mbahen dhe disa jo, varësisht nga qëllime të caktuara politike për rajonin në të cilin zbatohen programet", thotë Doniq.

Ai kujton edhe rastin me marrëveshjen e nënshkruar midis Serbisë dhe DFC-së, gjatë mandatit të parë të Donald Trump, mbi bazën e së cilës do të realizoheshin projekte zhvillimore me vlerë 50 milionë dollarë për rajonin.

"Kur administrata amerikane u zëvendësua, ajo agjenci nuk e vazhdoi punën e saj, kështu që ekziston një precedent që kur vjen një qeveri e re, ajo ka axhendën e vet dhe dëshiron ta zbatojë atë, dhe disa marrëveshje të mëparshme mund të rishqyrtohen lehtësisht”, thekson Doniq.

Përndryshe, MCC (Millennium Challenge Corporation) është themeluar nga Kongresi amerikan në vitin 2004 dhe ka programe aktive në afro 50 vende të botës. Sipas të dhënave nga faqja zyrtare e MCC-së, kjo agjenci ka investuar rreth 17 miliardë dollarë në programe globale që mbështesin projekte në fushat e bujqësisë dhe ujitjes, arsimit, energjisë, infrastrukturës rrugore. Gjithashtu thuhet se MCC është një partner i vendeve më të varfra në botë, të cilat janë të përkushtuara ndaj qeverisjes së drejtë dhe demokratike, lirive ekonomike dhe investimit në popullatën e tyre.